TIRANE- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka komentuar situatën e krijuar ditën e sotme në kryeqytet si pasojë e shirave të dendur. Duke folur për “News 24”, kryebashkiaku tha se situata në kryeqytet është normalizuar, ndërsa aktualisht po punohet më intensivisht në zonën e Zallbastarit.

Veliaj tha se të gjitha akset në terren janë të kalueshme, ndërsa shprehet se ka monitoruar nga afër punën për normalizimin e situatës.

“Në Tiranë fatmirësisht kaloi pa situata tragjike. Të gjitha akset në terren janë të kalueshme. Për momentin më e keqja ka kaluar, po punojmë në aksin Zallbastar. Kam qenë gjithë ditën në terren, Ndroq, Kombinat. Në Laprakë uji është tërhequr, dhe situata paraqitet normale. Në 4 vite në Tiranë nuk u bënë investime në kolektor. Të djathtët s’dinë të punojnë, por s’dinë as të heshtin.

Ne po punojmë çdo ditë, dhe jemi prezent kudo ku qytetarët kanë nevojë. Në dallim nga qytetet e tjera, Tirana e ka përballuar këtë gjendje pa situata tragjike. Në Zallbastar po punohet aktualisht për të normalizuar situatën. Po ndjekim çështjen e romëve në zonën e Paskuqanit, edhe pse i takon një Bashkie tjetër, por në raste të tillë nuk ka rëndësi ndarja territoriale. Ne i vijmë në ndihmë atyre që kanë nevojë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe tek situate e krijuar tek “Bregu i Lumit”, duke theksuar se nuk do të lejohen ndërtimet në këtë zonë.

“Dua të theksoj se zona “bregu i lumit” nuk është emërtim zyrtar, pasi nuk mund të ndërtohet buzë lumenjve, diçka e tillë është e palejueshme. Shtëpi në shtretër lumenjsh, apo mbi kolektor nuk do lejohen, do t’u japim banesa sociale.

Janë rreth 12 zona problematike në Tiranë ku do të prishen ndërtimet pa leje. Te zona e Shqiponjës, mbi tre–katër shtëpi janë ndërtuar mbi kolektor. Këto banesa janë legalizuar, e tashmë do t’i duhen qytetarëve të Tiranës të paguajnë dëmshpërblimin për këtë gjë që e kanë lejuar dy-tre persona”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb