Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, dha detaje nga situata e përmbytjeve në vend, në një lidhje telefonike për News24.

Duke u ndalur te dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, ministri Peleshi u shpreh se është ende shpejt për të folur për dëme, ndërsa shtoi se krahasuar me përmbytjet e vitit 2017, dëmet janë më të vogla.

Peleshi u shpreh se situata më problematike është tek Ura e Mifolit, për shkak të prurjes së sasive të mëdha të ujit nga Greqia, ndërsa shtoi se orët në vijim pritet përmirësim i situatës.

“Ne jemi ende në mes të situatës, nuk mund të flasim për dëme. Nga veriu në jug kemi situata emergjence, në jug është më masive për shkak të përmbytjes, por edhe në veri, si në Theth, kemi një bllokim rrugësh apo akse, ku kalohet me vështirësi, edhe disa fshatra po përjetojnë mungesën e energjisë elektrike.
Më problematike nga të gjitha është dalja në nivele shumë maksimale, historike, e ujit, përgjatë Vjosës, tek Ura e Mifolit. Është shkaktuar nga prurjet e mëdha që vijnë nga Greqia. Mbrëmë prurja e ujit nga Greqia ka arritur në mbi 8 metra. Aty ka arritur nivelin maksimal uji.

Por në 2-3 orët e ardhshme presim tërheqje të ujit tek Ura e Mifolit. Dëmi është shumë më i vogël se në vitin 2017, për shkak edhe të ndërhyrjes që kemi bërë në këto vite, ku kemi krijuar një argjinaturë. Kjo ndërhyrje ka bërë që të lumi të mos dalë nga Darëzeza, duke mbrojtur shumë toka nga përmbytjet. Presim zhvillime pozitive në orët e ardhshme. Kemi bërë disa evakuime, kemi vepruar në kohë, kemi pasur bashkëpunim edhe nga banorët. I kuptoj emocionet e banorëve në këto situata, por ne kemi 10 ditë që njoftojmë për parashikimin. Prej 10 ditësh kemi ngritur shtabet e emergjencave”, tha ministri Peleshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb