VLORE – Përmbytjet në Vlorë sollën dëme të mëdha materiale, sidomos në automjete, si jashtë në rrugë ashtu edhe në parkimet e pallateve. Shumë prej automjeteve kanë dalë jashtë përdorimit dhe kthimi i tyre në punë është pothuajse i pamundur, duke u sjellë pronarëve të tyre dëme që shkojnë në mijëra euro.

Gazetari Enrik Mehmeti ka hyrë në një prej këtyre parkimeve në lagjen “Varosh”, në të cilin uji ka shkuar deri në tavan. Ai tregon për dëmet e shkaktuara si pasojë e përmbytjes si dhe çfarë ka ndodhur me automjetet kur ka hyrë uji.

Ndërkohë që apelit të gazetarit Enrik Mehmeti për t’i ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura i janë përgjigjur Luixhino Isufaj dhe Marjus Seiti, drejtues të një rrjeti social dhe kryetarja e këshillit të bashkisë të cilët po ndihmojnë familjet ne konviktin e shkollës industriale.

Një tjetër rrëfim vjen nga Vlora, ku një fëmijë 20 ditësh ka rrezikuar jetën si pasojë e përmbytjeve në zonën e “Ujit të ftohtë”. Noeli, vetëm 20 ditësh, rrezikoi të ishte viktima e dytë e përmbytjeve. Ai ka qenë në shtratin e tij në kohën kur uji ka vërshuar në dhomën ku po flinte. Babai i tij, Elian Alidervishi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” rrëfen tmerrin kur pa foshnjën e tij në ujë.
Ku keni qenë kur vërshoi uji?

Ishim duke fjetur. Sapo dëgjova zhurmë, u ngrita menjëherë. Teksa po i thërrisja babait im, pashë që krevati i djalit ishte mbushur me ujë. Mora direkt djalin në krah dhe dola jashtë të kërkoj ndihmë.
Ju erdhi në ndihmë njeri?
Na erdhi një fqinj, Andrea Qirjo, bashkë me djalin e tij. Po të mos kishin ardhur ata, do e kisha humbur djalin. Në mes të errësirës arritën që të hapnin derën, e cila ishte e bllokuar, dhe morën Noelin. Nga pas kisha nënën dhe babanë e gruan. Në momentin që po dilnim nga shtëpia, një rrethim hekuri ishte duke rënë dhe Andrea më dha fëmijën, e së bashku me djalin e tij mbajtën gardhin sa kaluam. Pasi e lëshuan, gardhi ra, duke dëmtuar dhe një prej automjeteve. Rrezikuan jetën e tyre, sepse mund t’i kishte marrë dhe rrjedha.
Keni hasur më parë një situatë të tillë?
Kurrë më parë nuk kam hasur një situatë të tillë. Pamë tmerr me sy.
Çfarë kërkoni nga shteti?
Jemi vendosur në konvikt provizorisht, edhe pse për djalin nuk është shumë i përshtatshëm. I bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë, sepse humbëm gjithçka.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: