IRANE- Nisur nga situata e reshjeve të rëna me intensitet orët e fundit në shumë zona të vendit dhe ndërprerjes së energjisë elektrike si pasojë e kushteve të motit, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri urdhëroi mbledhjen urgjente të gjithë Shtabeve të Emergjencave Civile në çdo qark, nga Prefektët.

Pas reshjeve të shiut me intensitet të lartë të një natë më parë dhe gjatë paradites së sotme, situata në mbrëmje po shkon drejt normalizimit. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile po monitoron situatën dhe koordinon veprimet me të gjitha Institucionet dhe Strukturat Operacionale  në terren.

Në mesditë dhe gjatë pasdites u mblodhën të gjithë Shtabet e Emergjencave në cdo Prefekturë.

Situata deri në orën 19:30 sipas qarqeve paraqitet si vijon:

Qarku Tiranë: Prefekti i Qarkut Tiranë, ka nxjerrë një Udhëzim për situatën e krijuar nga rrëshqitja e dherave në rrugën “Karl Gega”. Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve së Bashkisë Tiranë po punon për normalizimin e situatës së krijuar.

Në Laprakë dhe Bathore, në lagjen “Komuna e Parisit” dhe pranë ish-ekspozitës “Shqipëria sot” ka rënie të nivelit të ujit.

Aktualisht në autostradën Tiranë-Durrës qarkullohet pa probleme.

Në lagjen “Don Bosko” ka ende prezencë uji në disa pallate dhe po punohet me mjetet e shërbimit zjarrfikës për largimin e tij.

Për shkak të rritjes së nivelit të prurjeve të lumit të Tiranës, në Babru ka pasur dalje të ujërave jashtë shtratit duke rrezikuar përmbytjen e banesave. Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë dhe ka evakuuar disa familje.

Në Paskuqan, Valias dhe Bregu i Lumit ka pasur prezencë uji në disa banesa. Forcat e Armatosura po punojnë me 3 motorpompa për largimin e ujërave.

Disa familje janë evakuuar edhe në Kamëz e Paskuqan, pasi në banesat e tyre ka prezencë uji.

Nënstacionet elektrike në Kombinat, Kamëz dhe Laknas kanë qenë të mbushura me ujë dhe si pasojë ka pasur ndërprerje të energjisë në këto zona, por pas ndërhyrjeve për largimin e ujit situata është normalizuar dhe është rikthyer energjia.

Probleme me ndërprerjen e energjisë ka pasur edhe në Shëngjergj e Paskuqan. Grupet e OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve.

Qarku Kukës. Në të gjithë territorin e Bashkisë Tropojë, për shkak të erës së fortë, janë dëmtuar çatitë e 50 banesave. Gjithashtu janë dëmtuar dhe 2 ura, që lidhin Tropojën e Vjetër me Bajram Currin dhe ura që lidh lagjen Geghysenaj-Selim.

Komisioni i Emergjencave Civile në qark vazhdon të ndjekë situatën e krijuar nga reshjet e fundit duke ndërmarrë edhe masat parandaluese përkatëse.

Qarku Dibër. Me ndërhyrjen e 3 fadromave është zhbllokuar aksi në hyrje të qytetit Burrelit, ku pati rrëshqitje dherash.  Në zonën e Klosit me ndërhyrjen e Bashkisë dhe Drejtorisë së Bordit Kullimit u eliminuan pasojat e rrezikut të daljes së prurjeve të ujërave jashtë shtratit të kanalit të Klosit.

Në njësitë administrative dhe fshatrat ka disa dëmtime dhe bllokime të pjesshme të rrugëve, por më problem është dëmtimi i segmentit të fshatit Frankth dhe Bater ku është dëmtuar një urë e vogël. Do të ndërhyhet sa më shpejt nga firma ndërtuese, pë riparimin e saj.

Grupet e specialistëve të Emergjencave kanë nisur verifikimin e banesave të dëmtuara nga prezenca e ujit, ndërsa në Ulëz raportohet për rreth 30 shtylla elektrike të dëmtuara.

Qarku Durrës. Situata është drejt normalizimit në zonën më të prekur në Fushë-Krujë, pasi prurjet e lumit Zezë janë duke rënë. Furnizimi me energji elektrike po kryhet normalisht dhe hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb