Nga: AHMET SHQARRI * 

Festat kanë lindur apo janë shpikur për t’u gëzuar, siç ndodh edhe për çdo fund dhjetori, me Krishtlindjet e me Vitin e Ri që të gjithë i presin me shpresën e një të ardhmeje më të mirë. Njerëzit kudo në botë, me gjithë problemet e tyre të përditshme, përpiqen ta gjejnë kohën e mënyrën për t’iu kënaqur këtyre ngjarjeve të shënuara, ku çdokush bën edhe një farë bilanci të jetës së tij, me të mirat e të këqijat që mund ta kenë shoqëruar gjatë një viti. Por te ne, përjetimi i tyre shpesh merr ngjyrat e një dramaticiteti artificial, për shkak të politikës konfliktuale e disa herë perverse të partive politike, si në rastin e këtyre ditëve, kur pas një bojkoti prej 6 muajsh, opozita u kthye në Parlament, fakt që më tepër se një mirëkuptim mes palëve, përkundrazi flet qartë për një hipokrizi të hapur, ç’ka duket me sulmet e kundërsulmet e tyre të pareshtura edhe në këto ditë festash, që ndryshe duhej të predikonin paqe dhe mirësi. Me në krye kalorësit e tyre, kur dje njëri shpallte si suksese rekordet e qëndrimit të tij në ujë, ndërsa tani tjetrin e shpallin “kampion” të pingpongut, partitë e këtij vendi që i përziejnë keqas festat e këtij vendi me lloj-lloj pehlivanllëqesh, me ose pa dashje, i japin një ngjyrë të zbehtë dhe aspak të këndshme festave tona në përgjithësi e sidomos këtyre të këtij fundviti mbushur me ballo e gala të sajuara e pa pikë shije! E, ndërsa “rekordet” e “titujt kampionë” janë duke i rrëmbyer politikanët e njerëzit e ballove dhe galave artificiale deri në absurd, ky vend po mbetet më tepër si peng i një hapësire të ngushtë që të merr frymën dhe ku ekzistenca e kampionëve “bio” po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u gjetur.
Nuk është në natyrën time të zhbiroj siç duhet skutat plot dritëhije të politikës, ndërkohë që fusha sportive më duket më e hapur, paçka se edhe pamja e saj të gënjen në të shumtën e rasteve. E tillë mund të quhet një deklaratë e ditëve të fundit të një bosi të një tjetër skene të njohur, asaj të futbollit, mbi të ashtuquajturën rilindje të “Qemal Stafës”! Fjala është për stadiumin më të madh të vendit, që i lënë qëllimisht prej disa klaneve klienteliste në mëshirë të fatit për shumë vite, është katandisur në një gjendje të tillë mjerane, aq sa kur e sheh tani, “të merr të qarët”, siç thotë Kadareja i madhërishëm n’atë rast kur do të stigmatizojë përdhunimin nga ca njerëz barbarë të disa vendeve që nuk meritojnë të shkelen prej tyre! I sjellë në këtë gjendje skandaloze, ky tempull i futbollit tonë, që marrëzia dhe dobiçllëku i disave kanë dashur ta shkatërrojnë, për t’a shuar e humbur çdo nam e nishan të tij(!), ai gjithsesi nuk mund të mbetej ashtu si një anonim, përderisa ende vazhdon të jetë streha e vetme ku ekipet e kryeqytetit shqiptar fusin kokën për të luajtur ndeshjet e tyre më të rëndësishme të kampionatit, por edhe të të gjitha aktiviteteve të tjera të futbollit shqiptar. Kështu, pasi e gjymtuan dhe e përdhosën siç iu desh qejfi, ata “të parët” e këtij sporti, u detyruan që në një farë mënyre t’ia lëpijnë plagët kësaj viktime dhe t’i hedhin përsipër një lloj veshjeje e që për një farë kohe do të shtynte synimet e tyre grabitqare drejt rrënimit të plotë të kësaj ngrehine historike. Bëhet fjalë për një shtrim të një tapeti të ri të fushës së tij, në vend të këtij ekzistues, që prej vitesh, në përpjekje për të mbijetuar prej hordhive të ndryshme, është leckosur e rrjepur si mos më keq, duke dalë prej kohësh e krejtësisht jashtë përdorimit. Në një farë mënyre të krijohet ideja se gjysma e ardhshme e kampionatit, bashkë me aktivitetet e tjera të futbollit tonë, do të kenë të gatshme, në kushte normale, edhe fushën e stadiumit tonë kombëtar, që paturpësisht dhe tinëzisht ishte lënë në një gjendje të tillë, sikur të ishte një rrafshultë e pistë dhe e baltosur, ku kurrsesi nuk mund të luanin futbollistët, veçse të zhgërryheshin ata, derrat, që e kishin sajuar atë llucë!
‘Ditë më të mira paskëtaj do të vijnë’, patën thënë rilindasit e djeshëm për Shqipërinë, ndërkohë që ato po vonojnë, duke mos u shfaqur fort mirë në horizont. Nuk dihet se çfarë do të bëhet në të ardhmen me premtimet e “rilindasve” të sotëm, që gjithashtu patën thënë se ky vend do të kishte ditë më të mira nën qeverisjen e tyre, por që në fakt edhe ato po vonojnë e s’po duken të vijnë ende. Jetojmë në një mjedis plot dritëhije, sidomos në këto ditë festash të fundvitit, ku siç thamë, njeriu kërkon të gëzohet dhe të bëjë një farë bilanci, por politika e sotme ngatërrestare i bën lëmsh të gjitha punët, aq sa më shumë se kënaqësi për t’i pritur ngjarjet e shënuara, të mbërthen një lloj trishtimi dhe mërzie për atë çfarë ke pritur, por që ndryshe dhe egërsisht të përplaset në fytyrë…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: