Përmes financimit të Ambasadës Suedeze në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, organizuan në ambientet e KLP-së, takimin e parë, që shënon edhe nisjen e zbatimit të projektit “Ti shërbejmë demokracisë dhe qytetarëve përmes përmirësimit të integritetit publik”.

Ky projekt, synon rritjen e besimit të publikut tek puna e Këshillit, përmes forcimit të garancisë për integritet.

Hapat për zbatimin e tij u shtjelluan teknikisht nga drejtuesi ekzekutiv i IDM-së,  Sotiraq Hroni dhe Nadia Rusi, të cilët iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të anëtarëve në lidhje me procesin metodologjik të këtij projekti.

“Integriteti është pikënisja e një detyre, por në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe destinacioni i saj. Përmes mekanizmave që e promovojnë atë, ne kemi mundësinë të projektojmë sigurinë e publikut që puna jonë e përditshme garanton integritet”, u shpreh në fjalën e tij mikpritëse, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Nga ana tjetër, ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad theksoi se, përmes integritetit, do të mund të ruajmë dhe promovojmë vlerat e demokracisë.

“Duke përmirësuar integritetin, ju do të ndërmerrni veprime konkrete dhe do të rrisni besimin tek publiku. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se forcimi i institucioneve, shpesh herë kërkon një kohë të gjatë, ndaj mos e merrni të mirëqenë demokracinë! Llogaridhënia është çelësi dhe objektivi final”, tha Hastad, duke nënvizuar edhe një herë mbështetjen e Ambasadës Suedeze në konsolidimin e institucioneve në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb