Ng SONILA MUSAJ*

PERMET – Një 75-vjeçar nga Përmeti, pasditen e 24 shtatorit 2013, është gjendur i vdekur poshtë krevatit në spital nga një i afërm i tij. Pacienti kishte rreth 3 orë që kërkonte ndihmë si nga mjekët ashtu edhe familjarët e tij, por kjo ndihmë nuk i erdhi kurrë.

Doktoresha e turnit, Valbona Lipe, para kamerave nuk e pranon një gjë të tillë, por në kamerat e fshehta, të cilat janë realizuar nga djali i 75-vjeçarit, ajo e pranon që e ka gjetur të shtrirë përtokë. Por më e pazakonta është se për të moshuarin nuk ekziston një kartelë, e cila është e detyrueshme me ligj të hapet për çdo pacient që shkon në një spital!

Djali i të ndjerit e denoncon rastin në emisionin me “Zemër të Hapur”, rast që ia kalon për investigim edhe gazetarëve të KAKTUS. KAKTUS udhëton drejt Përmetit për të zbardhur të vërtetën e aty gjen fakte krejtësisht të kundërta nga ato që pretendojnë familjarët: Mjekët shprehen se viktima ka vdekur si pasojë e disa sëmundjeve të ndryshme, por nuk pranojnë që ata nuk janë kujdesur për 75-vjeçarin. Mjekët këtë ngjarje të rëndë mundohen që t’ia hedhin njeri-tjetërit duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare.

I biri i viktimës ankohet tek institucioni i Urdhërit të Mjekut në Gjirokastër, që mbështet mjekët duke i shpallur të pafajshëm. Çështja sillet nga familjarët edhe në Tiranë tek Urdhëri i Mjekut, që jep të njëjtin vendim, mjekët janë të pafajshëm. Por i biri i viktimës deklaron për KAKTUS se çështjen do ta çojë deri në Prokurori dhe i bën apel Ministrisë së Shëndetësisë që të zbatojë ligjin dhe të vendosë drejtësi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: