Franca dhe Belgjika kanë hyrë në fazën e re të heqjes së kufizimeve për luftim të koronavirusit. Në Francë, baret, restorantet, palestrat dhe pishinat janë duke mirëpritur njerëzit në ambiente të mbyllura, për herë të parë në shtatë muaj.

Belgjika po ashtu ka hequr kufizimet për ambientet e mbyllura në kafe dhe restorante. Megjithatë, të dyja vendet kanë kufizuar numrin e personave që mund të vizitojnë këto ambiente.

Në Francë, baret dhe restorantet mund të operojnë me 50 për qind të kapacitetit brenda. Palestrat dhe pishinat po ashtu do të mund ta shfrytëzojnë vetëm gjysmën e kapacitetit.

Hapësirat e jashtme, ndërkaq, do të mund të shfrytëzohen plotësisht. Një pronar lokali në Paris ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, se “është e çuditshme të dëgjosh një klient që thotë ‘një kafe brenda të lutem’”.

Ora policore gjatë natës do të shtyhet për dy orë, që i bie se njerëzit në Francë do të mund të lëvizin deri në orën 23:00.

Vizitorët nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Australia, Izraeli, Libani dhe Koreja Jugore, do të mund ta vizitojnë Francën pa test PCR për koronavirus, nëse janë të vaksinuar me ndonjë nga vaksinat e miratuara nga blloku evropian.

Në Belgjikë, nëpër tavolina të restoranteve do të mund të ulen katër persona bashkë.

Në organizimet e brendshme mund të marrin pjesë 200 persona. Belgët po ashtu, tani mund të vizitojnë njëri-tjetrin nëpër shtëpi, deri në katër persona./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb