Maqedonia e Veriut të dielën (13 qershor) nuk ka regjistruar asnjë viktimë me COVID-19 duke shënuar ditën e parë pa viktima që nga shtatori i vitit të kaluar.

Maqedonia e Veriut që nga paraqitja e pandemisë ka pasur numrin më të madh të vdekjeve, jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë, krahasuar me numrin e popullsisë.

Deri më 13 qershor 2021 në këtë vend janë regjistruar 5,471 vdekje, shumica prej të cilave në Shkup.

“Virusi është larg nga mposhtja, por kjo fitore e vogël na jep shpresë se po i afrohemi fundit për t’i dhënë fund agonisë. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë të respektojmë masat dhe mënyra e vetme për të zvogëluar numrin e viktimave është imunizimi i popullatës”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë gjatë 24 orëve janë regjistruar tetë persona të infektuar me koronavirusin e ri, që gjithashtu paraqet shifrën më të ulët në muajt e fundit sa i përket të sëmurëve me COVID-19.

Numri i rasteve aktive në nivel të vendit arrin në 437 persona.

Të dhënat bazohen në testimin e 3,068 mostra në 12 laboratorët shtetërorë dhe privatë ndërkohë që, sipas njoftimit të Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave të shtrirë në spitalet e vendit është 68.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është në pritje të një sasie më të madhe të dozave të vaksinave po pa saktësuar afatet, llojin dhe numrin e vaksinave.

Paraprakisht, ishte njoftuar se në fillim të qershorit do të arrinin 500 mijë vaksina kineze Sinovac.

Javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 30 mijë vaksina si donacion nga Turqia.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar 255 mijë persona ndërsa 448 mijë janë regjistruar për tu vaksinuar./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb