Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama pohoi mbrëmjen e sotme se gratë e politikës duhet të ngrihen në nivelin e misionit, përtej meritave të tyre personale. Në një intervistë për Ilva Taren, Linda Rama tha se gratë në politikë duhet të jenë katalizatore të fuqizimit të gruas në baza meritokratike në të gjitha nivelet dhe adresimit të problematikave të tyre.

“Ajo që mua më mungon vetë, si njeri që e ndjek në vijimësi këtë çështjen e fuqizimit të gruas dhe kur them në vijimësi, bëhet fjalë që në fund të viteve ’90, ajo që unë kuptoj që atyre grave që i është dhënë mundësia për të qenë në nivelet më te larta, unë nuk i shoh këto gra aq sa duhet në nivelin e misionit. Ato nuk janë ngritur në nivelin e misionit. Ato thjesht bëjnë, mendoj unë, në një masë të madhe përpiqen të përformojnë në punën e tyre”, -theksoi ajo.

Sipas saj, në këtë kontekst duhet plotësuar hendeku midis grave që kanë në dorë të bëjnë politika dhe atyre që kanë problematika në komunitete.

“Unë do të doja që ato të njihnin shumë mirë problematikat e grave në komunitete dhe më besoni që ka problematika shumë të rëndësishme dhe po të hysh në bisedë, unë vetë herë pas here për shkak të punës, njihem me këto problematika dhe është e jashtëzakonshme mënyra sesi të kuptosh sesa të avancuara janë ato që provojnë problematikën për të dhënë zgjidhje. Mjafton t’i dëgjosh, ato ta tregojnë vetë rrugën. Problemi është që duhet plotësuar ky hendek midis atyre që kanë në dorë, se kanë në dorë të bëjnë politika dhe atyre që kanë problematika”, tha Rama.

Në anë tjetër, Linda Rama shtoi se “sot duhet t’i gëzohemi faktit që në tabelat botërore ku diskutohen çështjet e barazisë gjinore, ne jemi në nivelet më të larta”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb