Presidenti Ilir Meta hodhi akuza të forta ndaj Kuvendit, teksa tha se ka falsifikuar provat për shkarkimin e tij, gjë që sipas tij, ndodh për herë të parë në këto 30 vite.

Në një konferencë për media, Meta ngriti dyshime se ligjet në Kuvend ndryshohen, teksa shtroi pyetjen se “Çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes në interes të grupeve të caktuara?”

Sipas tij, e gjitha kjo ka qenë një përpjekje për grusht shteti kundër Kreut të Shtetit, ndërsa shtoi se procedura për shkarkimin e tij ka qenë mafioze.

“Si konkluzion kjo është një padi shumë e rëndësishme, për arsye se krimi i falsifikimit është shumë flagrant, ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër Kreut të Shtetit dhe ky krim tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi njëpartiak i deri para 25 prillit, por është një dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend, me opozitë.

Prandaj, këtu kemi të bëjmë me themelet e Republikës, që janë tronditur rëndë. Nëse Presidenti i atij vendi të nderuar të BE doli me popullin vetëm për të kundërshtuar një ligj të konfliktit të interesave, ligje më të rënda se ai Kuvendi i mëparshëm ka prodhuar në çdo seancë, dhe deklaroi që ky ligj është nisja e një grushti shteti, çfarë mund të themi pas gjithë atyre historive të falsifikimeve, që kanë ndodhur në vendin tonë përgjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë edhe ndërtimin e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Është e qartë që kjo përpjekje, kjo provë e re, që askush nuk e kërkon, që vjen pas 8 muajsh, kur procedura ka qenë e qartë që ka qenë antikushtetuese dhe e falsifikuar nga Kuvend njëpartiak, sepse vetëm 40 deputetë kanë firmosur për shkarkimin e Presidentit, ka qenë një procedurë mafioze, nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për të finalizuar një grusht shteti kundër Kreut të Shtetit.

Çfarë mund të thuash për letrat që kërkojnë banorët e “5 Majit”? Çfarë garancie kemi ne si qytetarë që këta jo vetëm falsifikuan letrat për t’i rrëmbyer Presidentit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por këta edhe për të shkarkuar Presidentin falsifikojnë? Çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes në interes të grupeve të caktuara? Çfarë garancie kemi ne që pronat, hipotekat dhe çdo gjë që i takon qytetarëve, nuk falsifikohen?

Ju e dini se çdo dy javë në Vlorë janë ndërruar drejtorët e Hipotekave. Pse kjo urgjencë për të bërë falsifikime të tilla. Duhet të dilte fjala e atij ish-deputetit grabitqar se Presidenti do të shkarkohej ditën e hënë dhe për të duhet të falsifikonin firmat dhe dokumentet që i mbetet prokurorisë për të hetuar”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb