Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se programi i ndërkombëtarizimit po ecën me përparësi për të siguruar që institucionet e arsimit të lartë, të kenë partneritete strategjike në Europë dhe më gjerë por edhe të rrisin cilësinë e stafeve akademike dhe kërkimit shkencor.

Ajo ka shtuar se në një periudhë shumë të shkurtër, më pak se dy vite, janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Megjithatë ministrja ka theksuar se një proces i tillë nuk ka qenë aspak i lehtë.

“Në harkun kohor prej më pak se dy vitesh, janë bërë hapa të mëdhenj për sa i përket programit të ndërkombëtarizimit. Ndërkombëtarizimi ka filluar jo vetëm me programe të përbashkëta diplomash të dyfishta, të cilat kanë nisur në universitetet tona publike dhe jo publike, por mbi të gjitha me kampuset dhe filialet e universiteteve që kanë filluar të hapen në Shqipëri. Kemi nisur me Kolegjin e Evropës, i cili ka hapur dyert këtë vit akademik. Kemi hapur një tjetër kampus në Gjirokastër të Universitetit në distancë të Spanjës, ku tashmë kanë filluar aplikimet në të gjitha ciklet e studimeve në distancë dhe jo vetëm.

Dua të theksoj përpjekjet që ne po bëjmë për të zgjeruar ofertën akademike dhe për të ngritur në një nivel të ri universitetet tona, sikurse është partneriteti me Universitetin BOKU të Vjenës në Austri dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës. Jemi duke punuar që në Universitetin Politeknik të Tiranës të kemi degë studimi të Universitetit Teknologjik të Compiègne në Francë, me të cilët jemi duke punuar për të hapur dy programe të studimit.

Ky universitet do të hapë kampusin e tij në Universitetin Politeknik të Tiranës. Gjithashtu, jemi duke bashkëpunuar me Universitetin Teknik të Stambollit për të pasur programe studimi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, duke orientuar pikërisht atë perspektivë që sot është e hapur edhe në kuadër të zhvillimit teknologjik dhe inovacionit në Shqipëri. Kjo do të ndihmojë në diversifikimin jo vetëm të programeve akademike, por edhe në orientimin e tyre drejt kërkesave të së ardhmes dhe sfidave që kërkon shekulli XXI.”, tha ministrja Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb