Policia e Pogradecit ka identifikuar dhe arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili mbrëmjen e djeshme, pasi aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas në fshatin Buçimas, u largua nga vendngjarja.

Në pranga ka rënë 22-vjeçari E. J., banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, i cili akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Korçë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 24.01.2021, në fshatin Buçimas, Pogradec, ku u aksidentua me pasojë vdekje këmbësori P. Gj., bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar së bashku me mjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, shtetasi E. J., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb