TIRANË

I ftuar në studion e emisionin ‘Kjo Javë’, kandidati i PS për qarkun e Shkodrës Benet Beci komentoi zhvillimet e fundit politike, si edhe përplasjen e shënuar në godinën e FRD, mes Presidentit Meta dhe punonjësve të policisë bashkiake.

“Mesazhet e politikës duhet të jenë mesazhe të paqta, integrimi. Asnjëherë konfliktet nuk kanë sjellë gjë, janë historira të vjetra, që e kanë lënë pas vendin. Nuk kemi nevojë për këto mesazhe. Zhvillimi ekonomik vjen vetëm kështu. Pjesa e konfliktit politik, që nuk i shërben kësaj atmosfere, nuk na sjell një zhvillim, një ndërtim, atë që njerëzit presin.”- u shpreh Beci ndërsa foli edhe për pritshmëritë e fushatës në Shkodër.

Nëse deri dje keni pasur një diskutim të ekuilibruar, tani fushata është e ashpër, do duhet të “rebeloheni” edhe ju tani…

Nuk them që do të jetë e qetë, do të jetë me temp, me dinamikë. Në Shkodër duhet të krijosh besimin, së pari duke i shfaqur Shkodrës atë që ke, por edhe të rinj. I gjithë ekipi në Shkodër vjen me një përgatitje dhe një program të partisë, që të ketë mundësi t’i shfaqet shkodranëve me një plan. E dyta, që mund provohet është se ne në Shkodër kemi shumë argumente për të thënë se do të krijojmë një zhvillim ekonomik në Shkodër.

Shohim disa foto nga vizitat tuaja në Shkodër, çfarë i shqetëson shkodranët, që presin të ndryshojë?

Shkodra pritshmëritë e saj i ka të larta dhe me të drejtë. Ajo që kuptoj është që në Shkodër ka nevojë për një ndërhyrje shumë më të gjerë dhe komplekse. Zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm në këtë moment, që mund të përqasemi me një ndërhyrje të shpejtë, por edhe me një plan më afatgjatë. Investime publike, private, vende pune, janë të rëndësishme për Shkodrën. Ne mendoj se duhet të bindim dhe të sigurojmë Shkodrën dhe gjithë qarkun e veriut që të kemi mundësinë e dëshirën dhe vullnetin e qeverisë që ky mandat të jetë një mandat jashtëzakonisht i suksesshëm për zonën veriore.

Si e shihni Shkodrën, është me bindje të djathta apo të majta?

Mendoj se Shkodra përtej idesë e majtë apo e djathtë, duhet të shohë një evoluim, që vjen përmes një programi me zhvillim, jo konflikte. Ne duhet t’i tregojmë Shkodrës se mund të performojmë bashkërisht. Shkodranët kanë arritur të kuptojnë dëshirën e qeverisë për të zhvilluar programin gjithkund, e sidomos në Shkodër. Krijimi i vendeve të punës është një detyrë e qeverisë dhe pjesë e programit tonë.

Si e vlerësoni programin ekonomik të opozitës?

Nuk do të doja të hyja në detaje të programit, por në thelb mendoj që programi ynë është shumë më realist, më ambicioz dhe më i realizueshëm. Kjo është një gjë që dukshëm mund të ketë një vërtetësi më të madhe.

Si e shikoni ditën e zgjedhjeve, atmosferën? Si e patë përplasjen te zyrat e FRD, ku ishte i pranishëm dhe Presidenti Meta? Si do të ecin këto zgjedhje?

Mesazhet e politikës duhet të jenë mesazhe të paqta, integrimi. Asnjëherë konfliktet nuk kanë sjellë gjë, janë historira të vjetra, që e kanë lënë pas vendin. Nuk kemi nevojë për këto mesazhe. Zhvillimi ekonomik vjen vetëm kështu. Pjesa e konfliktit politik, që nuk i shërben kësaj atmosfere, nuk na sjell një zhvillim, një ndërtim, atë që njerëzit presin. Njerëzit presin investime, punësim, zhvillim ekonomik, mirëqenie. Kam shumë bindje që përtej pjesës së showt, është shumë pak për ta vlerësuar, përkundrejt nevojave që kanë njerëzit.

Më jepni një koment për atë që pamë te zyrat e FRD…

Çdo njeri e ka komentin aty, është krejtësisht i qartë. Është një fushë që unë nuk mund të komentoj, e gjithë skena nuk i shërben aspak pjesës parazgjedhore. Mendoj se nuk është ky mesazhi që duhet të japim, pastaj nuk mund të them me detaje. Unë kam në fokus pjesën e zhvillimit të qytetit, po punoj me grupet. Unë kam rrënjët e prejardhjen në Shkodër. Jam surprizuar me mesazhe, dhe kjo më bën të mendoj se në Shkodër ka nevojë për normalitet, zhvillim, qytetari. Të shkojmë me programe. Mendoj se kësaj radhe ne shkojmë komplementarë, me eksperienca jo vetëm politike në grup, por me eksperienca në fushën e zhvillimit, në shumë aspekte. Besoj se do t’i ofrojmë Shkodrës një ekip të suksesshëm dhe jam i kënaqur deri tani si na kanë pritur.

Kjo është dalja e parë në media pas publikimit të listave të PS, dhe ju keni theksuar se një pikë e fortë motivimi është familja dhe kryesisht për Shkodrën babai juaj, z.Bahri Beci…

Ne jemi rritur me Shkodrën, rrënjët kanë qenë aty, edhe familja e gjithë njerëzit e afërt janë në Shkodër. Im at është marrë shumë edhe me gegërishten, është profesor i gjuhës, e njeh Shqipërinë, por edhe Shkodrën, në detaje. Kemi folur shumë me të. Kemi kaluar situata jashtëzakonisht të tensionuara, gjatë kohës së përmbytjeve, kam qenë prezent në çdo fshat, kam qenë i lidhur së fundi atje. Mendoj se jam natyrë shumë soft në Shkodër. Rikthimi në Shkodër si përfaqësues në Parlament me jep një përgjegjësi të jashtëzakonshme, që unë e kam marrë me shumë seriozitet. Do bëj gjithçka që të jem një zë i fortë në Parlament për të zhvilluar Shkodrën dhe gjithë veriun.

Çfarë iu mbeti peng në KESH?

Nisëm disa projekte në KESH. Kishim tre shtylla: rinovimi i teknologjisë, futja e investimeve të reja, ku ishte gjithë diga e Vaut të Dejës, dhe një projekt shumë i bukur për zonën turistike të liqenit.

Nuk arrita të mbaroj këto që kemi filluar. Kjo them se më mbeti pak peng, zhvillimi i turizmit në Vaun e Dejës dhe Koman, por jam i sigurt që do t’i shoh të përfunduara nga pasardhësit e mi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb