Një ngjarje e shëmtuar ndodhi të dielën mbrëma, pak para se të fillonte ndeshja derbi e javës së pestë në Superligë, mes Prishtinës dhe Ballkanit.

Tifogrupi i vendasve, “Plisat”, sulmuan tifozët nga Suhareka, “Xhebrailat”, teksa edhe ndeshja nisi me disa minuta me vonesë shkaku i pasigurisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Policia e Kosovës ka njoftuar këtë të hënë se një person ka pësuar lëndime pas përleshjes, teksa njëri dyshohet se është therur me mjet të mprehtë. Viktimës i është afruar trajtimi mjekësor, teksa është njoftuar se rasti tashmë është nën hetim.

“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime gjatë një rrahje mes disa personave, pasi i njëjti dyshohet se është therur me mjet të mprehtë nga një person i dyshuar. Lidhur me rastin viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori. Rasti nën hetim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndeshja në fjalë u fitua minimalisht 0-1 nga Ballkani, kampioni në fuqi, që është kualifikuar në grupet e Conference League.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb