Në fazën finale të operacionit kanë hyrë sot ekipet speciale në vendin e aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Numri i viktimave ka arritur në 57, dhe sipas autoriteteve nuk pritet të ketë rritje të shifrës tashmë.

Me vinça do të largohen në një ambient të posaçëm për investigim pjesët e mbetura të trenit dhe kërkimet për trupa të tjerë të pajetë do mbyllen. Gazetarja Ira Londo tha për “BalkanWeb” se nga të lënduarit kurohen në spital 44 pasagjerë, nga te cilët 6 në gjendje të rëndë.

Nga 57 viktimat janë identifikuar mbi 30, ndërsa mjekët ligjorë kanë deklaruar se nëse nuk konfirmojnë personat e zhdukur me procesin AND, nuk do të shpallin vdekjen e tyre, por do mbetet me statusin i humbur.

Ky skenar është në diskutim pasi mbetjet e trupave në disa raste e vështirësojnë shumë identifikimin. Ndërkohë që familjarët kanë deklaruar 56 pasagjerë në kërkim, viktimat janë 57.

Policia sqaron se kjo është e mundur me pasagjerët e trenit, pasi dikush mund të ketë hipur në një stacion për itinerar të shkurtër. Ndërkaq tragjedia është pasuar me mungesë të organizimit dhe mekanizëm të dobët të përballjes me tragjedinë. Dy ditët e para, sidomos të mërkurën, familjarët dëshmuan për mungesë të ndjeshme e vonesë informacioni nga çdo organ kompetent, çfarë shtonte agoninë e ankthin për fatin e fëmijëve të tyre.

Të shtunën do dëgjohet dëshmia e përgjegjësit të stacionit të trenit, që urdhëroi kalimin e dy trenave në të njëjtat shina. Përballet me akuza të rënda të shkeljes së detyrës me pasojë humbjen e shumë jetëve njerëzore. Ndërkohë që po investigohet nëse punësimi në një post të tillë i një 59 vjeçari  me vetëm 1 vit trajnim e pa përvojë, ishte vendim politik, nga një zyrë e caktuar.

Sot qeveria greke cakton komisionin e specialistëve për investigimin e shkaqeve të aksidentit, me vendim të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Për javën e ardhshme është shtyrë këshilli ministror dhe deklarimi zyrtar i datës së zgjedhjeve parlamentare në vend, që normalisht duhet të zhvillohen më muajt Prill-Maj.

Nga ana tjetër në qytetet e mëdha të Greqisë vijojnë protestat qytetare që kërkojnë nxjerrjen e përgjegjësve për këtë ngjarje të rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb