Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur sot historia e një çifti bashkëshortësh që ndonëse të rinj janë prindër të 4 fëmijëve. ‘Gjysmë’ të divorcuar pasi vendimi i gjykatës nuk ka marrë formë të prerë, palët akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti.

Gruaja 30-vjeçare, rrëfeu kalvarin e gjatë të vuajtjeve dhe jetën e vështirë të martesës së saj që në vitet e para të kurorzimit. Gruaja e re, e bërë nënë në moshën 14-vjeçare rrëfeu tradhtinë bashkëshortore nga ana e ish-bashkëshortit me shoqen e saj të ngushtë. Ajo rrëfeu mes lotësh brengën dhe dhimbjen që mesa duket është ekzistente edhe sot, edhe pse fëmija i madh është 16 vjeç.

30-vjeçarja tregoi në studio se bashkëshorti nuk jep asnjë detyrim ushqimor ndaj fëmijëve dhe se mungesa e tij te fëmijët ka vite që e shqetëson. Por nga ana tjetër pas një komunikimi me ish-bashkëshortin në rrjetet sociale, ai kundërshtoi të gjitha ato çfarë tha 30-vjeçarja, për këtë arsye ai zgjodhi të jetë sot pjesë e studios, nga ku rrëfeu të vërtetën mbi gjithë jetën. Ai tha se gruaja kërkon t’i marrë shtëpitë e ndërtuara nga babai i tij dhe se i ka dërguar para fëmijëve. Sa i përket tradhtisë, ai thotë se si çdo emigrant ka pasur një të dashur, por mohoi se ka një fëmijë të jashtëligjshëm, ashtu siç pretendon gruaja.

“Jam njohur me Shpresën që kur ajo ishte 13 vjeç. Unë kam qenë 17 vjeç. Babi im nuk ka dashur që ta kisha për bashkëshorte, por unë u largova së bashku me atë sepse e doja. Shpresa gënjen për ato që thotë, ajo më hodhi në gjyq dy herë dhe do që të më marri dy shtëpitë që babai im i ka ndërtuar me djersë dhe me sakrificë. Ajo nuk i ka shërbyer nënës time kurrë, pasi nëna ime ndjesë pastë ka pas bërë morfinë, unë merrja komshinjtë që ti bënin hyzmet. Ajo nuk ka çfarë flet për nënën time pasi për nënën time flet një qytet i tërë. Sa herë që ajo më thoshte se kam nevojë unë shkoja nga Italia dhe i gjendesha afër. Ato tradhti që ajo më ka akuzuar janë shpifje, nuk janë të vërteta. Kur po fliste ajo desha të ndërhyja t’ia plasja në fytyrë të vërtetën. Shkak i divorcit ka qenë vet ajo, e di vet se çfarë ka bërë. Para dy vitesh kam dërguar lekë për fëmijët dhe për atë. Ajo e kërkoi divorcin unë i çoja lekë për të ngrënë dhe ajo me ato lekë shkonte bënte divorc. Ajo po të më donte mua nuk kërkonte divorc. Unë kam pasur një lidhje dhe ajo femër kishte një fëmijë, por fëmija nuk ishte i imi, çdo emigrant ka një të dashur këtë e dinë. Unë kam pasur një të dashur e cila kishte fëmijë por ajo ka jetën e vet tani. Gruaja ime pinte alkool me burra dhe bëhej tapë. Mua më kanë thënë njerëzit tek pallati që gruaja ime më tradhtonte. Unë nuk jetoj me askënd, kam ardhur te shtëpia e një shoku dhe nuk jetoj këtu me njëri”, deklaroi Albani.

Nga ana tjetër Shpresa ka ndërhyrë sërish në emision duke këmbëngulur në versionin e saj.
“Ato që thotë ai nuk janë justifikim, unë s’kam bërë asnjë lloj gabimi. Unë nuk e di si merr guximin ai dhe del aty dhe pohon të gjitha ato. Ai gjithë kohën më ka tradhtuar dhe ai ka bërë çdo gjë kundrejt meje. Çfarë parash ka sjell ai, nëse ke sjell lekë iu ke dërguar fëmijëve të tu dhe iu ke pohuar që këto lekë nuk duhet t’ia jepni mamit. Ai e di shumë mirë se unë shkoja në punë nuk gjendesha në shtëpi. Ne nuk kemi pasur një marrëveshje me të për ardhjen e prindërve të mi në shtëpi. Ai e di shumë mirë që unë kam pirë ilaçe për krizë nervore që pas vdekjes së babait tim. Ai flet ashtu se do të mbulojë gjërat e veta. Ai ka gati 10 vite që jeton me atë femër, videot që kam parë unë në telefonin e tij tregonin se ai ka një fëmijë të jashtëligjshëm. Ai flet se nuk ka çfarë të thotë sepse ai e ka atë grua aty dhe ajo e mëson”, tha gruaja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb