Kryeministri Edi Rama tha se konflikti mes bashkisë Tiranë dhe FSHF-së nuk është çështje e qeverisë, teksa ka zbardhur dhe bisedën e tij me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj pas publikimit të audiopërgjimit.

“Nuk kam asnjë koment. Qeveria është tërësisht jashtë kësaj çështje. Për qytetarët mund të ishte më e rëndësishme tema e legalizimit apo jo të kanabisit mjekësor, amnistimit të punës në të zezë të emigrantëve. Konflikti i bashkisë si aksionere e futboll klub Tirana me FSHF-në nuk është një çështje e qeverisë. Nuk është tema jonë kjo si qeveri. Kam bërë një bisedë me kryetarin e bashkisë pasi doli një përgjim. Përgjimin nuk e kam dëgjuar, refuzoj të dëgjoj përgjime sepse të gjitha të dala nga konteksti prodhojnë diçka të tillë. E mora ta pyes ca është kjo dhe më shpjegoi gjithë kontekstin, abuzimet e Federatës, procesin e zgjedhjeve jashtë standardit. I thashë po SPAK-un për çfarë e përmend. Shiko si del nga konteksti. SPAK-u nuk ka lidhje fare me një OJF. Kuptohet që është një fjalë e thënë në një muhabet, por SPAK-u vetë nuk ka kompetencë të merret me OJF-në. Është një muhabet në një dhomë me profesorë kalçetoje. Thonë që kanë të dhëna flagrante për farsën e zgjedhjeve është puna e tyre”, tha Rama.

I pyetur se nëse FIFA dhe UEFA do të kërkonin të takoheshin, Rama tha i pret me shumë kënaqësi.
“Po patjetër, unë i kam miq ata. I pres me shumë kënaqësi. Ka qenë një bisedë me çunat e kalçetos”, tha Rama në “Open”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: