Ditën e djeshme një denoncim në rrjetet sociale është bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili pohoi se qytetarëve po iu bëhen vaksina anti-covid të skaduara.

Berisha pohoi se kryedemokrati thekson se Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar përdorimin e vaksinave anti-covid të skaduara, duke rrezikuar kështu jo vetëm mbrojtjen e të vaksinuarve nga virusi, por duke sjellë edhe pasoja të tjera të rrezikshme nga substancat e skaduara.

Denoncimi i Berishës:
Një akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut!
Të dashur miq, në një akt të papërgjegjshëm dhe me rrezik për jetën e njerëzve, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar përdorimin e vaksinave anti-covid të skaduara, duke rrezikuar kështu jo vetëm mbrojtjen e të vaksinuarve nga virusi, por duke sjellë edhe pasoja të tjera të rrezikshme nga substancat e skaduara.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të papërgjegjshëm të qeverisë dhe i bëj thirrje qytetarëve të mos pranojnë të vaksinohen me vaksina të skaduara.
Lexoni më poshtë denoncimin e mjekut dixhital. #sb
– – – – –
Pershendetje dr po ju informoj se jemi urdheruar te vazhdojme vaksinimin me lotin e vaksines Pfizer qe ka skaduar ne Korrik dhe sipas urdhrit duhet qe kete lot ta perdorim gjere ne tetor.

Kundërpërgjigja nga Manastirliu
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, reagoi pas akuzave të forta të kryedemokratit Berisha, duke mohuar faktin se vaksinat anti-Covid janë të skaduara.

Në reagimin e saj, ministrja Manastirliu theksoi se Sali Berisha ka gënjyer, ndërsa iu drejtohet qytetarëve, duke iu thënë se “Vaksinat janë të sigurta dhe të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave, FDA dhe EMA”.

REAGIMI
Sali Berisha e përdori dhe një herë dritaren e Facebook-ut, për të gënjyer.
Nuk do t’ia vlente t’i përgjigjeshim gënjeshtrave të tij, të cilat në jo pak raste ka filluar i fshin edhe vetë kur ndokush ia vë në dukje marrëzinë e radhës.
Por, gënjeshtrat që Sali Berisha shpërndan pa pikën e përgjegjësisë, ndikojnë mbi shëndetin e qytetarëve dhe masat parandaluese që ata duhet të marrin në kushtet e Pandemisë.
Në lidhje me gënjeshtrën e fundit, sipas të cilës qytetarëve po u bëhen vaksina të skaduara, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dëshiron të informojë qytetarët si vijon:
Vaksinat janë të sigurta dhe të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave, FDA dhe EMA.
Shtyrja e afatit të vaksinave sipas një kalendari që lidhet me kohën e prodhimit është bërë për të gjithë shtetet e botës nga kompania Pfizer/BionTech dhe është miratuar nga FDA dhe EMA.
U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e përpjekjeve dezinformuese që synojnë ta përdorin shëndetin e tyre për politikën e ditës, por t’u referohen vetëm institucioneve që kanë përgjegjësinë të mbrojnë shëndetin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: