TIRANE

Ministri i Shtetit dhe Diasporës, Pandeli Majko tha se ka qenë ai që ka paraqitur kërkesën në emër të deputetëve dhe të grupit parlamentar të PS në vitin 1997 për ndryshimin e datës së çlirimit nga data 28 që kishte vendosur PD në datën 29.

I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në News24, Majko tha se të gjithë ata që luftuan në LANC nuk jetojnë më, por ata e kanë ndarë mendjen që data për t’i kujtuar do të ishte 29 nëntori.

Pjesë nga intervista:

Krasta: Ti je veshur në mënyrë konservative pasi ke ardhur nga Kuvendi, pasi  fakti që Rama në festat e fundit provokoi me qëllim duke veshur atë dollomanë…
Brekushet.

Krasta: Po. Çfarë ju bëri përshtypje. Ju bën përshtypje shëndeti mendor i njerëzve të politikës?
Jo miku im. Rama shpesh me mënyrën e tij dhe ai është një perceptivist revolucionar i një natyre shumë të veçantë.

Krasta: Ma thuash shprehjen që ta kuptojë dhe publiku.
Pra një njeri që merret me atë që duket. Ai shpesh do që të nxisë që të merresh me atë që do ai dhe jo me atë që do ti. Ato brekushet ti do ti kuptosh me këtë që po them unë.

Krasta: Këtë e ka kuptuar i gjithë elektorati. Pyetja është kur do flasë kryeministri për punësimin, për borxhin dhe rininë që po ikën dhe kur do bëhen në Kuvend këto biseda.
E ka sjellë situatën në një mënyrë të tillë që 90% e bisedave që konsumohen në sytë e publikut duken jo serioze. Dhe mos më thuaj që ky nuk quhet art.

Krasta: Disi. Arti i gënjeshtrës dhe i propagandës.

Nuk besoj, por më bëhet qejfi që ti pranon se arti ekziston.

Krasta: Edhe sikur shpirti i spektaklit të quhet ky, unë jam shumë i lumtur që kryeministri i vendit tim ka qejf të ketë profesionin tim. Më duket interesante. Vetëm Trump e ka këtë sot. Ka kuptim më që socialistët  të tregojnë një lloj kokëfortësie në raport me 28-29 nëntorin. Mund të ta shtroj ty një këndvështrim.
Po flet me personin e gabuar. Unë jam deputeti që pas zgjedhjeve të vitit 1997 kam dalë dhe kam mbajtur në emër të deputetëve dhe të grupit parlamentar kërkesën për të ndryshuar datën e çlirimit. Nga data 28 që e kishte bërë PD, në 29. Është diskutimi im i parë prandaj e mbaj mend.

Krasta: Ka ndonjë lloj obsesioni për 29?
Ka një lloj lidhje shpirtërore. Unë në familjen time ngado që të kthej kokën…

Krasta: Fakti që në familjen tënde ose në shumë familje të tjera shqiptare është salduar data 29 nuk do të thotë a) se ka ndodhur patjetër dhe b) edhe nëse do të kishte ndodhur. Që ky vend të bashkohet dhe t’i ikë sherri mund të bënit ju një gjest solidariteti dhe të thoshit mund të jetë çliruar Shqipëria në datën 29 që nuk është konfirmuar kurrë. Le të bëjmë sikur është çliruar në datën 28 që ky popull të bëhet bashkë.
Jo sepse këtu bëhemi më pas pjesë e artit të gënjeshtrës. Ne nuk merremi me thelbin. Çfarë ka ndryshuar tek e majta? Në qoftë se mendoni se kjo data na bën ne nga pak gjysmë feudalë e gjysmë patriarkalë në mënyrën e të kuptuarit të vetes sonë dhe kalimi nga data 29 tek 28 na kthen në modernë nuk mendoj kështu.

Krasta: Nuk është ky shqetësimi i përgjithshëm në raport me këto data. Madje që të jem të ndershëm ka sherr dhe ka ndarje se gjysma feston një datë dhe gjysma tjetër datë tjetër. Pyetja ime është nëse data 29 që është edhe data e çlirimit të Jugosllavisë, çka është teknikisht e pamundur që ushtritë e dy vendeve të kenë çliruar pavarësisht se janë larg me njëra tjetrën. Ti e di gjermanët janë tërhequr nga Jugosllavia. Shqipëria ka qenë e detyruar të çlirohet një ditë më përpara sepse duke kaluar në vendin tjetër…Pra fakti që në Shqipëri ne nuk gjejmë rehat, por njerëzit janë gjysma kështu e gjysma ashtu… A mund të ishte bërë një gjest?
T’ia përkthejmë publikut më qetë. Në lidhje me faktin që Shqipëria dhe Jugosllavia kanë të njëjtën datë çlirimi dhe që mos duket si një sindromë miqësie mes dy vendeve dhe ne ta ndryshojmë.

Krasta: Kjo është teknikisht, absolutisht e papranueshme për ju.
Jo se të parët e mi kanë qenë të lidhur me LANC, por po e kap me një moment tjetër. Vërtet mendoni se Enver Hoxha deri kur vdiq, ishte kaq naiv dhe kaq pro jugosllav sa mbajti datën 29?

Krasta: Data 29 është vendosur në ’44 kur influenca jugosllave ishte jashtëzakonisht e fortë në Shqipëri. Ishte vendi që Enver Hoxhës i kishte krijuar partinë. Pyetja është pse nuk ndryshohet tani, për interesat e shqiptarëve data e çlirimit, që ky vend të jetë i qetë?

Ne të dy nuk kemi qenë asnjëherë në luftë dhe besoj që lufta nuk është bërë me playstation është bërë me armë dhe nuk besoj që shqiptarët në atë kohë kanë qenë kaq të kalkuluar sa të mendonin që në datën 29 nëntor që do largonin gjermanët nga Shqipëria, mbas një viti të krijohej edhe Jugosllavia. Mendoj se ky do të ishte një kalkulim i sofistikuar. Mendoj se Enver Hoxha në marrëdhëniet me Jugosllavinë ka qenë i ashpër, këtë të paktën duhet t’ia njohim dhe për marrëdhëniet me ta ka lënë një bibliotekë. Dhe nuk mendoj se ne duhet ta fiksojmë çështjen e ritrajtimit të së majtës me një datë. Do të ishte një lloj autosugjestioni.

Krasta: Përgjigja jote është e mjaftueshme, pra data 28 do të jetë aty po ashtu edhe 29 nëntori.
Të gjithë ata që luftuan në LANC nuk jetojnë më dhe ata e kanë ndarë mendjen që data për ti kujtuar ata do të ishte 29 nëntori.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb