TIRANE – Pas reagimit të ashpër të Presidentit Bujar Nishani, të enjten në mbrëmje, në drejtim të kryeministrit dhe replikave në distancë dje, për dekretimin e Visar Zhitit ambasador në Vatikan, zbulohen detaje të tjera të përplasjes mes dy krerëve të shtetit. Gazeta “Panorama” shkruan sot për një telefonatë me tone të ashpra mes kreut të qeverisë dhe Presidentit, të enjten e kaluar.
Burime të “Panorama” pranë dy institucioneve bëjnë me dije se Rama dhe Nishani kanë shkëmbyer dhe një komunikim me tone të larta nëpërmjet telefonit. Mësohet se Kryeministri i ka kërkuar edhe në telefon Presidentit që të firmosë dekretin e Visar Zhitit për ambasador, por përgjigjja e Nishanit ka qenë e prerë, pasi ajo nuk është konsultuar me parë.
Telefonata është bërë ditën e enjte, ndërkohë që mësohet se është përdorur një gjuhë me tone të larta dhe të tensionuar mes Ramës dhe Nishanit. Pas telefonatës, institucioni i Presidentit ka reaguar në një konferencë për shtyp, ku ka akuzuar kreun e qeverisë se nëpërmjet shantazheve kërkon të kapë institucionin e Presidentit.
“Kjo praktikë jakobine, e padëgjuar kurrë më parë në këtë vend, ku dhuna e pushtetit fyen, kërcënon, shantazhon familjen, fëmijët dhe jetën e Presidentit të Republikës, është e paimagjinueshme në një vend normal. Kjo, për një qëllim fare të thjeshtë. Kryeministri nuk po mundet të marrë nën kontroll institucionin e Presidentit të Republikës”,- thuhej në reagimin e Presidencës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: