Pas kërkesës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, përfaqësues të “Venecias” kanë nisur këtë të hënë komunikimet me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partive politike në Shqipëri. Për shkak të pandemisë së COVID-19, komunikimi zhvillohet online.

Mësohet se mëngjesin e kësaj të hëne ekspertët e Venecias kanë biseduar me përfaqësues të Presidencës, nga të cilët kanë marrë mendimet rreth ndryshimeve në kuadrin ligjor elektoral. Mësohet se përfaqësues të Presidencës kanë përsëritur qëndrimet e bëra publike, sipas të cilave ndryshimet e shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane.

Pjesë e kontakteve do të jetë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësues të lartë të partive kryesore politike parlamentare dhe jashtë parlamentare, nga të cilët të dërguarit e “Venecias” do të dëgjojnë mendimet mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi opinionin e Komisionit, pasi në gjykimin e tij ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të miratuara me 97 vota në seancën e 5 Tetorit, bien ndesh me parimet ndërkombëtare. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se kërkesa drejtuar “Venecias” tregon qëllimin e Kreut të Shtetit për të hedhur në erë zgjedhjet.

Pas komunikimeve online, Komisioni i Venecias do të mblidhet në sesion plenar në datat 11 dhe 12 Dhjetor, nga ku pritet opinion për debatin e fortë politik në Shqipëri mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb