Kryeqyteti mbërthehet nga ethet e derbit, jemi në vigjilje të sfidës më të rëndësishme të futbollit shqiptar, teksa të enjten në “Air Albania” luhet Partizani-Tirana. Në 74 vite histori mes dy klubeve, tifozët kanë shijuar gjithçka duke e shndërruar këtë sfidë në një përballje epike. Ndër vite kjo sfidë ka ndryshuar jo pak, kanë ndryshuar protagonistet, stadiumi etj, por kurrë nuk e ka humbur shkëlqimin dhe rëndësinë.

Neptun Bajko, ish trajneri i Kombëtares, ish lojtar dhe ish trajner i famshëm i Partizanit, i ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, analizoi këtë sfidë. Bajko u ndal tek problemet e ekipit të kuq, ku vuri theksin tek mungesa e liderit, ndërsa shprehet i bindur së nëse Tirana kalon shpejt oshilacionet që shfaqen gjatë sezonit janë favoriti kryesor për të fituar titullin kampion.

Ish tekniku kuqezi foli edhe për ecurinë e Kombëtares, shortin e Ligës së Kombeve, por gjithashtu komentoi edhe përplasjen në distancë ndërmjet trajnerit Edy Reja dhe Armando Brojës. Me pak fjalë por shumë i bindur, Bajko dha versionin e tij se kush del i fituar nga kjo përplasje:

Çfarë e bën kaq të rëndësishme?

“Unë nuk e di zanafillën e diçkaje të tillë ,por di që futbolli ka krijuar ndër vite një kundërshti midis dy ekipeve. Kur cilësohet derbi, kur kundërshtarët kanë shumë përplasje, gëzime, zhgënjime, derbi ka rëndësi të veçantë. Mbajnë vlera të jashtëzakonshme morale, psikologjike, edukative. Shërbejnë në rritjen e brezit të ri nga të dy kampet, që të kenë entuziazëm në rast fitoreje dhe zhgënjim në rast humbjeje.”

Kujtimi më i veçantë?

“Si lojtar, hera e parë kundër 17 Nëntorit. Si trajner kur mora ekipin dhe pas 4 ndeshjesh luajta kundër Tiranës. Pësova një humbje që ka ngelur në kujtesën e sportdashësve, 7-3 dhe çuditërisht me një lojë të mirë. Rezultati ngelet.”

Ku ka pasur më shumë lezet atëherë apo tani?

“Atëherë sepse ka pasur më shumë lezet. Ka qenë shprehja e jetës që bënim ne në atë kohë, ndërthurur me gjëra më spontane dhe pavarësisht nga rezultati i ndeshjes të dyja tifozërit kishin marrëdhënie të mirë. Atmosfera kishte një bukuri të jashtëzakonshme.”

“Tani çdo gjë ka ndryshuar, por diçka i ka humbur futbollit nga ajo kohë. Ka lidhje me ngacmimet që jep loja e futbollit, diçka që na lidh.Nuk duhet ngatërruar nostalgjia. Historia nuk zbret në fushë. Historia e dy ekipeve që kanë dhuruar spektakël. Një ndeshje e tillë është që të zgjojë entuziazmin brenda normave me edukatë.”

Partizani, si i keni parë?

“Unë mendoj që çdo ekip kalon periudha të caktuara të krizës. U mendua që kriza do kalonte shpejt dhe ndeshjet do fillonin me ritmin që donte ekipi. Ka lëvizshmëri në fushë, lojtarët mundohen të japin maksimumin por ka mangësi që nuk janë rikuperuar. Një ndër problemet janë ana psikologjike. Ka të bëjë me lojtarët e rinj që kanë ardhur.”

“Së dyti nuk shoh që gjatë zhvillimit të ndeshjes të ketë një lojtar që të jetë një lider, cili të qetësoje ekipin pas ndeshjes. Mbajtja shpesh herë e topit është problem. Nuk shoh atë lidhje organike midis mbrojtjes dhe sulmit. Nuk i kanë të qarta ende. E fundit është se goditjet e dënimit dhe të këndit jepnin rrezikshmëri dikur por tani jo.”

Bën mirë drejtuesit që i e besuan Dajës?

“Kam respekt për çdo trajner në Superiore dhe në këtë aspekt me Ilir Dajën. Nuk e njoh nga afër për punën e tij, por bisedat për të flasin fjalë të mira dhe i mbetem kësaj. Është punëtor dhe i thjeshtë, por nëse në ecurinë dhe në përbërjen e ekipit përfshihen jo vetëm trajneri por disa dhe për interesa dëmtojnë ekipin lidhur me kontingjentin e lojtarëve.”

“Unë do të vlerësoja se Daja ka mbajtur qetësinë. Nuk është shfaqur i nervozuar dhe ka mbajtur qetësinë, por nënkuptohet që diçka nën vetëdijen e tij mbetet.”

Shansi i fundit për Dajën dhe Partizanin?

“Iliri foli si profesionist sepse nuk e mban kontrata por vlerat si njeri. Nuk kam çfarë të shtoj se i ka thënë të gjitha. Megjithatë ai ka shprehur qartë mendimet e tij.”

Pika më e fortë e Tiranës?

“Ka diçka më pozitive dhe duke parë nivelin e lojës Tirana duket më e plotësuar. Si një ekip që kanë më tepër përvojë dhe po punon për një objektiv. Kanë 2-3 lojtarë me të dhëna shumë të mira. Kanë dhe diçka që Partizani në kohen time ja mora Tiranës.

I mora karakterin dhe  shpirtin e garës. Normalisht jo me ata lojtarë që kanë qenë. Po punojnë në qetësi, me presidencën dhe trajnerin Shehi. Nuk merren me ndikimet, rrjetet sociale. Po ruajte ekipin ke ruajtur veten tënde.”

Tirana ekipi favorit dhe kush mund ta zbres nga kreu?

“Deri tani është favorit sepse me meritë  është aty ku është. Është një ekip që ka pikësynim të qartë për të fituar titullin. Këto e bëjnë të jenë në krye të klasifikimit. Mendoj se krizë do kaloj çdo ekip. Zgjatja e krizës të lëndon. Nëse kalon shpejt atëherë ai ekip do vazhdoj përpara drejt fitimit të titullit. Lufta do jetë me e ashpër në fazat që do vijnë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb