Seanca e Kuvendit është shoqëruar me tension dhe përplasje gjatë pasdites, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përdorur një gjuhë fyese ndaj ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

“Salariotët nuk kanë të sosur. Ky burri këtu që i dha 500 milionë lekë tenderin kuzhinierit të djalit (i referohet Dritan Agollit të FSHZ-së), si puna e Salariotit që i dha Eltit, vëllaut të kësaj ministres, të Spirobuçit. Ju lutem…”, tha ish-kryeministri duke nxitur reagimin e menjëhershëm të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që tha se ka shkelur rëndë kodin e etikës.

Ndërkohë në fjalën e saj, ministrja Elisa Spiropali tha se me gjuhën që përdori sot në Kuvend, Berisha i ka dhënë përfundimisht përgjigje pyetjes se pse e larguan me votë shqiptarët, pse nuk e duan deputetët demokratë dhe pse e ka shpallur non-grata SHBA.

FJALA E SPIROPALIT:

O shpërdorues i fjalës, o beterr i komunikimit. Dije se me këtë që the e bëre sot këtu në parlament i ktheve përfundimisht përgjigje pyetjes që të mundon e nuk të lë të flesh natën: “Të do apo nuk të do populli”. Populli që të flaku siç e meriton, ta ka kthyer përgjigjen dhe sot me këtë që the e që bëre i dhe edhe popullit përgjigjen përfundimtare se ti e ke  merituar flakjen e tij dhe të SHBA dhe të çdo deputeti që të kthen kurrizin dhe këtij Parlamenti që kur flet ti sëkëlldis mendjen, mbyll hundët, gati sa nuk mbyll sytë, pro do durojmë, do durojmë që ti tregojmë brezave të ardhshëm sesi nuk duhet të jetë një burrë shteti, sesi nuk duhet të flas një politikan, sesi nuk duhet të mendojë një njeri që përfaqëson popullin, sesi nuk mund ta përdhosësh shenjtërinë e vdekjes, sesi nuk mund të merresh me të gjallët dhe të vdekurit pa pikë kujdesi për etikën, për moralin, për kanunin, për kodin dhe për ligjin.

Dhe do durojmë, patjetër që do durojmë, durimi me ty është i pafundmë për të provuar edhe njëherë se atë që thoshte Pushkini meqë e nise me Çehovin se nuk ka iluzion më të ëmbël se të kujtosh kohët e shkuara dhe të mos pranosh të vërtetat e kohës së të ardhmes. Nuk e pranon dot që e shkuara nuk kthehet më Sali. Ky është problemi yt dhe taksirati ynë, por nuk do të jetë taksirati i qytetarëve shqiptarë, të cilët për pak vite do të provojnë se partinë shqiptare mund ta mposhtësh se ke 31 vite që e sundon por nuk mund ta mposhtësh Shqipërinë, nuk mund t’ia ndryshosh gjuhën, kodet, kanunin, nuk mund t’ia shkelësh ligjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb