LUSHNJE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Remas në Divjakë. Aksioni i forcave RENEA për kapjen e dy personave të dyshuar për vrasje, ka lënë pas një të plagosur.

Teksa rrethuan banesën e shtetasit Haxhi Lika, ku dyshohet se strehoheshin dy të dyshuarit, forcat RENEA kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Në këtë moment, sipas policisë, “Lika u lëndua në kokë në rrethana të paqarta”.

“Në zbatim të Planit Operacional për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore për veprën penale të vrasjes, forcat speciale RENEA. Rreth orës 05.30 kanë ushtruar disa kontrolle banesash në fshatin Remas të Lushnjes. Ndër to edhe banesën e shtetasit H.L., 77 vjeç, pasi disponohej informacion se në këtë banesë strehoheshin dy shtetas të dyshuar si autorë vrasjesh.

Në momentin që Policia ka bërë rrethimin e banesës dhe konform gjithë procedurave standarde të ndërhyrjes, shtetasi H.L., nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë, por ka dalë në dritare me një armë në dorë (rezultoi armë gjahu). Ndodhur në këto kushte Policia ka qëlluar në ajër duke i bërë thirrje përsëri shtetasin H.L., për të dalë nga banesa.

Në rrethana ende të paqarta shtetasi H.L., është dëmtuar në kokë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Eksperti mjeko-ligjor po punon për përcaktimin e shkakut të dëmtimit dhe rrethanat”, thuhet në njoftimin e policisë.

Eksperti mjeko-ligjor po punon për të përcaktuar shkakun e dëmtimit.

Por sipas familjarëve të Haxhi Likës, ngjarja ka ndodhur ndryshe. Ata thonë se policia ka qëlluar me armë zjarri, dhe më pas kanë hyrë për kontroll. Sipas familjarëve, një nga plumbat e ka goditur në kokë të moshuarin.

“News24” ka siguruar pamje nga banesa e 77-vjeçarit, ku duken shenjat e plumbave.

News24 meson se RENEA blindoi sot fshatin Rremas në Divjakë me qëllim arrestimin e të shumëkërkuarit Laert Haxhiu, autorit të masakrës së 11 shtatorit 2017 në Lushnje, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi. Laert Haxhiu është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Haxhiu është arrestuar në Durrës në vitin 2015, në kuadër të operacionit të koduar “Smart”, ku në automjetin e tij policia gjeti rreth 1.5 kg lëndë narkotike e llojit heroinë. Ai doli përpara gjykatës dhe u dënua për moskallëzim krimi me 1 vit e 7 muaj burg.

Laert Haxhiu ka dalë nga burgu në vitin 2016, duke përfituar edhe ulje të dënimit, ndërsa arrestohet sërish në 14 shtator 2016 për kundërshtim të forcave të policisë. Vetëm 12 ditë pas këtij ndalimi nga policia e Lushnjes dhe për rrjedhojë është liruar, ai ka tentuar të ekzekutojë nipin e Aldo Bares, Xhuljo Shkurti, në qendër të qytetit të Lushnjes. Pasi nuk e vrau dot, Haxhiu e paralajmëroi atë se herët ose vonë do ta vriste. Për ngjarjen ai u dënua në mungesë me 22 vite burg. Një vit më parë në shtator të 2017 ai vrau me armë zjarri Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin, ndërsa ka pasur si shënjestër nipin e Aldo Bares. Laert Haxhiu ka qenë i dënuar edhe për vrasjen e Gerti Lalës i njohur me nofkën “Iriqi”, anëtar i bandës së Lushnjes.

 

(BalkanWeb)