KOSOVE- Isa Mustafa është rizgjedhur kryetari i LDK-së me dy vota kundër. Sipas Sali Asllanit, kryetar i Suharekës, zgjedhja e Mustafës edhe për një mandat është pritur me duartrokitje të mëdha në sallë

Më herët, sipas mediave kosovare, kandidat ishin kryeministri aktual Isa Mustafa si dhe deputetja më e votuar në zgjedhjet parlamentare Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani, e cila nuk arriti të kandidohet për kryetare të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të numrit të vogël të votave të delegatëve, tha se zgjedhjen e Isa Mustafës me ngritje dore nuk do ta njohë për kryetar legjitim të partisë. Ajo tha se ka pritur që me votim të fshehtë të zgjidhen kandidatët, por kjo nuk ndodhi. Shkuarja në votim e vetëm një kandidati sipas saj është një vendim dhe veprim kundërstatutor. “Kam pritur që me votim të fshehtë të zgjidhen kandidatët për kryetar. Nuk më lejuan të jem kandidate. Kemi tentim antistatutor që të shkohet me vetëm një kandidat, tentimi ishte që të eliminohet çdo kandidat tjetër dhe të shkohet vetëm me Isa Mustafën. Nuk e konsideroj kryetar legjitim të LDK-së”, tha Osmani.

Ndërsa kryetari i Nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka thënë se ka pasur presion mbi delegatët e LDK-së. Ai u shpreh se është prekur shpirti i demokracisë me presionin që u është bërë delegatëve. “Uroj që LDK të kthjellet dhe të ketë një qasje më racionale”, ka thënë ai. Mustafa: Zgjedhjet ishin korrekte Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur pas përfundimit të procesit zgjedhor brenda LDK-së. Ai është shprehur i kënaqur me procesin e zgjedhjeve, duke e cilësuar si korrekt dhe demokratik. “Procesi zgjedhor ishte korrekt dhe demokratik”, ka thënë Mustafa, transmeton zeri.info. Zërat që kundërshtuan zgjedhjen e tij, Mustafa tha se nuk do t’i dëgjojë dhe nuk do të merret me ata që këtë proces e quajtën si formë diktature. “Ishte një kuvend i suksesshëm ashtu siç e ka natyrën LDK-ja me mundësi të vërejtjeve, me vota ashtu siç e parasheh rregullorja edhe statuti dhe me pajtim të pjesës dërmuese të delegatëve të Kuvendit. Në fjalorin e atyre që e kanë në mendësinë e tyre diktaturën nuk merrem. Delegatët që kanë qenë këtu janë të vetëdijshëm dhe të moralshëm për votën e tyre, pasi që është pronë e tyre”, tha Mustafa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: