*1500 policë e gardistë në terren, monitorojnë helikopterë të ushtrisë
*Ceremonia në Pallatin e Brigadave, flamuri serb në krah të atij shqiptar
*Vuçiç përkulet përpara flamurit shqiptar
*Rama: Kumanova tregoi brishtësinë e marrëdhënieve në rajon, Maqedonia të zbatojë “Ohrin”
*Nënkryetari i ri i Kuvendit, Rama: Si tregojmë Athinës se kë duhet të zgjedhim

TIRANE- Pas 7 dekadash një kryeministër serb viziton Shqipërinë. Ai është Aleksandër Vuçiç dhe vjen pas thyerjes së akullit nga kryeministri ynë Rama, i cili vizitoi Beogradin më 10 Nëntor.

Konferenca e përbashkët e dy kryeministrave shpërtheu në replika kur u përmend Kosova. Vuçiç tentoi të provokojë Ramën kur tha se “Kosova është pjesë e jona”, por kreu i qeverisë shqiptare nuk e mori këtë si provokim, por si qendrim të kundërt.

Për hir të marrëdhënieve dhe bashkimit të popujve në BE, Rama ftoi Vuçiçin të çlirohet, si ai ashtu edhe populli serb dhe të pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk ndryshoj qëndrimin për Kosovën, njohja do ishte çlirim për ju, por nuk dua të hymë më thellë në këtë çështje”.

PYETJE NGA GAZETARËT
Zoti Vucic, Rama ju premtoi se ju do të mikpriteshit dhe nuk do ndiheshit të provokuar, a e mbajti fjalën?
Vucic: Nëse unë mund të them me shumë pak fjalë nga kjo që kemi parë në Tiranë, falënderoj për një organizim shumë të mirë të përgatitur nga qeveria shqiptare dhe falënderoj mikpritjen. Kur nuk pajtohemi mund ta tejkalojmë këtë duke e thënë me fjalë të cilat tregojnë shumë më shumë, nuk kam asnjë vërejtje për mikpritjen dhe do isha jo i sinqertë nëse do të thoja tjetër, mua më intereson çfarë mund të bëjë mirë për shtetin tim, kështu mendoj dhe Rama, mendoj se takimi do jetë shumë i mirë për dy shtetet tona, ne kemi marrëdhënie më të mira, besoj se në të ardhmen do jenë edhe më të mira.

Zoti Rama, ju po rregulloni marrëdhëniet me Serbinë dhe po prishini ato me shtetet e tjera fqinje, siç ishte vetoja ndaj Greqisë, apo dhe qëndrimet me Maqedoninë. Ç’mund të na thoni në lidhje me këtë?
Rama: Ne nuk ndodhemi të provokuar. Për çështjen e Kosovës, ndajmë qëndrimet të papajtueshme. Lidhur me disa marrëdhënie me fqinjët, dua ta përsëris se për ne marrëdhënia e shqiptarëve me serbët është marrëdhënie kyçe, për ardhmërinë e rajonit. Ndërkohë që me Greqinë, kemi një marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe një partneritetet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. Unë e kam uruar kryeministrin Tcipras dhe e kam ftuar për një vizitë në Tiranë dhe do të isha i lumtur të vizitoja Athinën. Ndaj analistët nuk duhet të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktika të diplomacisë informacion për kërkimet në det. Ndërkohë që nuk është sekret dhe s’ka filluar me qeverinë e re të Athinë përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje të interesit kombëtar, siç është ajo e kufirit detar. Ne nuk kemi ndërmend të negociojmë me interesin kombëtar, për fqinjësi të mirë. Nuk jemi zotuar të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne dhe nuk e ushqejmë ne. Sa i takon çështjes me zgjedhjen e nënkryetarit të parlamentit të Shqipërisë, ashtu siç ne nuk e imagjinojmë se ti tregojmë Athinës e kë duhet të zgjedhë në krye të parlamentit apo të përfshihet në qeverinë sovrane, ashtu sikur nuk e imagjinojmë ne që Athina të bënte të njëjtën gjë.

Çfarë mendimi keni për Shqipërinë e Madhe?
Rama: Ne jemi në mbështetje të fortë të dialogut. Ne e kemi pasur edhe një nismë për ti dërguar Komitetit të Çmimit Nobel kërkesën për t’ja dhënë dy liderëve që çelën dialogun. Dialogu shënoi fundin e historisë së konfliktit. Sanksionoi shpërbërjen e gjithë tymit, pas dhe gjatë shpërndarjes së Ish-Jugosllavisë. Nuk ndryshoj qëndrimin për Kosovën, njohja do ishte çlirim për ju, por nuk dua të hymë më thellë në këtë çështje. Sot jemi miq në shtëpinë tonë, ne respektojmë miqtë dhe sensibilitetet që kanë. Për Shqipërinë e Madhe e përsëris, është një ide të cilën e kanë promovuar dhe ushqejnë ata që nuk i duan të mirën shqiptarëve jo ne dhe jo kombi ynë, që nuk synon zmadhim në kurriz të askujt vetëm vetëvendosja Nuk ka projekt të Shqipërisë së Madhe në Shqipëri, vetëm një projekt bashkimi në rrugën e BE. E duam një Ballkan pa kufij mes shqiptarëve por edhe popujve të tjerë. Kaq ja detyrojmë njerëzve tanë në një kohë të re, kur mitet nacionalizmat e së shkuarës nuk kanë shans që të gjejnë një vend zotërues, siç mungojnë në Serbi, por nuk kanë lidhje me qendrimin tonë për të ardhme të përbashkët për ta bërë ballkanin pjesë integrale të BE.

VUÇIÇ: DRONIN E NGRITI DIKUSH ME EMRIN ISMAIL, ISHTE I ORGANIZUAR POLITIKISHT
Kryeministri serb është ndalur tek ngjarjet e tetorit në Beograd ku gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi u ngrit mbi stadium droni me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”. Vuçiç tha se e di emrin e personi që e ngriti, ndërsa u rishpreh se “ngjarja ishte e organizuar politikisht”.

“Incidenti me dronin ka qenë i keq për marrëdhëniet tona, ka qenë i organizuar politikisht. Flamuri i Shqipërisë së Madhe, ngrit në mënyrë të qëllimshme. Në dijeninë time e ngriti dikush me emrin Ismail, mbiemrin nuk e di, dhe kanë ardhur nga Italia. Tre ditë para mbajtjes së kësaj loje është organizuar gjithçka, dhe kjo ka patur edhe ndikimin e saj politik”, tha Vuçiç.

Bçhet fjalë për Ismail Morinën, qytetari nga Kosova që vazhdimisht ka thënë se është personi që lëshoi dronin në stadiumin e Beogradit ku luhej ndeshja Shqipëri-Serbi.

RAMA: PËR NE SHQIPËRIA E MADHE NUK ËSHTË AS VIZION AS PROJEKT, ME RËNDËSI ËSHTË PAQJA NË RAJON
Kreu i qeverisë shqiptare ka ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, për të shmangur konfliktet dhe për të garantuar paqen. Rama tha se për vendin tonë “Shqipëria e Madhe nuk është as një projekt e as një vizion”, duke theksuar se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është integrimi në Bashkimit Europian.

“Nuk dua të kthehem pas tek fluturaku që na bëri objekt të lajmeve dhe vëmendjes së të gjithë botës. Thjesht besoj se për ne Shqipëria e Madhe nuk është as vizion, as projekt, as program dhe nuk na bën përshtypje kur shfaqet qoftë edhe në atë formë që u shfaq në stadiumin e Beogradit. Po të ishte shfaqur në Shqipëri, do e kishim marrë me të qeshur, por kjo është çështje perceptimesh,. Mësimi për atë ngjarje është nxjerrë nga të dy palët. Kjo paqe e madhe, e pritur, e kërkuar, dhe e mirëpritur nga të gjithë popujt e Ballkanit, është ende aq e brishtë sa mundtë vihet në rrezik nga një top futbolli. Ne e kemi kapërcyer më kurajë atë moment, dhe sot jemi këtu në vizitën e kthimit të kryeministrit të Serbisë, që dëshmon për një shenje të vullnetit të përbashkët për të parë përpara. Dhe që tregon se pavarësisht një mosdakordësie të madhe, ne kemi dëshirën e përbashkët. Serbët dhe shqiptarët nuk kanë përgjegjësi vetëm për vetveten por edhe për vendet e rajonit dhe të Europës”, tha Rama.

VUÇIÇ: KOSOVA ËSHTË PJESE E JONA
Ora 13:32- “Dëshiroj t’ju tregoj që jam krenar si i pari kryeministër që ka ardhur në vizitë në emër të Serbisë. Dëshiroj marrëdhënie të mira të miqësisë por edhe ato politke. Ne e dimë që zhvillimi politik, ashtu edhe shkëmbimi i mallrave është i mirë për dy vendet. Me rëndësi mbetet të punojmë së bashku në projekte infrastrukture”, tha kryeministri i Serbisë në nisje të fjalës së tij.

Ndërsa nuk nguroi të ndajë qëndrimin e tij dhe të Serbisë për çështjen e Kosovës, Vuçiç tha: “Është fakt që nuk pajtohemi për Kosovën dhe Metohinë. Serbia e trajton dhe do të vazhdojë ta trajtojë si pjesë të saj Kosovën, ndërsa Shqipëria e trajton si shtet të pavarur, pra ndryshe nga ne. Megjithatë, unë mendoj se këto mospërputhje duhet ti sheshojmë me dialog dhe në mënyrë paqësore. Këto probleme nuk zgjidhen me luftë, por me dialog. Ne jemi fqinj dhe jemi popuj në zgjerim. Ne duhet të marrim bashkë në dorë fatin e Ballkanit Perëndimor”.

Ai theksoi rëndësinë që kanë për rajonin marrëdhëniet Serbi-Shqipëri, duke i konsideruar ato ‘kyçe’ për Ballkanin Perëndimor. Duke nënvizuar angazhimin për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, Vuçiç kërkoi bashkëpunim me palën shqiptare për të punuar mbi projekte të përbashkëta sidomos në infrastrukturë. “Me homologun Rama biseduam dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit, në mënyrë që qytetarët e të dy vendeve të shkëmbejnë vizita reciproke”, u shpreh kryeministri serb.

RAMA: EDHE NJE TOP FUTBOLLI RREZIKOI TI KTHEJE MARREDHENIET TONA NE PIKEN ZERO
Ora 13:20- Në konferencën e përbashkët për shtyp, kreu i qeverisë Rama deklaroi se shkëmbimi i vizitës me Vuçiç flet për një moment historik, edhe pse siç tha ai, nuk jemi dakord për gjithçka me serbët. Por kreu i Qeverisë serbe në fjalën e tij u shpreh se “Beogradi nuk pajtohet me statusin e Serbisë”.

Sipas tij, shqiptarët dhe serbët duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Francës në Europë dhe të bashkëpunojnë.
“Falenderoj kryeministrin Vuçiç për këtë vizitë dhe shpreh bindjen se këto 24 orë do jenë shtysë që ai të rikthet përsëri në vendin tonë. Uroj që mbresat pozitive ta nxisin që në kthim, të inkurajojë bashkëqytetarët e tij të vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë verës, i siguroj se do të gjejnë vendpushimet ushqimet dhe mikpritje befasues. Vizita dypalëshe ndodhi siç ishim dakordësuar, Vuçiç është këtu për të marrë pjesë në forum, në kuadër të përfundimit të presidencës shqiptare të SEECP…Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu që mikëpritet me të gjitha nderimet. Ne kryem këmbimin e parë të vizitave në rang kryeministrash pas një kohë të gjatë akulli mes shteteve tona. Ky është shembull i dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet tona afër, pavarësisht se jemi end larg të të qenit dakord për gjithçka”.

“Sot shqiptarët dhe serbët kanë një mundësi historike ta kthejnë paqen e meziarritur në një paqe që ja vlen të jetohet. Unë besoj se ne kemi sot mundësinë të bëjmë për të mirën tonë dhe të njëri-tjetrit si dhe vetë rajonit tonë. atë që vetë francezët e gjermanët bënë pas LDB. Vullneti ynë është i palëkundur në mbështetje të synimit tonë të shpallur, axhendën e një rajoni pa kufij”.

Kryeministri Rama nuk ka lënë pa përmendur dhe çështjen e Kosovës, ndërsa theksoi se mes Serbisë dhe Shqipërisë ka një mosdakordësi, që është shteti më i ri.

“Historia e ndasisë mes serbëve dhe shqiptarëve, është e atillë që e bën të ardhmen e rajonit. Edhe një top futbolli rrezikoi të na rrokulliste në pikën zero 6 muaj më parë. Ishte domethënës për këtë kohë paqe për kthimin e bashkëjetesës. Atje ku ka rrugë të përbashkët, vlen për ne shqiptarët dhe serbët. Pavarësisht që ka një jodakordësi me ne për çështjen e Kosovës. Por kjo mosdakordësi nuk e zbeh vlerën e madhe për dialogun mes Kosovën. Kjo pasi është prologu ynë. Pa hapin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës në rrugën e Berlinit, nuk do kishte qenë dot e mundur. Ashtu siç nuk do kishte qenë dot e mundur të bënim projekte të përbashkëta, për energjetikën  infrastrukturën. Duhet të marrim shembull nga Gjermania dhe Franca, pas bashkëpunimit pas luftës”, tha Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se duhet të lihen mënjanë barrierat e së shkuarës pasi destinacion i përbashkët është Bashkimi Europian.

“Të rrëzojmë barriera historike, të së shkuarës, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot, për të projektuar të ardhmen, jo thjesht politikisht, si një destinacion për BE. Por konkretisht për hartimin bashkërisht për projekte në infrastrukturë, energji, kulturë, arsim. Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë, në projektet për të rritur ekonominë tonë dhe shumëfishuar potencialet që u duhen popujve tanë, dhe në këto kohë të vështira dhe sfida të mëdha. Suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë që të mbërrijmë në suksesin që duam, në këtë rajon që jetojmë të ndërlidhur në fatet tona. Fatet janë të ndërvarura që është e pamundur që njeri të shkojë shumë para dhe tjetri ngelet pas, dhe një i tretë ngec në rrugë. Ne të gjithë jetojmë me një pjesë të tjetrit, edhe kur jemi të ndarë. Duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të integrimit, të bëjmë me tjetrin dhe për trajtimin, as më shumë e as më pak që tjetri të bëjë me ne. Duhet të frymëzohemi të kthejmë këtë kohë të panjohur paqeje në bashkëjetesë të qëndrueshme, në paqe e harmoni ndëretikne, ndërfetare dhe ndërshtetëror.”, tha kryeministri.

RAMA: KUMANOVA TREGOI BRISHTËSINË E MARRËDHËNIEVE NË RAJON, MAQEDONIA TË ZBATOJË “OHRIN”
Kryeministri Rama në fjalën e tij është ndalur edhe tek ngjarjet në Kumanovë, duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa u shpreh se Shqipëria do një Maqedoni të qëndrueshme, kreu i Qeverisë shqiptare bëri thirrje për eliminim të thirrjeve nacionaliste, dhe për forcim të bashkëpunimit në funksion të paqes dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

“Ne presim që shqiptarëve të jugut të Serbisë t’u jepet ai trajtim dinjitoz që iu ofrohet serbëve në veri të Kosovës. Shprehim vullnetin për të ecur përpara në raportet mes dy vendeve. Është me rëndësi fuqizimi i besimit reciprok. Ngjarjet tragjikë në Kumanovë vërtetuan brishtësinë e kësaj paqeje. Shqipëria e sheh si interes të pacënueshem të saj, dhe të shqiptarëve në Maqedoni, integritetit territorial dhe funksionimin demokratik të Maqedonisë. Ne duam një Maqedoni të qëndrueshme, demokratike, dhe ku padiskutim ku zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Të gjitha vendet në rajon dhe përtej duhet ët tërhiqen nga thirrjet që nxisin shfaqje negative. Ato i përkasin një Ballkani që i takon të shkuarës, dhe s’kanë asgjë të përbashkët për të ardhmen e Ballkanit.

Ne synojmë të rilindim vendet tona përmes jetësimit të ëndrrës për integrimin evropian. Ne duhet të bëhemi bashkë për të mbrojtur nga çdo lloj kërcënimi vendet tona, dhe paqen e meziarritur mes nesh”, u shpreh kryeministri Rama.

VIZITA
Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Serbisë ka zbritur sot në Aeroportin e Rinasit në orën 11:00, ashtu siç ishte parashikuar. Vizita e tij dyditore vjen pas thyerjes së akullit nga kryeministri ynë Rama, i cili vizitoi Beogradin më 10 Nëntor.

Në Rinas ai u prit nga numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, ndërsa në Pallatin e Brigadave e priste kreu i qeverisë Rama. Ceremonia e mirëseardhjes iu përmbajt tërësisht protokollit të shtetit shqiptar, madje ndryshe nga Serbia, në Pallatin e Brigadave krahë flamurit shqiptar ishte vendosur edhe ai serb. Më pas u luajtën himnet kombëtare, fillimisht i Serbisë e më pas ai shqiptar. Si Vuçiç e Rama u përkulën përpara flamurit shqiptar.

Takimi i dy delegacioneve zgjati 40 minuta, ndërsa priten me interes fjalët e Ramës e Vuçiç në konferencën për shtyp.

Në kuadër të vizitës dy ditore të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç e gjithë policia e Tiranës dhe ajo e Shtetit është vënë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë. Masat e rrepta kanë nisur që në Rinas, ndërsa mësohet se janë mbyllur edhe bizneset në autostradë, nga parashikohet të kalojë eskorta që shoqëron kryeministrin dhe delegacionin serb. Disa prej masave të marrja janë të ngjajshme edhe me atë të vizitës së Papa, Franceskut në Tiranë.

Të angazhuar do të jenë në total rreth 1500 policë e gardistë si dhe shërbimet inteligjente, drejtoria e antiterrorit në policinë e Shtetit. Po ashtu bëhet me dije se kryeqyteti do monitorohet nga helikopterë të ushtrisë.

KONFERENCA
Pritet të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Nuk dihen deklaratat, por po ti referohemi vizitës së Ramës në Beograd, atje Vuçiç ia lejoi një “provokim”, siç e quajti ai deklaratën për Pavarësinë e Kosovës.

40 MINUTA TAKIM VUCIC-RAMA
Ora 12:30- Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Rama e homologut serb Vuçiç. Mësohet se në takim me Vuçiç kanë qenë të pranishëm zëvendës/kryeministrja serbe, Zorana Mihajloviç, ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zariç.

CEREMONIA TEK PALLATI I BRIGADAVE
Ora 11-44- Në Pallatin e brigadave ka nisur takimi i kryesuar nga kryeministrat. Të pranishëm në takim janë edhe dy delegacionet, ai shqiptar dhe ai serb.

Ora 11:35- Nis ceremonia zyrtare e pritjes së kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Pallatin e Brigadave. Në ceremoni është edhe flamuri serb, i vendosur në krah të atij shqiptar, ndryshe nga ceremonia në Beograd ku flamuri kuqezi mungonte. Luhet himni serb e më pas ai shqiptar, sipas protokollit. Si Vuçiç ashtu edhe Rama u përkulën përpara flamurit shqiptar.

Ora 11:25-Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka mbërritur në Pallatin e Brigadave në orën 11:25.

KRYEMINISTRI SERB MBERRIN NE RINAS
Ora 11:00- Avioni me të cilin udhëton kryeministri dhe delegacioni serb mbërriti në aeroportin e Rinasit.

TAKIMET
Ndërsa sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme nga ora 15:00 – 15:40, Kryeministri Vuçiç do të zhvillojë një takim me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta. Më tej nga ora 15:50 -16:30 do të ketë një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ndërsa nga ora 16:40-17:15 do të takohet me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Ndërsa ditën e enjte Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të marrë pjesë në ‘Vienna Economic Forum’ që mbahet në Tiranë.

MASAT E SIGURISE
Masat e sigurisë për vizitën e Vuçiç do jenë të larta, duke filluar që me me kufirin, ndalimin e mjeteve në aksiet ku do kalojë eskorta e Vuçiç e deri tek një helikopter i ushtrisë që do të monitorojë nga ajri.

Në terren do të angazhohen Strukturat Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtorisë së Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe të Forcës së Posaçme Operacionale”.

Në mbështetje të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe Durrës do të angazhohen strukturat e Forcave Lëvizëse Operacionale, konkretisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë 160 punonjës policie, si dhe nga Forcat Speciale Renea 80 punonjës policie. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të angazhohen gjithsej 850 punonjës policie, nga Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme, SPZ, Policia Rrugore, Hetimi i Krimit, si dhe nga Operacionet Speciale

“Gjithsej vëtëm në Tiranë do të angazhohen në terren 1090 punonjës policie. Ndërsa në territorin e Qarkut Durrës do të angazhohen 220 punonjës policie.

Strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet me Gardën e Republikës për të gjitha masat e sigurisë, me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimet e tjera Inteligjente për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, si dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, për monitorimin me helikopter të hapësirës ajrore të qytetit të Tiranës”.

Përveç këtyre masave, Qato theksoi se “nga Strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë masat për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë territorin e vendit”.

POLICIA BLLOKON QARKULLIMIN NË DISA AKSE RRUGORE
Policia e Tiranës ka marrë masa shtrënguese për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së kryetarit të qeverisë serbe.

Sipas Policisë së Tiranës parashikohet ndalimi i parkimit të mjeteve që prej mbrëmjes së të martës në afërsi të Ambasadës së Serbisë në Tiranës, duke filluar nga ora 21:59.

Gjithashtu, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve përgjatë aksit, nga rruga e “Rinasit”, në “Qafë Kashar”, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e “Durrësit”, sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali” (nga radiotelevizioni në drejtim të liceut), rruga e Elbasanit deri te Pallati i“Brigadave.

Duke filluar nga ora 10.40 e datës 27 maj, do të ketë kufizim deri në bllokim lëvizje në hyrje të autostradës. Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë: nga “Ura e Elbasanit” , bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”.

Policia e Tiranës i bënë thirrje të gjithë qytetarëve të lëvizin me motoçikleta ose biçikletë përgjatë periudhës kur dhe do jetë i kufizuar qarkullimi. Mësohet se gjithashtu gjatë dy ditëve të vizitës së Kryeministrit Vuçiç në Tiranë, edhe njësia anti-terror do të jetë në angazhim të plotë.

(ma.ar/el.sp/ed.me/BalkaWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: