Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, socialisti Spartak Braho, e cilëson skandaloz emërimin në krye të SHISH të Vlora Hysenit, ish-shefes së Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Kryeministri Rama ia propozoi emrin e zonjës Hyseni dje paradite Presidentit të Republikës. Ish-deputeti socialist i kërkon kreut të shtetit të mos e dekretojë zonjë Hyseni në krye të SHISH.

“Nuk e kuptoj se ku e çon logjika Kryeministrin tonë me këtë propozim, unë do ta quaja një aventurier të rrezikshëm dhe një sharlatan që nuk njeh dhe nuk respekton Kushtetutën e vendin”, tha për gazetën “Panorama” zoti Braho.

Ish-themeluesi i Partisë Socialiste shprehet se Shqipëria nuk vuan nga specialistë në fushën e sigurisë me integritet, si të studiuar jashtë shtetit në vendet partnere, ashtu dhe në Shqipëri që mund ta bëjnë në mënyrë të shkëlqyer këtë detyrë sa të shenjtë, aq dhe shumë të rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare dhe si anëtar me të drejta të plota në NATO.

“Shqipëria ka specialistë shumë të mirë që kanë studiuar në SHBA apo vendet e BE-së për çështjet e sigurisë, kanë marrë trajnimet e nevojshme për ta përmbushur atë detyrë. Por ai duhet të jetë shtetas shqiptar. Nuk e njoh fare zonjën në fjalë, por flas për parime kushtetuese, të cilat kushdo është i detyruar t’i zbatojë. Edhe nëse ligji nuk e përcakton nëse duhet të jetë nënshtetase shqiptare, por sigurisht që nuk është çuar kurrë në mendje se mund të propozohej një person pa nënshtetësi shqiptare. Presidenti i Republikës nuk duhet ta dekretojë këtë propozim”, u shpreh Braho.

Për ish-deputetin socialist, hyrja e personave jo nënshtetas shqiptarë, i kujton Damir Fazlliçin, i cili ishte familjarizuar me institucionet vendimmarrëse shqiptare.

“Me këto veprime Rama më kujton Saliun që kur ishte Kryeministër, merrte Damir Fazlliçin në takime me përfaqësues ndërkombëtarë, madje dhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që zhvilloheshin në presidencë. Ai fuste Fazlliçin të dëgjonte, nuk e di nëse jepte dhe mendime për çështjet e sigurisë tonë kombëtare, Rama po vendos në krye të SHISH një zonjë jo shtetas shqiptare. Këta janë të gjithë njëlloj, që nuk njohin shtetin, nuk u dhimbset shteti dhe shkelin Kushtetutën me të dyja këmbët”, u shpreh për gazetën “Panorama” Spartak Braho.

VAKANCA NË SHISH

SHISH ka mbetur pa drejtues prej muajit dhjetor kur drejtori i fundit i institucionit, Helidon Bendo, u lirua nga detyra nga Presidenti Begaj dhe Kryeministri Rama, duke kaluar kompetencat e drejtimit te zëvendësdrejtori Oljan Kanushi./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb