Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për CNN i ka dërguar një mesazh të qartë provokimeve nga ana e Turqisë.

Në intervistën e gjatë, ku u ndal edhe në çështjen e unitetit të BE në krizën e energjisë prej luftës në Ukrainë, Mitsotakis theksoi se Greqia do të mbrojë sovranitetin e saj territorial, por dëshiron të vazhdojë bisedimet me palën turke.

Kyriakos Mitsotakis, pas kreshendos së lëvizjeve ndezëse nga Ankaraja dhe demilitarizimit të ishujve, e quajti të papërgjegjshme, që Turqia dhe lideri i saj Rexhep Taip Erdogan kënaqen me iluzionet nacionaliste, në një kohë që duhet të fokusohen në nevojën për stabilitet në Mesdheun Lindor.

“Ne po përballemi me një krizë gjeopolitike pas pushtimit rus, gjëja e fundit që na duhet është një burim jostabiliteti në Evropën Juglindore. E drejta ndërkombëtare është vetëm një mjet. Greqia është sjellë gjithmonë me përgjegjësi. Ne kemi parë sfida serioze në muajt e fundit. Është më mirë që Erdogan të merret me ekonominë turke, sesa të ringjallë fantazitë neo-otomane”, tha kryeministri grek.

Mitsotakis nënvizoi se politika e jashtme nuk duhet të përdoret për të nxitur ndjenjën kombëtare.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur sovranitetin tonë”, shtoi ai.

Duke iu referuar çështjes së nxehtë të çmimeve të larta të energjisë që ka pllakosur të gjithë Evropën dhe në vijim të propozimit të Komisionit për kufizimin e përdorimit të gazit natyror me 15% nga 1 gushti, kryeministri grek u ndal në nevojën e de-përshkallëzimit të menjëhershëm të krizës.

“Ne kemi rënë dakord në parim për të ulur konsumin e gazit me 15%. Ne gjithashtu kemi rënë dakord që nuk është e detyrueshme. Por ne duhet t’u dërgojmë një mesazh më të qartë tregjeve se jemi të besueshëm. Prandaj propozoj një zgjidhje të ndërmjetme mes masave të detyrueshme dhe vullnetare, me një mekanizëm kompensimi për industritë. Ne do t’i paguajmë industritë që të mos përdorin gaz, në mënyrë më të organizuar. Shpresoj se do të kemi rezultate para shtatorit. Çmimet e gazit janë dhjetëfishuar dhe kjo nuk është e qëndrueshme. Ne mbështetemi te gazi për energjinë elektrike. Ne po marrim masat tona, po i kthehemi linjitit për vitet e ardhshme”, tha kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb