Përplasjet dhe gjuha e ashpër politike e përdorur ditën e djeshme në seancë plenare nga Sali Berisha dhe Edi Rama janë komentuar sot në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, nga analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja. Për analistin Zheji, gjuha e Ramës ishte e rëndë dhe e papranueshme, që provokoi Berishën.

“Pra, është një lojë djallëzore e Ramës, dhe që Berisha bie në atë kurth, pasi sedra e tij lëndohet, nuk ka këshillim strategjik, ndërkohë që Rama ishte i ftohtë. E gjitha kjo spotoi mendjen nga zhvillimet e ditës. Rama ishte provokativ, gjithë gjuha e tij ishte shumë e rëndë dhe e papranueshme”, tha Zheji.

Nga ana e tij, Lubonja u shpreh se e gjithë klasa politike përdor nacionalizmin e brendshëm për të zhvendosur mendjen nga zhvillimet në vend.

“Këtu bëhet gjithmonë lufta e brendshme politike. Ne kemi qenë gjithmonë me dy regjistra, dy shina, ku në njërën flasim për standarde evropiane, por nga ana tjetër kemi një retorikë nacionaliste brenda vendit”, u shpreh Lubonja.

Pjesë nga diskutimet:
Lubonja: Lufta politike në Shqipëri ka disa tema, që merren e rimerren si referenca nga klasa politike. Një nga temat është edhe kjo e korrupsionit. Një temë tjetër është ajo e patriotizmit, se kush e do më shumë apo më pak Kosovën, Shqipërinë, kush është agjent i Serbisë, etj. Rama iu përgjigj Berishës pas 2-3 muajsh për rezolutën e Srebrenicës.

Zheji: Mendoj që formalisht kjo ishte një rezolutë në mbështetje të Hashim Thacit, në lidhje me aktakuzë të pavërtetuar. Ajo që thotë Berisha mund të jetë e vërtetë, por ka dhe një akuzë që duhet provuar, që drejtësia apo Kësilli i Evropës dhe instrumentet që ato përdorën, qenka politike. Rama e mbërtheu dje në Kuvend, duke dalë sikur është njeriu që e do Kosovën më shumë, dhe për të Kosova është Hashim Thaci dhe UÇK. Në të vërtetë nuk ka pasur një klimë të mirë të Berishës dhe UÇK. Praktikisht, socialistët me Nanon dhe Fatos Klosin ka pasur lidhje shumë speciale me UÇK, sepse sipas tyre, kjo forcë do të njihej nga Perëndimi herët apo vonë, siç edhe ndodhi. Në përplasjen e djeshme mendoj se është një gjë me ngjyra nacionaliste, një lloj karremi dhe provokacioni i vazhdueshëm që Rama ia hedh Berishës si sfidë, duke ditur marrëdhënien e tij jo të mirë me UÇK, për të futur Berishën në një spirale përplasjeje. Por, në fakt kjo e faktorizon Berishën. Rama ka dëshirë ta faktorizojë Berishën, por aty ku do ai. Ai u detyrua të marrë dje në mbrojtje Thacin, për të cilin s’ka lënë gjë pa thënë. Pra, është një lojë djallëzore e Ramës, dhe që Berisha bie në atë kurth, pasi sedra e tij lëndohet, nuk ka këshillim strategjik, ndërkohë që Rama ishte i ftohtë. E gjitha kjo spotoi mendjen nga zhvillimet e ditës. Rama ishte provokativ, gjithë gjuha e tij ishte shumë e rëndë dhe e papranueshme. Këto skena të kujtojnë vendimin që u mor për djegien e mandateve. Strategjia e Ramës ka qenë provokacion dhe po e bën këtë, pasi nuk ka instrument tjetër në dorë.

Lubonja: Këtu bëhet gjithmonë lufta e brendshme politike. Ne kemi qenë gjithmonë me dy regjistra, dy shina, ku në njërën flasim për standarde evropiane, por nga ana tjetër kemi një retorikë nacionaliste brenda vendit. Unë mendoj se nëse kjo rezolutë do të shihej me seriozitet nga perëndimorët, është shumë problematike dhe i heq pikë Ramës. Më e tmerrshmja është se neve, për hir të këtij patriotizmi kaq të madh, mirë që nuk i konsiderojmë si njerëz ata që na kanë vrarë, por heshtim edhe ndaj shqiptarëve që u kanë vrarë këta njerëz. Ky është makabritet. Çdo individ që kryen krime, duhet dënuar. Ne e kemi politizuar këtë me frymë nacionaliste brenda vendit. Edhe Berisha është pjesë e kësaj loje, e kësaj kulture. Në këtë aspekt, Berisha nuk është ajo opozitë që do të doja të kishim. Rama e hodhi për treg të brendshëm rezolutën, ashtu siç bëri edhe Berisha me atë të Srebrenicës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb