“Presidenti i vendit duhet të përfaqësojë mjaltin, jo helmin”, tha sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke iu referuar me keqardhje ngjarjes së djeshme, gjatë një takimi me banorët e Lagjes 13. Ai shtoi se ajo që ndodhi dje ishte një moment i trishtë, që fare mirë mund të shmangej dhe jo të degradonte në dhunë fizike e përplasje.

“Dje ishte një situatë për të ardhur keq, një moment i trishtë, se ti thua unë jam qytetar i këtij vendi, mund të kemi bindje të ndryshme, por në momentin kur kërcet grushti dhe shkon i hidhesh në fyt tjetrit për diçka që s’bie dakord, të cilët mund të shkosh ta zgjidhësh në gjykatë, kjo është një anomale. Është disa herë më e rëndë kur ndodh nga Presidenti i Republikës, që duhet të përfsaqësojë më të mirën që ka vendi dhe jo më të keqen. Duhet të përfaqësojë mjaltin, jo helmin”, nënvizoi Veliaj.

Për më tepër, Veliaj sqaroi se sherri i Presidentit, ishte me dy policë në prag pensioni. “Trifoni, njëri prej policëve”, – tha kryebashkiaku, – “ka qenë polic gjithë jetën, i ka shërbyer shtetit dhe të gjitha Bashkive, ndaj është për të ardhur keq që në prag pensioni shkon për ta rrahur Presidenti i Republikës”.

“Godina është një institucion bashkiak, në katin e parë janë zyrat ku trajnohen burimet njerëzore, pra stafin e ri që vjen në bashki. Në katin e dytë ndodhet Agjencia Mbrojtjes së Konsumatorit, që bën kontrollin e tregjeve, ushqimit, pra është një agjenci që ka dobi për qytetin. Në katin e tretë ka ndodhur një zaptim. Sherri ndodhi në katin e pare, me dy policë në prag pensioni. Janë policë roje, që ruajnë objektin në prag pensioni. Në ditën e zgjedhjeve, Trifoni del në pension. Kur mendoj se në prag të pensionit vjen ta rrahë Presidenti i Republikës, ndërkohë që ai ruan një institucion, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Burimet Njerëzore të Bashkisë Tiranës, është një mënyrë shumë e shëmtuar për të përcjellë në pension një burrë zotëri”, sqaroi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb