TIRANË

Triazhim para futjes në spitalin COVID-19. Kjo është ajo që do të ndodhë nga dita e sotme në QSUT, ku personat e sëmurë do të kalojnë disa filtra para se të shtrohen në spital.

Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se pacientët që kishin simptoma të ndryshme sëmundjesh futeshin direkt në spital, në urgjencën qendrore, duke rrezikuar të infektohen njerëzit e shëndoshë apo duke rrezikuar dhe të infektoheshin vetë nëse nuk kishin COVID-19.

Por tashmë është vendosur një çadër përpara ku do të bëhet diagnostifikimi dhe nëse dikush rezulton me COVID-19 do të izolohet menjëherë duke u vendosur në pavijonin përkatës në Infektiv. Shumë persona vinin për të marrë shërbim dhe nuk e merrnin dhe rrezikonin madje të infektonin personelin e urgjencës.

Ministria kërkon që të bëjë një triazhim që personat e dyshuar të kalojnë disa filtra.

Ndërkaq sa i përket gjendjes së pacientëve me COVID-19 në Infektiv, Skëndaj raportoi se dy persona të tjerë janë me oksigjen. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë 4 viktima dhe 5 të shëruar nga koronavirusi.

Sot rastet e dyshuara që kanë mbërritur në Infektiv kanë qenë më të shtuara se ditët e tjera. Sa i përket familjes me 4 anëtarë nga Vlora që ka rezultuar pozitive, mësohet se gruaja është në gjendje më të rënduar.

Që prej 2 javësh nga zyrtarizimi i rasteve të para, MSH ka bërë apel që të qëndrohet në shtëpi si e vetmja mundësi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb