(Nderimi për babain e kombit, arkitektin e Pavarësisë, Ismail Qemalin për çdo shqiptar është mëse i natyrshëm. Ai është hero dhe legjendë e pavdekshme shqiptare, diplomat model, atdhetar ideal, burrë atdhetar, pishtar mendjendritur, që jetën ja kushtoi atdhetarizmit, politikan i njehsuar me flamurin, krijues i strukturave të para të shtetit, në diplomaci, politikë, ekonomi, ushtri, polici, xhandarmëri, arsim, etj., personalitet “i vlerësuar dje “me kursim” dhe sot me “përtim”! Ismail Qemali (16.10.1844–24.1.1844) është i pari burrë që pas shekujsh robëri, pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e LSHP ngjalli shpirtrat shqiptarë të sfilitur luftrave, shpalli pavarësinë më 28.11.1912 dhe ngriti qeverinë shqiptare më 4.12.1912. Ai u helmua nga armiq të Shqipërisë dhe meriton të shpallet me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”).
*
Ismail Qemal Bej Vlora: “Më hëngër me të pabesë”!
Ismail Qemal Bej Vlora i mbylli sytë me shprehjen: “Më hëngër me të pabesë!”. Një vdekje e mbuluar me mister për babain e kombit shqiptar!. Ai jetoi vetëm pak minuta pasi kishte pirë “filxhanin e kafesë”, që ishte veç një filxhan helmi përpara se të nxirrte shkumë nga goja. Një vrasje e pastër me helmim, që nuk bënte zhurmë si krisma e kobures! Por efektin e kishte të sigurtë. Pasi kishte shpallur Shqipërinë të pavarur nga dovleti dhe hykimeti osman, kishte drejtuar si Kryeministër 13 muaj e 18 ditë dhe me finesë diplomatike ja kishte dorëzuar detyrën KNK-së, për qeverisje europiane. Rikonfirmimi i pavarësisë së shtetit shqiptar në gjithë hapësirën ku flitej shqiptarçe Ismail Beu e shikonte si hapin e dytë të radhës duke shkuar në Konferencën e Paqes në Versajë. Ishte janari i 1919-ës dhe krijuesi i shtetit shqiptar kërkonte “shtigje” për të qenë të paktën pranë faktorit diplomatik botëror në këtë konferencë. Udhëheqësit italianë i kishin premtuar deri tek kryeministri Vittorio Orlando, dhe diplomati i rregjur në këto punë po gjuante rastin e volitshëm për të shuar në Versajë për çështjen e Shqipërisë, në kryeqendrën franceze ku luhej karta e madhe dhe ku vendosej fati i popujve të vegjël. Ismail Qemal Bej Vlora pak ditë para se ta helmonin shkruante: “…sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”. Ai ishte stacionuar në hotel “Brufani” në Peruxhia të Italisë dhe priste lajm për takim me politikanët diplomatë italianë, por që vdekja i erdhi nga një dorë misterioze që babain e kombit, një nga njerëzit më të mençur dhe diplomatin e sprovuar nuk e donin “nëpër këmbë”. Prandaj i erdhi edhe vdekja që ishte shokuese për dy djemtë që nuk iu ndanë deri momentin e fundit të jetës, por dhe për gjithë shqiptarët kudo që ishin. Njoftimin për vdekjen e tij e njoftoi me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me 18 fjalë: “Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel “Brufani” mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”. Tre djemtë e tij: Ethemi, Qazimi dhe Qamili, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8.2.1919, shoqëruan trupin e Ismail Qemalit me tren nga Peruxhia në Brindizi, nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12.2.1919, ditën e mërkurë, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në “Kujtime familjare”, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës”. Kortezhi kishte dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër, gazeta Kuvendi, shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër, karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq, nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh, hoxhallarët, tre djemtë e Ismail Qemalit, gjenerali Settimo Piacentini (komandant i trupave italiane në Shqipëri), kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake që i bënin “nderimet” që meritonte një diplomat i atij rangu, autoritetet civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Fakt është se pronari i hotel “Brufani” pagoi të gjitha shpenzimet e sjelljes së trupit të Ismail Qemalit nga Peruxha në Vlorë duke marrë pjesë edhe vetë në ceremoninë e këtij varrimi në Kaninë. Jani Minga dhe Qazim Kokoshi mbajtën dy fjalime mbresëlënëse. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit më 28.11.1932, ku pas rivarrimit të dytë Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar. Safet bej Vlora, në dosjen “Ismail Qemali” në AQSH dokumentohet edhe varrimi i babait të kombit: “Nëse e matim madhështinë e një personazhi politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Gjatë ceremonisë së varrimit të tij, asnjë fshatar dhe asnjë qytetar nuk mbeti në shtëpi. Të gjitha faqet e maleve dhe të brigjeve gjatë rrugës së kortezhit funeral ishin plot me njerëz. Qe një apotezë madhështore e mbarë popullit, pa përjashtim, ndaj një tribuni që i shërbeu vendit të tij deri në frymën e fundit!”. Profesor Bardhosh Gaçe, historian dhe biograf i Ismail Qemalit, i cili ka bërë kërkime të detajuara në Itali, në Romë dhe në Peruxhia është plotësisht i bindur që Ismail Qemalin e helmuan. Por le të flasim me gjuhën e fakteve dhe përmes argumentave.
*
17 Argumente mbi vrasjen (helmimin) e Ismail Qemalit:
Argumenti I: Dëshmia e Ethem Vlorës, djalit të Ismail Qemalit, që nuk u nda kurrë nga i ati, kur ja tregonte kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit (20.12.1918-5.11.1920 dhe 1934-1939) është mjaft decizive: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespondentët e shtypit. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët”. (Karakteristikë kjo e dukshme e helmimit)
Argumenti II: Dëshmia e pronarit të hotelit që sjell Profesor Gaçe është unikale: “Pronari i hotelit pak momente përpara se të jepte shpirt i është drejtuar të bijës: “Po vdes me një peng, kryeministrin e Shqipërisë ma helmuan këtu në hotelin tim”.
Argumenti III: Dëshmia e shkrimtarit, historianit dhe filozofit Koli Xoxe (1923-2013), që në librin “Ismail Qemali, jeta dhe vepra”, që i referohet shërbëtores së Ismail Qemalit, znj. Fatushe Shedula, konfirmohet helmimi i Ismail Qemalit: “Plakun patriot e helmuam në kafene. Pasi kishte pirë kafe i kishin filluar dhimbjet e mëdha në stomak. Plaku kishte thirrur me gojën e tij më helmuan, e më pas vdiq”.
Argumenti IV: Referuar historianit Koli Xoxe, mbi bazën e të dhënave të Shedulës: “Në dy filxhanët e kafesë që kishin pirë Ismail Beu dhe i biri Ethemi në barin e hotelit “Brufani”, pak minuta para konferences bënë që Ismail Qemali të ndërronte jetë ndërsa i biri, Ethemi, e kaloi helmimin me shumë peripeci në spital me lavazhe të stomokut, me moshën e re dhe organizmin e fuqishëm prej ushtaraku të mirëstërvitur”.
Argumenti V: Të dhënat flasin për Fatushe Shedula, si një grua besnike që kishte shkruar në ditarin e saj faktin se “Ismail Qemali ishte helmuar”, që ishte deklarim i një prej enigmave më të mëdha të shekullit.
Argumenti VI: Faktet shtohen kur edhe vetë Fatushe Shedula u helmua në vitet ’30, kur erdhi me banim në Tiranë, një zhdukhe fizike e saj bashkë me ditarin e saj. Kjo vërteton se një dorë e kujdeshme vrastare ka ndjekur nga pas edhe vetë dëshmimtarët e kësaj ngjarjeje, edhe pse shkenca sot mundet ta zbulojë misterine kësaj zhdukjeje që e ka kaluar tashmë shekullin.
Argumenti VII: “Ekipi mjekësor” italian shkoi me vonesë nuk i ofroi ndihmën e duhur. Mjekët bënë vetëm një “punë”, që u’a kërkonte jo misioni i mjekut, por procedura e kqyrjes së kufomës dhe ka shkruar një deklaratë me mjaft gabime. Në të shkruhet: “…Ismail Qemali ka vdekur më 26 janar 1919”, kur në fakt Ismail Qemalit i pushoi zemra më 24 janar 1919.

Argumenti VIII: Formalitetet e kqyrjes së kufomës i kanë bërë tre ditë pas vdekjes (një dorë i kishte përgatitur të gjitha rrethanat), pra më 27 janar, një fakt i pakundërshtueshëm manipulues. Dhe se fundi është shkruar që “varrosja duhet të bëhet pas 27 janarit 1919”! Përse vallë, ndërkohë që mjeku që ka kqyrur kufomën nuk ka vendosur as emrin e vet, për të humbur gjurmët. Ndërkohë, Formulari original, që vjen nga Komuna e Peruggia: “Unë i nënshkruari sanitar deklaroj që kam vizituar trupin e Ismail Qemal Vlorës, i biri i Mahmudit dhe Hedijes, 75 vjeç, lindur në Vlorë, banues në hotel “Brufani”, që vdiq më 26 janar 1919(?), ora 23.50, nga hemorragjia cerebrale. Deklaroj se kjo kufomë mund të traspotohet brenda disa orësh dhe varrosur pas datës 27 janar 1919. Sanitari, firma”. (Ky deklarim është bazuar në dokumentin e mjekut ligjor të spitalit të Peruggia, Arkivi i Spitalit Shtetëror të Peruggia, 27.01.1919).
Argumenti IX: Zyra e gjendjes civile Peruggia, që i referohet raporti të Mjekësisë Ligjore thotë: Komuna e Peruggia-s/ Zyra e gjendjes civile/ Raporti nekroskopik: “Deklarata e sanitarit për hemorragjinë cerebrale si shkak i vdekjes së Ismail Qemalit është e paqartë. Zyrtari i gjendjes civile/Gabellini Era”. (Komuna e Peruggia, Zyra e gjendjes civile 27.1.1919, nr.52, pj, parë).

Argumenti X: Fakt është se pas formaliteteve të vdekjes në Itali u bë balsamosja e kufomës, që zgjati dy javë (një mister më vete) deri në sjelljen e trupit në Vlorë dhe varrosjes në Kaninë, ku qëndroi në varrezat e Vlorajve deri më 28.11.1932, kur u rivarros për herë të dytë në Vlorë, ku gjendet edhe sot. Edhe 13 vjet pas varrosjes u krye kqyrja e kufomës gjatë zhvarrimit ku në raportin e kohës shkruhet: “Në trupin e kufomës së Ismail Qemal Vlorës nuk kishte asnjë shenjë balsami dhe kufoma është gjysmë e dekompozuar”, që vërtetojnë se dekompozimi i balsamosjes të një kufome 13 vjeçare ishte një vrasje e dytë, një vrasje që nuk mundën ta bënin me plumb por e realizuan me helmimin e një personaliteti që nuk ka epokë që mund ta fshijë nga faqja e historisë së shqiptarëve.
Argumenti XI: Nermin Vlora Falaski ka qenë vajza e vajzës së Ismail Vlorës dhe Kleoniqit. Profesor Gaçe duke ju referuar Nermin Vlorës (Falaski), mbesë e Ismail Qemalit shkruan:“Ismail Qemali është vrarë, domethënë helmuar nga njerëz që nuk donin që ai të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, sepse donin që këtë konferencë ta zotëronte Esad Pashë Toptani. Autorët janë njerëz të afërm të Esad Pashë Toptanit. Janë nipërit e tij, që janë autorë të kësaj vrasjeje. Unë me Nermin Vlorën, mbesën e Ismail Qemalit, kemi investiguar për këtë vdekje. Kemi kontaktuar edhe me policinë e Peruxhas dhe të gjitha gjurmët na çonin në një hotel përballë hotelit “Brufani” ku qëndronte Ismail Qemali, i cili ishte 35 metra larg tij”. (Vajza e madhe e Ismail Qemalit, Myvedet Vlora ka pasur dy vajza: Belkis dhe e dyta Sara Blloshmi. Belkiz është nëna e Nermin Vlora-Falaskit, që ka vdekur në Bogota të Kolumbisë, ku i shoqi i Nerminit, Renzo Falaschi ishte Ambasador i Italisë. Aktualisht janë shuar Nermini dhe Renzo dhe prehen në Kaninë).

Argumenti XII: Të dhënat familjare që janë dokumentuar në Akademinë “Iliria” në Romë provojnë për një fakt tjetër domethënës është se: “Katër shqiptarë kanë udhëtuar me tren drejt Periuxhias më 24.1.1919 dhe kanë bujtur në hotelin përballë hotelit “Burfanit”, kanë paguar kafexhiun e hotel “Brufanit”, i cili ka hedhur helmin në kafe”. Është fakt se katër shqiptarë kanë qëndruar për pesë orë në një hotel përballë hotel “Brufanit” në Peruxha ditën e vdekjes së Ismail Qemalit. Historiani Bardhosh Gaçe, por edhe familjarët e Ismail Qemalit që kanë mbështetur në kërkime Profesor Gacen janë të bindur se Ismail Qemalin e kanë helmuar. Por edhe një fakt tjetër që Ismail Qemali ishte një figurë e gjallë e diplomacisë shqiptare vërtëtohet sepse në vitin 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të SHBA-së, e kishte caktuar delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris. Dokumentacioni thotë se, pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë kërkesave legjitime të shqiptarëve shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit!”.

Argumenti XIII:
Nga analiza e zhvillimeve shqiptare edhe pse është anakronike, armiq të rrezikshëm të Ismail Qemalit ishin dhe shpura e kushëririt të tij Syrja bej Vlora, kushëri i dytë i babait të Eqrem Vlorës, rivalë në pushtet dhe pasuri. Syrja Vlora ishte investuar edhe ai për pavarësinë e Shqipërisë por në fakt dëshmoi në “medaljen e meritës së Pavarsisë” dhe e realizoi Ismail Vlora dhe kjo ishte një arsye e madhe për të qenë kundërshtarë deri në armiqësi në marrëdhënie të çuditshme, që duket edhe në kujtimet e Eqrem bej Vlorës, që kushdo e kupton formatin “trimëror” në “mbrojtje” të Himarës dhe mungesën në momentin historik të shpalljes së Pavarsisë, por që argumenti nuk mund të shkojë deri tek pasja gisht në eleminim. E njejta gjë mund të thuhet edhe për kundërshtarin tjetër të Ismail Qemalit që ishte Faik Konica, që me shkrime ja dëshironte “vdekjen e tij”, por sërish nuk vërtetohet nga analiza dora e tij.

Argumenti XIV:
Në vijim të analizës dhe tezave argumentuese për helmim të Ismail Qemalit, diplomati italian Renzo Fallaschi, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t, përjashton çdo “mundësi helmimi nga organet e sigurimit Italian”. Në jetëshkrimin që ai ka hartuar për Ismail Qemalin, si shtojcë në vëllimin e kujtimeve që ka diktuar vetë Plaku i Vlorës, ai pranon se, “shkaku i vdekjes së Ismail Qemalit ishte një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një vrull i furishëm zemërimi, i krijuar tek ai nga njohja e papritur e një lajmi, që ai kishte qenë viktimë e një mashtrimi të rëndë”,.. “…mbetet mister shkaku i emocionit që e shpërtheu zemërimin e tij e që sigurisht lidhet me thirrjen përbuzëse për “njerëzit e pabesë”. Rrethanat e përjashtojnë që Ismail Qemali t‘i drejtohej për pabesi Orlandos. Sipas tij, mosardhja e përgjigjes nga Orlandoja nuk mund të ishte arsyeja e zemërimit të Plakut të Vlorës, mbasi dihej se Kryeministri italian do të shkonte në Paris, pra nuk kishte kohë të takohej me të. Ai shton se edhe ministri i Jashtëm italian, Sonnino, nuk kishte mundësi t‘i përgjigjej, pasi edhe ai u nis për në Paris për përgatitjen e Konferencës së Paqes. Prandaj shkaku i zemërimit të thellë duhej kërkuar gjetkë, ndoshta në “një pabesi të re nga kundërshtarë të vjetër”. Renzo Fallaschi shkruan: “Ismail Qemali mund të ketë zbuluar një pabesi të re nga kundërshtarët e tij të vjetër, gjë që zemra e tij fisnike të mos e ketë përballuar dot”.
Argumenti XV: Një “dozë” helmi Ismail Qemali e kishte edhe nga politika italiane e kohës: “Ndalesa me urdhër qeveritar në Peruggia”, “refuzimi i takimit të tij me ministrin e Jashtëm Italian Sonino”, “shpërfillja që i bëri Kryeministri i Italisë Orlando, i cili nuk iu përgjigj kërkesës së Ismail Qemalit”, “udhëtimi i tyre për në Paris pa e njoftuar diplomatin shqiptar” dhe sedra e Ismail Qemalit “për besëprerët” si dhe vdekja e papritur, pa u ankuar për shqetësime shëndetësore. Doza e helmit nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit, ku e prisnin mbi njëqind gazetarë e fotoreporterë, e sprapsi Ismail Qemalin nga misioni i tij për Shqipërinë”, sikurse shkruante Skënder Luarasi. Në mënyrë të çuditshme në kancelaritë diplomatike, pati një sensibilizim të veçantë, për jehonën e madhe që pati vdekja e Ismail Qemalit dhe pala italiane me justifikimin që ai kishte vdekur në vendin e tyre, “e nderoi”, e “balcamosi” dhe e mbajti plot dy javë trupin e pa jetë të Ismail Qemalit në Peruxha, ku ai ishte shuar në mënyrë tragjike.

Argumenti XVI: Helmimi me kafe ose ndonjë mister tjetër i humbjes së jetës së Atit të kombit mund të lidhet edhe me gjendjen emocionale të dërmuar të Ismail Qemalit, pasi sipas profesor Gaçes ndikohej fort edhe nga vdekja e gruas së Ismail Qemalit dhe sëmundja që përjetonte djali i tij i madh Mahmud Bej Vlora, i cili kishte ngelur në Stamboll dhe po përjetonte përvec sëmundjes së rëndë edhe torturat që i bënte sulltanati që përjetonte ditët e fundit të Osmanizmit.
Argumenti XVII: Ismail Qemalit armiqtë e tij “ja kishin bërë benë” dhe në jetën e tij ka pasur disa herë tentativa për ta eliminuar. Por ai në misionin e tij për Shqipërinë, për pavarsinë dhe më tej për rikonfirmimin e saj luftoi deri në frymën e fundit si burrë. Njësoj si ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln, që përpara se ta vrisnin kishte thënë: “Nëse vritem, vdes një herë; por të jetosh nën tmerrin e vazhdueshëm të saj, është të vdesësh pa pushim”. Rasti i parë që u tentua për ta vrarë Ismail Qemali më 7.9.1901 kur sulltani kishte kërkuar kokën e tij si mik i Mithat Pashës, por u ndihmua nga ambasadori anglez në Stamboll, N.O.Konor, i cili e nxorri Ismail Qemalin familjarisht nga Stambolli. Herën e dytë Gani Toptani (truprojë dhe agjent i Sulltanit), që ishte i vëllai i Esad Toptanit, i përlyer në vrasje me porosi direkte, por miqtë e Ismail bej Vlorës e njoftuan në kohë për “misionin e Gani Toptanit për ta vrarë” dhe në fakt në vend që ta vriste e vranë vrasësin. Ismail Qemali është një nga 30 politikanët shqiptarë me emër që janë vrarë. Dhe ndërmjet tyre përmendim: Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avdyl Ypi, Esad Toptani, Avni Rustemi, Jusuf Dibra (ish Ministër i Luftës), Qazim Koculi, Idhomen Kosturi, Kostaq Kotte, Xhelal Koprëncka, Preng Bibë Doda, Mark Gjon Markaj, Lefter Kosova, Nako Spiru, Mehmet Shehu, e deri tek Azem Hajdari dhe Fatmir Xhindi etj. Nuk është e rastit thënia profetike e At Zef Pllumi-t: “Nëse je politikan në Shqipëri, një këmbë e ke në varr dhe një këmbë e ke në burg”.
*
Penat që dokumentuan vrasjen e Ismail Qemalit:“Pa u vra tradhtia s’bashkohet Shqipnia”
Janë të shumta shkrimet dhe hipotezat që pak a shumë zbulojnë edhe misterin që nuk u zbulua kurrë. Historianë e gazetarë si Koli Xoxe, Safet bej Vlorës, Renzo Falaski, Skënder Luarasi, Bardhosh Gaçe, Sherif Delvina, Roland Qafoku, Marin Mema, Alket Aliu, etj., janë përbashkuar në mendim se: “Ismail Qemal Bej Vlora pothuaj ka parashikuar vdekjen jo natyrale, por si një dëshmor i kombit të vet. Miku i tij i afërt, bashkëluftëtar e bashkëudhëtar Luigj Gurakuqi (edhe ky dëshmor) ka folur hapur për vdekjen e Ismail Qemalit, dhe gjashtë vjet më pas edhe vetë ka gjetur vdekjen nga plumbat e një shqiptar. Edhe Bajram Curri është vrarë disa ditë pas Luigj Gurakuqit. Hasan Prishtina mbajti fjalimin në varrimin e Luigj Gurakuqit dhe tetë vjet pas Luigjit është vrarë në Selanik. Preng Bibë Doda ka lënë “trashëgimi” një shprehje përtej enigmës, që ja ka thënë Vidit në vitin 1914: “…Shqipëria do të gjente qetësi kur të vdisnin Ismail Qemali, Esat Toptani dhe ai vetë”. Mos vallë vdekja ishte profeci e kohës? Por në fjalimin e famshëm që Ismail Qemali tha pas ngritjes së flamurit nën një vesë shiu, që “edhe koha lotonte”, në fund të fjalimit kur lindi shteti i ri shqiptar, themeluesi i tij nuk harroi të thoshte: “..I dërgoj një lutje të madhit Zot, që të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i Atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë!”. Ta kishte parashikuar vallë themeluesi i shtetit se, pushteti të numëron ditët dhe të shkurton jetën, për atë veprim që nuk kish mundur kush që ta bënte as me pushkë, as me jataganë, as me ushtri, as me armatime e municione e jo më sikurse veproi mençuria diplomatike shqiptare e shekujve Ismail Qemali, që zbriti në tokën Amë pa kobure në brez në kohë pushtimi, por me idealin e madh të Atdheut dhe me bashkëluftëtarë e bashkështetarë të vendosur se “kishte ardhur ora e shqiptarisë”. Fakt është se në janar 1919 Ismail Qemalin e ftuan vetë italianët për ta dërguar në konferencën e Paqes në Paris, e izoluan dhe misteri ngeli në hotel “Brufani” në Peruxhia. Ftesa ishte nga disa personalitete italiane, mes të cilëve edhe nga kryeministri Vittorio Orlando. Por fundi tragjik janë fjalët e fundit kur jepte shpirt Ismail Qemali: “Më hëngrët me të pabesë”. Po pronari i hotelit, po kamarieri që i hodhi helmin në filxhanin e kafesë që ishte kamerieri italian, po e bija e pronarit që mësoi nga i ati i hotelit “Brufani” kur ky i fundit i ka thënë të bijës: “Iki nga kjo botë me pengun që ma helmuan në hotelin tim kryeministrin e Shqipërisë”, po karabineria italiane që ishte vetëm 35 metra larg hotel Brufan çfarë ka shkruar në raportin e ngjarjes, po autoritetet mjekësore?, po arkivat italiane çfarë fshihin të pazbuluar ende?. Autoritetet duhet të zbardhën të vërtetat e mistershme të helmimit të kryeministrit të parë dhe babat të pavarësinë. Versioni për vrasjen për të gjithë studiuesit, historianët e gazetarët që janë marrë me këtë figurë të madhe të kombit janë përbashkuar në mendim se: “Vrasësit shqiptarë kanë blerë kafexhiun e hotel “Brufani”, që përgatiti kafen për Ismail Qemal Bej Vlorën dhe djalin e tij Ethem beu, babë e bir që ishin vendosur në dhomën 212 të hotelit. Edhe sot në Hotel “Brufani” ka shumë dëshmi, objekte apo fotografi që tregojnë qëndrimin e personaliteteve të ndryshme që nga Mbretëresha e Anglisë, aktorë Hollivudi, por nga qëndrimi dhe vdekja e Ismail Qemalit nuk ka ngelur asnjë shenjë. Edhe një fotografi që ai kishte bërë me pronarin e hotelit, ishte hequr 10 vite më parë. Tentativat për të mësuar më tej nuk kanë munguar dhe veçanërisht në 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, Fate Velaj në një takim të zhvilluar me Andrea Romizi, kryetar i bashkisë në Perugia, kërkoi që të shikohet mundësia e vendosjes së një busti të atit të kombit shqiptar, në vendin që ai ndërroi jetë pranë hotel Brufani. Stefano Chiesa, drejtori aktual i Hotel Brufani, në hollin e të cilit, Ismail Qemali u helmua në një hapësirë të hotelit, do vendosë një pllakë në kujtim të Ismail Qemalit. E bija e pronarit ka treguar se i ati vdiq me një peng në zemër, sipas të cilës, “…ishte helmimi jo vdekja natyrale e Ismail Qemalit”, ka shkruar Profesor Gaçe. Pra “hemoragji cerebrale” ishte një mashtrim i madh, që është mbuluar me mister 101 vjeçar. E vërteta është në sheshin e flamurit në Vlorë dhe në fjalët e arta: “Pa u vra tradhëtija nuk bashkohet Shqiprija”.
*
A e meriton titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” Babai i Pavarsisë shqiptare?
Ekzaminim në laboratorin e FBI të eshtrave të I. Qemalit, siç u veprua me N. Bonapartin!
Edhe bota akademike gjykon se ka ardhur koha që Ati i pavarsisë të shpallet me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Dëshmor të Atdheut janë shpallur edhe bashkëpuntorët më të ngushtë të Ismail Qemalit si: Hasan Ahmet Prishtina (1873-1933) i vrarë 60 vjeç, -(shpallur dëshmor me Vendim nr.95 dt.14.11.1972, Kukës); Isa Adem Boletini (1864-23.1.1916) vrarë 52 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.153 dt.18.1.1983, Kukës); Luigj Gurakuqi (1879-2.3.1925) vrarë 46 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.129 dt.3.11.1969, Shkodër); Bajram Curri (1862-29.3.1925) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.2 dt.18.1.1983, Kukës); Elez Isufi (1861-26.12.1924) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.72 dt.23.5.1978, Dibër); Sali Vranishti (20.3.1880-24.1.1926) vdekur nga plagët e luftës së Vlorës 46 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Vlorë); Dedë Gjon Luli (1840-24.9.1915) vrarë 75 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr. 129 datë 3.11.1969, Shkodër); Çerçiz Topulli (1880–15.7.1915) vrarë nga malazezët 35 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.3608 datë 26.11.1962); dhe më tej edhe Andon Zako Çajupi (1866-11.7.1930), që është shuar në shtrat 64 vjeç, por që është gjykuar që të jetë dëshmor i kulturës kombëtare shqiptare me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Gjirokastër). Pra është koha të mendohet, gjykohet dhe të arsyetohet edhe për Ismail Qemalin që rrugën e tij për në Konferencën e Versajës, për të bërë rikonfirmimin ndërkombëtar të Pavarsisë ja preu dora e pabesë e helmit. Mirëpo përse nuk është dëshmor i Atdheut Ismail Qemal Bej Vlora? Sipas Roland Qafokut, në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”: “Në Shqipëri ka një historik vrasjesh të personaliteteve sikurse janë, Hasan Riza Pasha vritet nga Esat Toptani nëpërmjet rojes së tij Osman Bali. Ministrin e Financave, Nexhati Libohovën, e vrau Osman Bali me urdhër të Esad Toptanit. Esad Pashë Toptanin e vrau Avni Rustemi. Avni Rustemin e vrau Isuf Keçi, një njeri i Esad Toptanit. Osman Balin e vrau Myslim Peza. Shumica e ekzekutimeve janë bërë për hakmarrje për një vrasje të kryer më parë. Zinxhirin e vrasjeve në shumë hallka e kryeson Esad Toptani, që siç thoshte nipi i tij, Eqrem bej Vlora, “Esat Pasha ecte mbi kufoma” e një ditë edhe vetë u shndërrua në kufomë”. Ndërkohë që për Atin e kombit shprehet se: Ismail Qemalin e helmuan njerëz të paguar të Esad Pashë Toptanit”. Pra jetën në mes nuk ja preu plumbi e shpata, por helmi i dorës tradhëtare shqiptare në Italinë fqinje. Por a mund të zbulohet kjo enigmë? –Sigurisht që po. Vetëm me një shembull të thjeshtë dhe të mundshëm. Para pak vitesh u krye ekzaminimi në laboratorët e FBI-së, në SHBA, të eshtrave të Napoleon Bonapartit (15.8.1769–5.5.1821). Rezultati ishte ekzakt, “vdekja e Bonopartit u shkaktua nga helmimi me arsenic, dhe nuk ka qenë fare e vërtetë konkluzini mashtrues i mjekëve “vdekje nga problemet me stomakun”, siç u shkrua zyrtarisht në dokumentet e kohës. Një ekzaminim i njëllojtë do të nxirrte në dritë të vërtetën. Edhe pse misteri i vdekjes së tij, është “varrosur” me dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke, italiane e shqiptare enigma është më se e sigurtë, se është një vrasje me helmim dhe Ismail Qemali meriton të shpallet dëshmor.
*
Për Ligjin e ri shqiptar “Për Dëshmorët”, Ismail Qemali duhet të shpallet “Dëshmor”
Ligjet “Për Dëshmorët” në një shekull kanë ndryshuar disa herë në raport me politikat e shtetit. Kështu ligji i parë që përmend fjalën “dëshmor” i takon vitit 1923, por askush nuk u kujtua 4 vjet pas vdekjes së Ismail Qemalit, edhe pse shteti shqiptar në këtë periudhë nuk krijoi asnjë status ligjor për dëshmorët e Atdheut, por vetëm ligjëroi pension për familjen e dëshmorit, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve dhe dorëhekjeve. Pas çlirimit të Atdheut nga nazi-fashizmi, më 28.8.1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe t’atdhetarëve ose familjeve të tyne, që i kanë sjellë shërbime të çmueshme Atdheut gjatë Rilindjes Kombëtare”, i miratuar nga Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar”, por edhe ky “ligj” nuk e preku babain e kombit Ismail Qemalin dhe as u vlerësua mënra se si e humbi jetën Ismail Qemali. Në vitin 1969, statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin”Dëshmor i Atdheut”, dhe duke i dhënë kuptimin e duhur në mbështetje ligjore. Në këtë ligj futen edhe 38 Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në 36 rrethet e vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës, që megjithë këto të dyja Shqipëria ka 38 varreza dëshmorësh. Ka qenë përpjekja e parë për hartimin e një ligji integral për dëshmorët e Atdheut, u ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku është “Meka” shqiptare ku përkulen shqiptarët para dëshmorëve në mënyrë të përvitshme në datën symbol të 5 majit. Pra Dekreti nr. 4558 datë 18.10.1969, “Mbi Dëshmorët e Atdheut” i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH, nuk kishte asnjë fjalë për babain e kombit dhe asnjë. Edhe Dekretit Nr.7199 dt.29.01.1988, për shpalljen Dëshmor i Atdheut, i Presidiumit të Kuvendit Popullor si dhe VKM-të nuk e trajtuan fare figurën e helmuar të Ismail Qemalit. As Ligji 7874 i datës 17.11.1994, as Ligji nr.8607 dt.27.04.2000 “Mbi statusin e Dëshmorit të Atdheut”, as VKM Nr.151, datë 25.4.2002 “Për Statusin Dëshmor i Atdheut” nuk e përfillën themeluesin e shtetit të vdekur në rrethana misterioze. Vetëm Ligji 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, hap dritën jeshile të plotë dhe të mirëpërcaktuar në kritere për shqiptarët e rënë ose që kanë humbur jetën (edhe të helmuar), në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar, sikurse ishte rasti i humbjes së jetës të Ismail Qemal Vlorës në Itali. Kështu Ligji 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” pika “b)” shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939; si dhe pika “c)” “shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar para datës 7 prill 1939”, çka përputhet plotësisht me kërkesat ligjore dhe aktet e tjera administrative në Shqipëri.
Që prej daljes së ligjit të 2018-tës shtetasit shqiptar Ismail Qemal Bej Vlora si i pari që bëri shtetin shqiptar, që luftoi për pavarësinë dhe integritetin territorial në të gjitha kancelaritë europiane për pavarësinë e Shqipërisë, që kundërshtoi gjithë të huajit për të njohur shtetin e ri shqiptar, që u nis për në Versajë (Paris) për rikonfirmimin e pavarsisë, si një prej korifenjve të shqiptarizmës që luftoi fort për vlerat kombëtare e patriotike të kombit shqiptar dhe që i përket periudhës “28.12.1912 deri më 7.4.1939 (aspekti juridik), por u vra jo nga plumbi por nga helmi, (që ka qenë në “modë” për kohën), gjykojmë se është plotësisht në të drejtën e autoriteteve për ta shpallur Atin e Pavarësisë me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Propozuesi për këtë titull madhor për babain e Pavarësisë shqiptare do të ishte nder për çdo shtetar zyrtare të kombit shqiptar. Ndërkohë që në fund të jetës së tij Ismail Qemali bijëve të tij u kishte lënë vetëm një amanet: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri që t’ju lë trashëgimi. Po ju le një atdhe amanet”. Do të ishte në nderin e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të shtetit, që të ushtrohej plotësisht kompetenca e Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: