Nga: PETRIT HALITI *
Në kulmin e krizës politike në Maqedoni, kur ka marrë përmasat e një shqetësimi rajonal përplasja midis kryeministrit Nikolla Gruevski, që ka pësuar një diskreditim të imazhit të tij brenda dhe jashtë vendit, dhe opozitës socialdemokrate maqedonase, që e ka vënë atë në trekëndësh me serialin e “bombave” mbi përgjimet e paligjshme qeveritare ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë maqedonase, Rusia nxitoi të merrte një hap mbështetës për kryeministrin maqedonas. Në datën 14 mars, kryeministri Gruevski, bashkë me ambasadorin rus, udhëhoqi ceremoninë e fillimit të punimeve të gazsjellësit Kleçovce-Negotino nga kompania ruse “Strojtransgaz”, me financim pothuajse të plotë nga qeveria ruse. Gazsjellësi i ri, që do të jetë i gjatë 61 kilometra dhe do të kushtojë 76 milionë dollarë, planifikohet të mbarojë në qershorin e vitit të ardhshëm dhe do të jetë pjesë e projektit të gazifikimit të vendit. Vendimi i Rusisë për të ndërtuar tani këtë gazsjellës në Maqedoni është një vendim politik. Portali shtetëror rus “Sputniknews.com” shkruante në 13 mars se “Rusia dukshëm e ndjeu se kombinimi i veprimit qeveritar në Maqedoni, me besnikërinë e shqiptarëve dhe mbështetjen popullore, kanë stabilizuar përfundimisht situatën, përndryshe Rusia nuk do të avanconte në ndërtimin e gazsjellësit, po të rrezikohej nga një përpjekje për revolucion me ngjyrë”.
Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ka kaq nevojë për grim propagandistik të konsumit të brendshëm, menjëherë e paraqiti ndërtimin e gazsjellësit nga Rusia si një sukses dhe kontribut të madh të tij për përmirësimin e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve, të cilëve u premtoi fatura të ulëta të gazit. Në të njëjtën kohë, kryeministri dhe i gjithë aparati i tij mediatik nisën të fryjnë rolin e ri të madh të Maqedonisë në rrjetet energjetike rajonale dhe ndërkombëtare. Skema kryeministrore e megallomanisë antike të Shkupit nisi të veprojë tani për megallomaninë energjetike. Duke iu referuar një ideje të presidentit rus se gazsjellësi “Turkish Stream”, që do të zëvendësojë gazsjellësin e anuluar “South Stream”, mund të kalojë nga Greqia nëpër Maqedoni, Serbi, Hungari e deri në Austri, zyrtarët e Shkupit po e marrin si të mirëqenë dhe po shpallin se Maqedonia po bëhet “Bullgaria e re” për gazsjellësit dhe ndërtimi, që filloi në 14 mars, pasi të mbarojë, do të lidhet edhe me gazsjellësin, që pritet të vijë nga Greqia, sepse i mbeten vetëm 60 kilometra për t’u lidhur me kufirin grek.
Vendimi i Rusisë për të ndërtuar gazsjellësin e ri Kleçovce-Negotino po shfrytëzohet në Shkup si një rast i artë për të pompuar figurën e kryeministrit si figurë kombëtare dhe rajonale. Rusia e mori këtë vendim si shpërblim për kryeministrin Gruevski, i cili doli hapur kundër sanksioneve që BE ka vendosur ndaj Rusisë. Diplomacia ruse i ka vlerësuar publikisht edhe Shkupin, edhe Beogradin, të cilët nuk u bashkuan me shtetet e tjera ballkanike në sanksionet europiane kundër Rusisë. Jo rastësisht Rusia vendosi të nisë ndërtimin e këtij gazsjellësi tani, si një projekt rus për të ndihmuar qeverinë e kryeministrit Gruevski. Mbështetja energjetike e Rusisë erdhi pas një afishimi të hapur politik të Moskës në mbrojtje të regjimit të kryeministrit Gruevski, duke marrë anën e tij në krizën e tanishme të brendshme politike në Maqedoni. Në datën 31 janar 2015, Ministria e Jashtme e Rusisë publikoi një komunikatë të posaçme për krizën në Maqedoni, ku në mënyrë aspak diplomatike merrte për të mirëqenë varantin e kryeministrit Gruevski për “grusht shteti” të opozitës në Maqedoni. Dihet se qeveria e Shkupit i ka cilësuar përpjekje për grusht shteti publikimet e përgjimeve qeveritare ndaj mbi 20 mijë politikanëve, gazetarëve, intelektualëve dhe qytetarëve, të cilat u bënë publike nga kryetari i opozitës socialdemokrate.
Qëndrimi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë ishte një ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë dhe rreshtim i hapur zyrtar dhe publik i mbështetjes ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski. Menjëherë pas këtij qëndrimi të diplomacisë dhe të qeverisë ruse, të gjitha mediat ruse të destinuara për konsum ndërkombëtar nisën të shpërndajnë në të gjithë botën variantin e grushtit të shtetit për krizën në Maqedoni. Në mediat ruse nisi fushata e teorive konspirative se “grushti i shtetit” kundër Gruevskit është organizuar nga opozita në bashkëpunim me shërbimet sekrete të SHBA dhe të vendeve të tjera perëndimore, se Perëndimi kërkon të organizojë një revolucion me ngjyrë, siç bëri në Ukrainë dhe në Gjeorgji, me qëllim që të rrëzojë kryeministrin Gruevski, ngaqë ai ka përkrahur ndërtimin e gazsjellësit rus nëpër Maqedoni, kurse Perëndimi është kundër etj., etj.
Projekti rus i ndërtimit të këtij gazsjellësi është në kuadër të intensifikimit të përpjekjeve ruse për një prani dhe ndërhyrje më të madhe në Maqedoni dhe për ta lidhur më shumë qeverinë “Gruevski” pas interesave ruse. Ndërtimin e gazsjellësit e ka marrë përsipër kompania e madhe ruse “Strojtransgaz”, pronë e biznesmenit Genadij Timçenko, një prej oligarkëve më të afërt të presidentit Vladimir Putin. Genadij Timçenko është ndër të parët oligarkë rusë të grupit të Putinit, që u vu në listën e zezë të sanksioneve të SHBA dhe BE vitin e kaluar, menjëherë pas pushtimit rus të Krimesë. Financimin e gazsjellësit e mbulon qeveria ruse, me justifikimin se Rusia do të kontribuojë me 80 për qind të financimit, në kuadër të shlyerjes së borxheve të kleringut, që Bashkimi Sovjetik i ka pasur dikur Jugosllavisë dhe një pjesë e kësaj shlyerjeje i ka rënë në hise Maqedonisë. Shlyerja me klering ka qenë e përcaktuar në kontratë se do të bëhet me mall dhe me shërbime. Kurse ndërtimi i gazsjellësit kërkon para dhe janë para dhe jo mall e as shërbim, ajo çka qeveria ruse do t’i japë kompanisë ndërtuese ruse. Natyrisht, mund të përmendet këtu se vendimi i qeverisë ruse për gazsjellësin, që sapo filloi ndërtimin, është edhe në funksion të termocentralit të Shkupit, i cili është pronë ruse dhe do të konsumojë pjesën më të madhe të gazit, që do të vijë me gazsjellësin e ri.
Për sa i takon pretendimit të Shkupit se me këtë gazsjellës, që nisi ditën e shtunë, Maqedonia po merr një rol të madh gjeopolitik rajonal, sepse mund të bëhet më vonë shtet tranzitimi i një gazsjellësi të ri rus, që do të zëvendësojë gazsjellësin e anuluar “South Stream”, kjo duket më shumë si një përpjekje për të ngopur opinionin vendas me lugë të zbrazur. Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar qartë se Rusia do ta sjellë gazin deri në kufirin turko-grek dhe Europa le të vijë ta marrë vetë. Nga ana tjetër, as Turqia, që do të jetë qendra dhe depozita kryesore e gazit rus, që do të vijë nga gazsjellësi i pandërtuar ende “Turkish Stream”, nuk ka shpallur se cila trajektore do të ndiqet. As Rusia, me financa të dëmtuara nga sanksionet dhe nga ulja e çmimit të naftës, dhe as Greqia, Maqedonia, Serbia dhe Hungaria, nuk kanë para të financojnë një gazsjellës ndërkombëtar nëpër territoret e tyre. Gjithashtu as Bashkimi Europian nuk financon një gazsjellës rus dhe nuk mund të japë miratimin për një gazsjellës të tillë, sepse ai duhet të jetë në përputhje me legjislacionin energjetik të BE. Argumentet naive të zyrtarëve maqedonas se Maqedonia nuk është anëtare e BE dhe nuk ka pse të marrë miratim, janë të gabuara në dy drejtime. Së pari, shtetet që mund të marrin pjesë në një gazsjellës vertikal ballkanik janë anëtare të BE si Greqia, Hungaria dhe Austria, dhe Serbia është shtet kandidat. BE bllokoi gazsjellësin rus “South Stream”, i cili kishte filluar punimet e ndërtimit në Bullgari dhe në Serbi, pikërisht se shtetet pjesëmarrëse kishin përfunduar marrëveshje shtetërore me Rusinë, por nuk kishin marrë miratimin e BE. Rusia u detyrua ta anulonte gazsjellësin. Së dyti, Maqedonia është shtet kandidat i BE dhe njëlloj si Serbia, është e detyruar të përputhë legjislacionin dhe marrëveshjet e saj me shtetet e tjera me legjislacionin energjetik të BE.
Ndërtimi i gazsjellësit të ri në Maqedoni nga Rusia duhet parë si mbështetje politike për kryeministrin autokrat Nikolla Gruevski, por edhe si sinjal i një faze të re të influencës ruse në Maqedoni. Rusia është e interesuar strategjikisht që Maqedonia të mos anëtarësohet në NATO dhe në BE. Ajo e ka mirëpritur faktin që politika e jashtme e Gruevskit ka bllokuar integrimin euroatlantik dhe ka acaruar marrëdhëniet me tri shtetet e NATO-s që kufizojnë Maqedoninë. Gruevski ka acaruar konfliktin për emrin me Greqinë më shumë se të gjitha qeveritë paraardhëse në Shkup. Diplomacia ruse e nxit qëndrimin sfidues të Shkupit ndaj vendeve të NATO-s. Sado e habitshme të duket, është fakt i pohuar nga burime diplomatike, se përfaqësues të qeverisë maqedonase nëpër takime diplomatike në vendet europiane rreshtojnë si burime kërcënimi për Maqedoninë vetëm tri shtete të NATO-s, kufitare me shtetin e tyre, pra Shqipërinë, Greqinë dhe Bullgarinë. Serbinë e fusin te shtetet miqësore. Vetë insistimi i përkufizimit të kërcënimeve te tri shtete të NATO-s, flet për një disponim jomiqësor të qeverisë “Gruevski” ndaj aleancës atlantike. Pas krizës ukrainase, Moska e ka intensifikuar fushatën e ndërhyrjes në Maqedoni dhe ka një strategji ruse për ta zhvendosur vijën e përplasjes së saj gjeopolitike me NATO-n në gadishullin e Ballkanit. Ajo po përpiqet me të gjitha mjetet të konsolidojë qeveritë proruse dhe të pengojë integrimin atlantik të shteteve kandidate si Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova. Kryeministri Gruevski vlerësohet në Moskë si karta më e mirë politike për ta mbajtur Maqedoninë si gropë e zezë në Ballkan dhe larg integrimit të plotë euroatlantik. Rusia e ka vënë bastin e saj te Gruevski, sepse ajo i konsideron autokratët si alternativa më e mirë për t’i tërhequr tek influenca ruse dhe mbështetja e saj. Kjo dëshmohet me mbështetjen ndaj autoritarizmit të kryeministrit Gruevski, gjatë qeverisjes së të cilit ka pasur një cungim të frikshëm të lirive dhe sipas “World Press Freedom”, për lirinë e shtypit Maqedonia, nga vendi i 34-t, ku ka qenë në vitin 2006, kur erdhi në pushtet Gruevski, ka arritur në vendin e 180-të në vitin 2015. Analisti rus Andrej Koribko shkruante në 13 mars se pas krizës ukrainase “Maqedonia është ngritur në një vend prioritar në politikën e jashtme të Rusisë”. Kjo do të thotë se avancimi i Maqedonisë në prioritetet ballkanike të Moskës pritet të shënojë një shkallëzim të ri të ndërhyrjes ruse në këtë vend dhe në rajon.
Intensifikimi i ndërhyrjes ruse në Maqedoni është pjesë e një strategjie të konsolidimit të pranisë ruse në tri shtete ballkanike, që kanë qeveri tepër të prirura drejt Moskës dhe Putinit, si Greqia, Serbia dhe Maqedonia, të tria shtete që kanë kundërshtuar sanksionet europiane ndaj Rusisë.
Janë zhvillime, që kërkojnë pozicionim aktiv të faktorit politik shqiptar në Maqedoni në orientimin strategjik të vendit. Faktori politik shqiptar nuk ka pse të bëhet pjesë e krizës politike maqedonase, sepse të dy faktorët kryesorë politikë maqedonas, që janë alternuar në qeveri, dhe sidomos Nikolla Gruevski, i cili ka nëntë vjet në pushtet, e kanë lënë marrëveshjen e Ohrit si një eksponat muzeu, që ua tregojnë delegacioneve perëndimore në turin turistik në Maqedoni. Faktori politik shqiptar duhet gjithashtu të ndihet më fort dhe të bëjë presion për të bllokuar vijën antiatlantike dhe proruse, që po forcohet dita-ditës në Maqedoni. Gjithashtu, faktori shqiptar nuk duhet të krijojë iluzione për flirtet e Moskës, sepse kujtesa historike kombëtare mjafton t’i udhëheqë atij qëndrimin dhe veprimin politik në plan perspektiv dhe strategjik.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: