Nga: KIÇO BLUSHI *
O sa bukurfort u gëzuam e sa krenarë u ndjemë ne shqiptarët e gjallë, të kudondodhur, në atdhe a në diasporë, në qendër a në periferi, tifozë apo pensionistë, taksa-fatura-gjoba-pagues të rregullt, hajdutë tenderash e energjie elektrike, hajdutë ordinerë xhepash dhe tokash, teksa morëm vesh që peshëngritësit tanë, Begaj dhe Godelli, u shpallën kampionë bote në Kazakistan! E jo vetëm ne, po u ngazëllye edhe qeveria, e cila i mori sakaq përdore këta kampionë bote, i çoi deri në Vlorë, u dha flamurin kombëtar ta ngrinin lart e më lart në Ditën e Pavarësisë, për të gëzuar e për të lumturuar madje edhe plakun e urtë Ismail Qemali.
Por ngazëllimi i suksesit tonë “botëror” nuk mbaroi e nuk u mjaftua me kaq. U deklarua zyrtarisht, me një si ndjenjë faji e pendese, se qeveria do të jepte disa milionë dollarë nga buxheti i mjerë i shtetit tonë varfanjak për të ngritur urgjent një palestër moderne në Tiranë…E ndërkohë do të shtohej edhe shpërblimi e mirëtrajtimi i tyre, si dhe do të…do të…etj etj. Por ja që medaljet, pa shkuar muaji, na dolën hundësh. Dolën kallp, gënjeshtër, mashtrim ndërkombëtar, pasi sportistët tanë të nderuar na paskëshin përdorur doping…Dhe jo për herë të parë. E jo vetëm një e dy syresh. Po thuhet ndërkohë që rrezikohet përjashtimi i peshëngritësve tanë, po edhe i Federatës tonë Kombëtare nga të gjitha veprimtaritë botërore dhe evropiane të peshëngritjes, ndëshkim ky i pashembullt,  por po qe se edhe testi B do të dalë pozitiv, plotësisht i merituar.  
Kësisoj jo vetëm që suksesi po del i ngritur mbi gënjeshtër, d.m.th mbi një farë droni (njëlloj si tripikëshi që pandehëm se e siguruam qyl pas ndeshjes së futbollit në Beograd…), por duhet thënë që ky rast i vuri një njollë turpi të pashlyeshme Federatës e drejtuesve të saj përkatës, po edhe vendit, edhe imazhit të shoqërisë, edhe ne, si qytetarë, edhe qeverisë tonë që i paskësh lënë federatat (jo vetëm të peshëngritësve) të livadhisin në këtë derexhe spekulimesh në rang botëror!
Nuk është as e para dhe as e fundit kjo ndodhi e shëmtuar kur sukseset tona virtuale ne i vëmë të fluturojnë në qiell me dron, ndërsa dështimet e dëshiruara  për kundërshtarët, poshtë, në tokë, i fusim (simbolikisht) në arkivol, si bënë javën e shkuar tifozët e “17 Nëntorit”, apo mitingashët e Berishës në portat e qeverisë Nano më 14 shtator të ’97-ës…Stadiumet tona, ku jo vetëm tifozët, po edhe deputetët dhe kryebashkiakët “bëjnë ligjin” ose me dajak, ose me kobure në brez, janë pasqyra jonë më e saktë. Në të dy rastet, kur suksesin e kërkojmë në mos me dhunë, ose me dron, ose me arkivol, pasi mbaron “loja”, ne qytetarët, tifozë apo mitingashë, është e sigurt që do të mbetemi me gisht në gojë! Nuk duam ta besojmë atë që thuhet se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. I ka vërtet të shkurtra këmbët, por ama duart i ka të gjata!
Kjo dukuri suksesesh të dështuara, të ngritura kryesisht mbi mashtrim e mbi gënjeshtër, padyshim që nuk është vetëm sportive. Në sportet tona kjo është më  e dukshme, ndërsa në veprimtaritë e tjera, shoqërore e politike, më e kamufluar. As vetëm e botës së spektaklit dhe e showbizit, ku të vetëshpallurit e shquar janë shtuar pa hesap…Kjo tollovi morale është refleks i mendësisë, apo, më saktë, i kulturës së gënjeshtrës, nga e cila nuk po shkëputemi dot me ligje e mjete demokratike. Nuk ka madje as përpjekje minimale të klasës politike për ta ndarë shoqërinë prej kësaj murtaje ngjitëse. Krerët besojnë se janë aq të sofistikuar dhe aq shumë i janë përkushtuar kulturës së gënjeshtrës, sa nuk mjaftohen duke gënjyer votuesit, qytetarët, opinionin publik, njërit-tjetrin, po tani edhe ndërkombëtarët. Ky quhet sukses!
Trysnia e gënjeshtrës derdhet edhe mbi diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë e në Prishtinë e sidomos mbi kancelaritë e tyre, aq sa ambasadorja amerikane në Prishtinë nuk duroi dot dhe ju klithi: Mos e dh…punën!  Aq është tepruar me këtë dukuri bejlurçinash që besonin e shpreheshin kahmotit: S’pyesim ne për Evropin, sa të kemi me vete Peqinin!,- sa nganjëherë këta ambasadorë duken e trajtohen para publikut si të ishin ca babaxhanë-leshko, të prirur të  hanë sapunin për djathë. Nuk ka asnjë rast që e njëjta deklaratë e tyre të mos interpretohet me dy kuptime të kundërta, duke përdorur gënjeshtrën dhe mashtrimin e publikut si argument.
Tanimë kultura e gënjeshtrës i përket asaj që quhet elitë. Elita jonë politike, po edhe ajo e ashtuquajtur akademike dhe intelektuale mjetin më parësor e ndoshta të vetëm të suksesit dhe të lartësimit të vetes beson se ka, për fat të keq, pikërisht kulturën e gënjeshtrës dhe të mashtrimit. Mundësisht e kryesisht edhe nëpërmjet ndihmesës së propagandës zyrtare, partiake, mediatike dhe urbane.
Kemi një trashëgimi të gjatë në këtë drejtim, të lidhur ngushtë me historinë 102- vjeçare të shtetit tonë të mëveçëm. Fakt është që titujt, gradat, ofiqet, postet, si dhe pasuritë e pronat e vëna vitet e fundit më së shumti janë prodhim i kulturës së gënjeshtrës, se sa i meritave vetjake.
Ne jemi shoqëri që nuk ka hierarki vlerash dhe personalitetesh të gjithëpranuara. Gënjeshtrat dhe mashtrimet politika nuk nguron ti hedhë edhe mbi historinë, jo vetëm atë të largët, po edhe atë të afërt. Heronjtë nuk janë më heronj, ashtu si tradhtarët, kolaboracionistët dhe tregtarët e flamujve nderohen dhe dekorohen si patriotë të kulluar. Në llumin e gënjeshtrës është e  vështirë dhe punë tejet e rrezikshme të luftosh e të mbrosh të drejtën dhe të vërtetën. Narkoza e gënjeshtrës e bën më të lehtë krizën morale dhe ekonomike, si dhe terapinë e shokut, po nuk e nxjerr shoqërinë në dritë.
Sot shumica e tapive janë të ngritura mbi mashtrime zyrtarësh, ashtu si shumica atyre që janë bërë Nder i Kombit, apo Qytetar Nderi nuk kanë vepra, as bamirësie. Kështu p.sh përse Korça do të duhej të shpallte Qytetar Nderi Pacollin, kur ky, rrezik, të mos ketë fjetur as dy net aty? Modelet që i ofrohen rinisë së sotme janë modelet e sfilatave, të balerinave, shumë-shumë të diplomave dhe të veturave të blera në mos nga baballarët, nga tutorët. Sepse janë me mijëra shembujt që provojnë përditë  se me një “dron” partiak, krahinor apo klanor mund të fluturosh më lart e mund të hysh më kollaj në histori, se sa me garë, me djersë, me konkurrencë të ndershme.
***
Sa për të dhënë një shembull tjetër, këto ditë, një vajzë e përzgjedhur qëllimisht simpatike, e cila, në dhjetor të ‘90-ës, teksa zhvilloheshin demonstratat e studentëve paskësh qenë dy apo tri vjeçe, deklaroi në një ceremoni zyrtare që e drejtonte si konferenciere se e kishte parë e dëgjuar “atë”, -atë pra!, -udhëheqësin historik e legjendar, Berishën domethënë, kur fliste te studentët kundër diktaturës…Ky nuk e kishte vënë re, po ama ajo nuk e harronte dot! Padyshim që ky është një shembull sa naiv, aq edhe vulgar. Po sa të tillë, burra e gra kemi parë këto ditë të na shfaqen nëpër ekrane e të rrahin gjoksin si “dhjetoristë”, si heronj të mbetur çuditërisht gjallë “nga diktatura  më e egër në botë”, njëlloj si veteranët e pasluftës, apo edhe si “veteranët” fiktivë të UÇK-së në Kosovë?
Përse kështu? Nga vjen kjo shtirani masive?  Sepse shumëkush e ka kuptuar: Nuk është djersa dhe kontributi, por gënjeshtra dhe mashtrimi ato që nga një hiç anonim mund të të bëjnë deputet,  ministër, pse jo edhe kryeministër e President të Republikës!      
Për fat të keq shembujt e kësollojtë provojnë që ne kemi qenë dhe kemi mbetur të prirur t’i besojmë më shumë e më kollaj gënjeshtrës së “lugës së florinjtë”, se sa të vërtetës së hidhur. Gënjeshtra dhe mashtrimi vazhdohet të përdoren më së shumti nga krerët tanë si opium, si drogë, për të na vënë në gjumë që të shohim ëndrra të bukura, por edhe si mjet e qëllim për të siguruar, më lehtë se me djersë, talent, sakrifica dhe mund, suksesin e dëshiruar. Kështu, nëse në diktaturë  u vetshpallëm vendi dhe populli më i lumtur dhe më i lirë në botë, në demokraci zumë vend të dytë, pas Gjermanisë, për zhvillim dhe për ritëm mirëqenieje…Kur dëgjon të tilla gënjeshtra kaq të trasha, pyet veten: A thua të ketë, edhe pas gati një çerek shekulli në demokraci,  qytetarë që i hanë me qejf, pa i përtypur, këto dokrra?
Por ajo që i vë kapak të florinjtë kulturës së gënjeshtrës janë institucionet zyrtare që flasin në emër të shtetit. Për këtë mjafton të shohësh statistikat e sukseseve që jep herë pas here INSTAT. Por më e rëndësishme edhe se shifrat, të cilat nuk mund të verifikohen, janë akuzat e ndërsjella që bën politika për to. Kështu, këto ditë INSTAT doli me disa shifra optimiste për ekonominë dhe zhvillimin. Menjëherë kundër këtij institucioni, që ka autoritetin e të dhënave të sakta, u hodh në sulm opozita, duke e akuzuar këtë organ legjitim si mashtrues, si gënjeshtar, si të keqpërdorur  nga qeveria për të manipuluar opinionin publik….  Është e njëjta akuzë që pat bërë edhe opozita e djeshme e Ramës, kur INSTAT ishte nën hyqmin e Berishës.
Një gjykim i thjeshtë të çon vetiu te ky përfundim logjik e dramatik: INSTAT gënjeka në të dy rastet, pavarësisht kush është në pushtet, të djathtët apo të majtët.
E pra,  kjo, a nuk është më e rëndë dhe ku e ku më e kushtueshme se dalja bllof e peshëngritësve tanë “kampionë bote”?

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: