Policia e Tiranës ka kryer një operacion, të goditur “Pages”, e cila konsiston në goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Në pranga është vendosur 33-vjeçari M. M., nga Vora, i cili kishte përshtatur subjektin e tij për ushtrimin e lojërave të fatit. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy aparate celulare, si dhe para që dyshohet se rridhnin nga ky aktivitet i paligjshëm.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pages”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë.

Kishte vendosur subjektin e tij (bilardo) në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe gjatë kontrollit nuk iu bind urdhrave të punonjësve të Policisë, vihet në pranga 33-vjeçari.

Sekuestrohen dy aparate celulare dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Shërbimet e Komisariarit të Policisë Vorë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pages”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– M. M., 33 vjeç, banues në Vorë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjatë ndërhyrjes në subjektin në administrim nga ky shtetas, në rrugën “Rinia”, në Vorë, ky shtetas nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për kontroll. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të celularit të shtetasit M. M., gjetën faqe që shërbejnë për vendosjen e basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm dhe lista të ndryshme me të dhëna/faqe për vendosjen e lotarive sportive.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb