Persona të armatosur sulmuan një tren pranë kryeqytetit të Nigerisë me eksplozivë dhe me armë, duke vrarë një numër të paspecifikuar prej afro 1000 pasagjerësh në bord, thanë autoritetet dhe të mbijetuarit për Associated Press.

Sulmuesit përdorën eksplozivë për të hedhur në erë fillimisht shinën hekurudhore përpara se të hapnin zjarr në trenin pranë Abuja në veriperëndim të Nigerisë, tha Fidet Okhiria, shefi ekzekutiv i Korporatës Nigeriane Hekurudhore . Shumë njerëz dyshohet se janë rrëmbyer gjatë sulmit “të paprecedentë”, tha ai.

Autoritetet nuk mund të konfirmonin menjëherë numrin e pasagjerëve në tren, por mediat lokale raportuan se rreth 1,000 veta ishin në bord. “Ka pasur viktima, por ne nuk kemi qenë në gjendje të konfirmojmë numrin,” tha Okhiria, duke e quajtur sulmin një pengesë të madhe.

Abdulwadud Ahmad, një i mbijetuar, tha se kishte parë nëntë pasagjerë të vrarë duke përfshirë edhe një që ishte ulur pranë tij.

“Ata bombarduan trasenë dhe filluan të shkëmbejnë zjarr me sigurimin brenda trenit,” tha ai. “Ata nënshtruan sigurimin, pastaj hynë në tren … dhe rrëmbyen shumë njerëz. Ata vranë disa njerëz me dashje, ndërsa disa (u vranë) me plumba endacak.”

Treni është një nga mjetet më të përdorura për shumë njerëz në kryeqytetin e Nigerisë dhe në shtetin fqinj Kaduna, pasi udhëtarët vazhdojnë të qëndrojnë larg rrugëve të njohura për rrëmbime.

Sulmi ndodhi në Katari në shtetin Kaduna, 90 kilometra (55 milje) nga kryeqyteti i Nigerisë, duke shkaktuar frikë dhe shqetësime për sigurinë e Abujas.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por dyshimi ra shpejt mbi grupet e armatosura që kanë kryer mijëra rrëmbime dhe vrasje në shtetet veriperëndimore dhe qendrore të kombit të Afrikës Perëndimore.

Shërbimi i trenit është pezulluar, tha ekzekutivi i hekurudhave, pasi ushtria dhe policia nigeriane vazhdojnë të “krehin zonat” në kërkim të pasagjerëve, shumë prej të cilëve dyshohet se janë rrëmbyer.

Qeveria e shtetit në Kaduna, një nga vendet më të goditura nga cikli i dhunës në rajonin verior të trazuar të Nigerisë, tha se ka përfunduar evakuimin e pasagjerëve “të bllokuar” me ndihmën e forcave të sigurisë.

“Pasagjerët që pësuan lëndime dhe viktima të tjera janë transferuar në spitale”, tha në një deklaratë Samuel Aruwan, komisioneri shtetëror për sigurinë.

Janë raportuar të paktën tre sulme në shërbimin e trenit Abuja-Kaduna vitin e kaluar, shpesh të kryera nga grupet e armatosura në veriun e trazuar të Nigerisë, të cilat autoritetet i kanë shpallur organizata terroriste.

Autoritetet nigeriane ose po e nënvlerësojnë situatën në rënie të sigurisë ose po nënvlerësojnë aftësitë e personave të armatosur, tha Oluwaseyi Adetayo, një ekspert sigurie dhe ish-oficer i policisë sekrete nigeriane.

“Ne vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë pa pushim dhe presim rezultate të ndryshme,” tha ai. “Ne duhet të zhvillojmë një qasje më të madhe sesa një zgjidhje të shpejtë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb