Persona të armatosur të Al Shabab vranë të paktën shtatë persona në një sulm në një hotel në një qytet qendror të Somalisë, ku pleqtë lokalë dhe zyrtarët e qeverisë po takoheshin për të diskutuar se si të vepronin kundër grupit militant islamik.
Grupi i lidhur me Al-Kaedën mori përgjegjësinë për sulmin në Beledweyne dhe tha se kishte vrarë mbi 10 njerëz. Sulmuesit u futën me forcë duke vendosur eksploziv në hyrje, tha një dëshmitar, shitësi Ali Suleiman.
Al Shabab shpesh kryen sulme me bomba dhe me armë në vendin e brishtë të Bririt të Afrikës, ndërsa përpiqet të rrëzojë qeverinë dhe të vendosë sundimin e vet bazuar në interpretimin e rreptë të ligjit islamik të Sheriatit.
“Deri më tani shtatë persona, përfshirë pleqtë e klanit dhe rojet e tyre, të gjithë të afërmit e mi, vdiqën në hotel. Disa pjesë të hotelit janë djegur tani dhe nuk është e qartë nëse operacioni është përfunduar apo jo”, tha për Reuters plaku i klanit Abdullahi Fidow.
“Disa thonë se luftëtarët janë ende duke luftuar në ndërtesat aty pranë. Numri i të vdekurve mund të rritet për shkak të shpërthimeve dhe të shtënave nga luftëtarët,” tha ai.
Disa orë pas sulmit fillestar, forcat qeveritare po përpiqeshin të largonin luftëtarët e Al Shabab, disa prej të cilëve ishin vrarë në rrugicat e afërta, tha Dahir Amin Jesow, një ligjvënës federal nga qyteti, kryeqyteti i rajonit Hiraan.
Në një incident të veçantë, të paktën 10 persona, përfshirë tetë luftëtarë të Al Shabab, u vranë në luftimet në një fshat në rajonin e Mesme Shabelle në Somalinë jugore, tha për Reuters Ali Farah, një oficer ushtarak në fshat.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve Somaleze, në pronësi të shtetit, raportoi se presidenti Hassan Sheikh Mohamud ishte në aeroportin në Mogadishu për të pritur ushtarët e plagosur në luftime.
(A.A/BalkanWeb)