Mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “STOP” u shfaqën pamjet tronditëse të një personi me aftësi të kufizuara mendore, i cili mbahet i lidhur nga familja e tij, me duar dhe këmbë pas një krevati, pasi për shkak të sëmundjes është agresiv dhe mund të dëmtojë edhe veten. Ai ushqehet nga i vëllai dhe familjarët e tij thonë se ndodhet në këtë gjëndje pasi nuk merr asnjëlloj ndihme nga shteti.

Familja Dakavelli jeton në “4 Rrugët e Shijakut” përbëhet nga 10 anëtarë, 6 djem, 3 vajza dhe kryefamiljari.

Djali më i vogël i kësaj familjeje, Fundim Dakavelli lindi me probleme mendore dhe kur ishte 5 – vjeç, familjarët iu drejtuan instancave përkatëse për të përfituar ndihmën ekonomike dhe statusin e invalidit.

Para 10 vitesh, KMCAP i Durrësit, duke parë gjendjen e rënduar të djalit, i dha statusin e paraplegjikut, një status që e mbajti deri në 2015 – ën. Në këtë kohë, dosja e tij u nis në KMCAP –in Epror dhe nga ky i fundit, u la pa asnjë grup.

Babai i tij, Haki Dakavelli thotë se me pensionin e tij mban familjes dhe djalin e sëmurë që ka nevoja të veçanta. “Gjendja ekonomike zero. Unë marr 135 mijë lekë pension. Me ato mar panolinat, me ato mar kominoshet, me ato ushqej gjithë fëmijët. Asnjëlloj ndihme nuk na kanë dhënë. Fundimi nuk ka folur asnjëherë, që nga lindja e deri më sot, siç e shihni, Fundimi nuk flet. Ai është shumë agresiv dhe kur ndodhet në këtë gjendje prek çdo gjë që mundet. Çjerr veten kur e lë me duart zgjidhur, ndaj dhe e mbajmë të lidhur. Edhe me këmbët gjithashtu çirret. Tani, vetëm panoliant i duhen ndërruar 4 herë në ditë, plus kominoshet, që duhen çdo ditë të paktën nga një palë, që janë 12 mijë lekë një palë. Plus ushqimi. Ai nuk ha dot vetë, e ushqen djali. Ia bën përshesh dhe ia jep me lugë. Kur i dhemb diçka nuk tregon.”, tha ai

Po pavarësisht gjendjes KMCAP –i i Durrësit, me sa duket nuk ka dashur t’ja dijë.
“Më thanë bëj ç’të duash s’kemi ç’të bëjmë, nuk i takojnë dhe nuk diskutohet. Është i palëvizshëm. Unë nuk dilja ndonjëherë para komisionit me të, shkoja vetë. Është e pamundur që ta marr dhe ta nxjerr jashtë. Një farë pensioni e do ky, me çfarë t’i ble unë këto.”

Nga ana tjetër, eksperti Mjekoligjor, Zalo Topçiu thotë se KMCAP –i Epror në Tiranë, ka bërë një gabim.
“Jam njohur, pasi dosja më vjen nga Kempi Epror, me një vendim të marrë pa grup. Gjë që për mua është krejt e padrejë. Vendimi i KMCAP –it Epror nuk ka qenë i drejtë, nuk ka qenë i sqaruar siç duhet. I sëmuri ka shkuar për të përfituar statusin e paraplegjikut në KMCAP –in Epror, ndërkohë që KMCAP –i ia heq statusin dhe njëkohësisht e deklaron pa grup invaliditeti. Duhej që i sëmuri të trajtohej automatikisht dhe përfundimisht me statusin që kishte përpara, me paaftësinë e kufizuar, që ka qenë grupi parë me kujdestari. Ai duhet të vazhdojë invaliditetin që ka pas grupi i parë me kujdestari dhe të mos i digjet asnjë periudhë e kaluar. Gjendja e të sëmurit është e njëjtë, kështu që s’ka përse të përsërisë dokumentat mjekësore nga e para”, tha Topçiu

Ndërsa Përgjegjësja e Sektorit Juridik në Shërbimin Social, Marjeta Gjelaj, sqaron se i sëmuri nuk mund të marrë dot para sepse KMCAP –i Epror, e ka bërë vendimin në mënyrë të pakthyeshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: