Një person që ishte pjesëmarrës në një tubim në Maryland në të cilin të pranishëm ishin edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence, ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri COVID-19.

Unioni i Konservatorëve Amerikanë, i cili organizoi tubimin, tha në një deklaratë se personi i prekur nga virusi nuk ka pasur asnjë ndërveprim me Trump dhe Pence.

Në deklaratë thuhet se administrata Trump është njoftuar për rastin.

Trump mori pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) më 29 shkurt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham tha se Trump dhe Pence nuk janë takuar me pjesëmarrësin e infektuar dhe se janë marrë të gjitha masat për familjen Trump dhe Shtëpinë e Bardhë.

Ndryshe, deri më tani, në SHBA jetën kanë humbur 19 persona nga koronavirusi, i cili është përhapur në 30 shtete të SHBA-së.

I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi ka marrë jetën e mbi 3.500 njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar mbi 100 mijë vetë.

OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb