Gjendja në ekonominë gjermane është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të reduktimit të furnizimeve me gaz nga Rusia. Sipas ekonomistëve në dimër pritet një recesion i rëndë.

Ekonomistët gjermanë mendojnë se në dimër Gjermania do të preket nga një recesion i rëndë. Instituti Gjerman për Studime Ekonomike Ifo, i cili përgatit prognoza për zhvillimin ekonomik intervistoi gjatë muajit maj dhe qershor 9,000 menaxherë për situatën dhe perspektivat e bizneseve të tyre.

Shkak kryesor për prognozat e errëta është reduktimi i madh i furnizimeve me gaz nga Rusia, të cilat edhe mund të ndërpriten plotësisht. Të enjten qeveria gjermane shpalli gjendjen e alarmit në lidhje me rezervat e gazit. “Rritja e çmimeve të energjisë dhe mungesa e gazit po shkaktojnë shqetësim të madh për ekonominë gjermane”, tha drejtori i institutit Ifo, Clemens Fuest. Sipas tij dhe ekonomistëve të tjerë Gjermania mund të përfshihet nga një krizë ekonomike.

Recesion i rëndë në dimër
Sipas ekonomistëve të institutit Ifo pushtimi rus i Ukrainës po shkakton rritje të çmimeve të lëndëve të para, rritje të mungesës në furnizime dhe rritje të pasigurisë midis kompanive dhe konsumatorëve. Prandaj instituti Ifo e ka ulur parashikimin e tij për rritjen e ekonomisë gjermane këtë vit nga 3.1 në 2.5 për qind.

Për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind, megjithatë ekonomistët kanë frikë nga një recesion i rëndë në dimër, nëse nuk do të ketë furnizime me gaz rus. “Situata në tregun e gazit është kërcënuese,” tha Jens Südekum, këshilltar i qeverisë gjermane dhe profesor për ekonominë ndërkombëtare në Universitetin Heinrich Heine në Dyseldorf. “Nëse furnizimet me gaz rus do të ndërpriten, ekziston rreziku i racionimit të gazit si dhe ndërprerje e prodhimit industrial. Rezultati mund të jetë një recesion i rëndë.” – tha Jens Südekum.

Jo vetëm gazi rus
Sipas ekonomistit të Commerzbank, Jërg Krämer, situata ekonomike është më e zymtë nga sa parashikon instituti Ifo: “Situata ekonomike është e paqëndrueshme. Nga njëra anë sepse reduktimi i mëtejshëm i furnizimeve me gaz rus mund të çojë në racionimin e gazit për industrinë gjë që do të jetë me pasoja të rënda. Nga ana tjetër, edhe rritja masive e normave të interesit nga Banka Qendrore e SHBA-së ka të ngjarë të shkaktojë një recesion në SHBA. Duke pasur parasysh të gjitha këto rreziqe në rritje, ne e kemi ulur parashikimin tonë për Gjermaninë për vitin 2023 nga 2.5 në vetëm 1.0 për qind.” – tha Krämer./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: