Imazhet e dhunës brenda dhe rreth selisë së Partisë Demokratike të shtunën shkaktuan kritika. Megjithatë, konteksti i ngjarjes është më i rëndësishëm për zhvillimet politike në Shqipëri.

Disfata elektorale e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ishte humbja e fundit e series se humbjeve të pandërprera zgjedhore gjatë tetë viteve të kryesimit nga Lulzim Basha. Kjo periudhë u shënua edhe nga vendimet personale të Bashës problematike, të kontestuara dhe me pasoja për të djegur mandatet dhe për bojkotimin e zgjedhjeve vendore në 2019. Pa këto vendime mund të kishim parë një ndryshim të qeverisë më 25 prill 2021. Basha nuk është penduar asnjëherë për vendimet e tij, e aq më pak të kërkojë falje për to.

Në vazhdën e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 pati një situatë plogështie, inercie, e madje letargjie mes anëtarëve dhe funksionarëve të partisë njëkohësisht me refuzimin pasiv të lidershipit Basha. Kjo fatmirësisht filloi të ndryshojë vjeshtën e kaluar kur ish-kryetari (dhe ish-presidenti e ish-kryeministri) Berisha nisi një turne me bazën e partisë dhe duke diskutuar hapur situatën brenda partisë dhe në vend.

Përcaktimi i zotit Berisha në maj të vitit 2021 nga Departamenti i Shtetit i ShBA se “i ndalohet hyrja në SHBA” u pa nga shumë (përfshirë Bashën) si i papërshtatshëm, joproporcional, selektiv, i motivuar partiakisht dhe i pajustifikuar, ka luajtur një rol në këtë dinamikë. Basha vendosi personalisht, nën presionin diplomatik amerikan, të përjashtonte zotin Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, në vend që ta hidhte në votim në këshillin e partisë siç e kërkon statuti. Basha pretendoi se përcaktimi i SHBA ishte i gabuar, por atij i duhej përjashtimi për të ruajtur marrëdhënien e PD me ShBA-në. Kjo nuk e përmirësoi pozicionin e tij si lider partie. Ndërsa zoti Berisha u zotua se nuk do e përfshinte PD-në në problemin e përcaktimit; prandaj këto çështje duhen parë veçan.

Zhvillimi kryesor ishte se, në përputhje me statutin e partisë, një shumicë e madhe e delegatëve të kuvendit të PD-së (5200 nga 7647 gjithsej ose 68% e partisë) nënshkruan peticionin për thirrjen e një kongresi të jashtëzakonshëm të partisë. Sipas nenit 43/2 të statutit, kongresi mund të thirret me kërkesë të 1/4 të delegatëve të tij ose 1/4 e anëtarësimit të partisë. Basha refuzoi vazhdimisht të merrte në shqyrtim peticionin e delegatëve, i cili u dorëzua zyrtarisht në selinë e partisë dhe u përpoq ta pengonte proçeduralisht.

Megjithatë, sipas rregullave statutore, kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë u mblodh më 11 dhjetor me rreth 4935 delegatë të pranishëm (ose 65% e tyre) në stadiumin kryesor të Tiranës (ku isha i pranishëm). Kongresi i PD-së vendosi me votim të fshehtë dhe me 4446 vota (ose 99% të votave të hedhura) shkarkimin e Bashës dhe besimin e drejtimit të partisë në një komision të përkohshëm deri në kuvendin e rregullt të partisë më 22 mars 2022.

Largimi i Bashës u hodh në votim të fshehtë të anëtarësimit më 18 dhjetor; Në votim dolën 43 879 anëtarë partie nga të cilët 43 385 ose 98,8% e konfirmuan largimin e tij.

Fatkeqësisht Basha nuk pranoi realitetin dhe vullnetin e partisë së tij. Fillimisht ai tentoi të shpërbënte organizatat e Grave dhe të Rinisë së PD-së, të cilat kishin shprehur mbështetjen për thirrjen e kuvendit të partisë. Duke qenë se organizatat e Grave dhe të Rinjve të PD-së janë anëtare të PPE-së, edhe Gratë dhe Studentët e PPE-së protestuan dhe i bënë thirrje Bashës që të zmbrapsej. Një letër e eurodeputetëve të EPP që i sugjerojnë Bashës të njohë kongresin dhe votën e anëtarëve gjithashtu ka qarkulluar në media.

Basha thirri një mbledhje më 18 dhjetor në një sallë me 1958 vende duke pretenduar se ishte kongresi i partisë (sic!). Ai nuk mund të shpjegonte se si salla mund të strehonte kuorumin minimal të kërkuar (50% plus një) prej 3824 delegatësh.

Mbyllja nga Basha javën e kaluar, në 31 vjetorin e saj, të gazetës së PD-së “Rilindja Demokratike”, e cila ishte gazeta e parë e lirë pas komunizmit, është një tjetër ngjarje e trishtuar.

Ndërkohë që Komisioni i Përkohshëm i dalë nga kuvendi i 11 dhjetorit po ndërmerr hapa për kthimin e selisë së PD dhe përfaqësimin e saj ligjor. Rezistenca ndaj kësaj, siç po shohim nga një grup shumë i vogël ish-zyrtarësh partiakë rreth Bashës, është jodemokratike, e paligjshme dhe kundërproduktive.

Në një klimë ku, gjykatat janë shumë të ndikuara nga qeveria socialiste edhe për shkak të procesit të vetingut në vazhdim dhe kur partia në pushtet ka çdo interes të mbajë grupin e dobët Basha si opozitë zyrtare, beteja ligjore do të jetë e vështirë. Kjo shpjegon edhe pse policia ndërhyri dhe e shpëtoi Bashën duke i lejuar të mbajë selinë e partisë.

Çështja kyç për zhvillimin demokratik në Shqipëri është një opozitë solide dhe konstruktive, duke ushtruar kontroll kundrejt një qeverie në mandatin e tretë me të gjitha sindromat e mundëshme të autoritarizmit e korrupsionit.
Basha pa mbështetje në bazën e PD-së dhe vlerat gati zero në sondazhet e oponionit nuk mund ta bëjë këtë. Mbështetja joparimore e votimit për disa ligje problematike të qeverisë në javët e fundit, nismat e diskutueshme të përbashkëta me qeverinë për ndryshimin e Kushtetutës dhe aludimet për interesa të errëta tregtare, e kanë delegjitimuar më tej Bashën.

Komisioni i Përkohshëm i PD-së përballet me një sfidë madhore për të rindërtuar një opozitë të besueshme; ajo duhet të shihet nga publiku si një alternativë e qëndrueshme pushteti. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit në Shqipërinë post-komuniste, kemi një peisazh politik dypartiak rreth Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste të cilat këmbehen në qeveri dhe opozitë. Një forcë e tretë në ato përmasa nuk duket në horizont.

Ndërsa imazhet e zymta të së shtunës tërhoqën vëmendjen kombëtare dhe pjesërisht atë evropiane, lufta e vërtetë në vend ka të bëjë me frenimin e një regjimi kleptokratik i cili ka centralizuar pushtetin (si dhe ekonominë e median) dhe ka ngritur një rrjet lobimi ndërkombëtar të mirëpaguar.

Genc Pollo
Ish-ministër dhe deputet i Partisë Demokratike
09 dhjetor 2022
Botuar në New Europe

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: