Nga: NATASHA LAKO*
Proverbi i pragmatizmit më të thjeshtë “punën e sotme mos e lër për nesër”, për shumë arsye, duket sikur nuk ka lidhje me këtë shkrim, që duhej të botohej që në 14 shkurt të këtij viti. Ah, do të thoni ju, paska lidhje me festën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve! Në të vërtetë, është nisur për të folur për fotografimin e Tokës, të kryer 25 vjet më parë, në 14 shkurt të vitit 1990, që nga një largësi prej 60 bilionë km larg dhe po shndërrohet si i shkruar në një planet tjetër, atë të pragmatizmit tonë jashtëzakonisht të detajuar dhe rrjedhimisht jashtëzakonisht të ndërlikuar. Në sajë të një pragmatizmi sentimental, nuk ma bënte zemra që të rinjtë dhe të rejat që blinin tufa me lule për njëri-tjetrin, të mos e quanin të rëndësishëm atë pamje të planetit të tyre që kishte tronditur dikur të gjithë botën. Por jo shqiptarët ama, që kishin dhe kanë gjithnjë e përgjithmonë punë nga ato që do të quhen nga politikanët, më prioritare, dhe nga njerëzit fare të papërfillshme në krahasim me pagesën e energjisë. Në një ditë të tillë të këtij pragmatizmi të detajuar në lloj-lloj zgjidhjesh të përditshme, nuk do t’i bënte përshtypje njeriu të shihte, mendova, se si dukej Toka e fotografuar nga roboti me emrin Udhëtari Nr.1, që ende vazhdon udhëtimin e tij me 62.000 km në orë. Sepse klisheja e rëndësisë së ditës së të dashuruarve është më e fuqishme sesa punët e tjera kozmike. Do të më ikte lajmi kot dhe rrjedhimisht edhe kot i gjithë planeti Tokë. Po më rrëmbente edhe mua, jo patriotizmi i flaktë, por pragmatizmi i flaktë. Ky lajm nuk duhet tani për tani. Nuk është i vlefshëm. Dhe pikë. U tregova apo jo sentimentale në ditën e buqetave me lule dhe puthjeve të komercializuara, mendova se ishte më mirë që njerëzit e një vendi ku gruaja poshtërohet dhe përdhoset çdo ditë, të ngrinin në piedestal dashuritë e tyre. Aq më shumë se po bëhet e gatshme një shoqëri që prodhon urrejtjen e kamufluar për seksin e dobët, shenjë edhe kjo e konvertimit dhe e alienimit të dashurisë, për të cilën duhet të ngrihet nga varri vetëm Frojdi që ta shpjegojë. E ndërsa shtoheshin përmbytjet, por edhe deri sot, roboti me emrin Udhëtari Nr.1 vazhdon ende udhëtimin e tij me 62.000 km në orë, gjë që duket sikur nuk ka asnjë lidhje me jetën shqiptare. Aq sa ndonjëherë të duket sikur ne nuk jemi pjesë e ‘asaj pike të vogël të zbehtë’, si e ka quajtur aq bukur Tokën e vendosur në hapësirën e pafund kozmike Sagan, autori i famshëm i serialeve “Kozmos”, të parë nga 500.000.000 banorë të këtij atdheu kaq të vogël dhe pothuaj të padukshëm, që ne shqiptarëve na çliron madje edhe nga inferioriteti i mungesës ose kërkimit të një madhësie tjetër. I vogël apo i pavogël ky vend, shpejtësia jonë e jetës është aq marramendëse sa nuk ke nga ta zësh fillin. Çdo ditë dëgjojmë aq lajme të çuditshme dhe sensacionale, saqë duket vërtet që Tokën si planet duhet ta lëmë fare jetime, si tokat tona të papunuara. E ku e ku rëndësia e reformës universitare, rëndësia po e po e ndarjes administrative, para një planeti të tillë. E ku e ku rëndësia e fjalimeve të politikanëve që për nga megalomania u ngjasin atyre të Koresë së Veriut. E ku e ku gjyqet e famshme, ku puna e sotme lihet për nesër. E ku e ku këmbimi i partive, vendeve parlamentare. Do të thoni ju: ky është pragmatizmi. Do të thosha unë: pragmatizmi ynë, madje verbues, paçka se në plan planetar të gjitha gjërat e humbin rëndësinë fare. Është vërtet një fotografi që, jo vetëm shkencëtarët, por gjithë njerëzit mund t’i bëjë skeptikë. Në fakt, skeptikë në këtë vend u takon të jenë jo shkencëtarët, por të varfrit, skeptikë kur kuptojnë rrezikun se mund të mbeten të varfër përgjithmonë. Dhe pragmatistë, ata që kanë mundësi të zgjidhin problemet dhe interesat e tyre, paçka se thelbin pragmatist e kanë mësuar nga ata që luftojnë me urinë për të pasur një copë bukë. E përse të jetë pragmatizmi ynë vetëm si një veprim i duhur në kohën e duhur, kur është më e lehtë të konvertohet si aleancë edhe me djallin, me kokainën për shembull. Po, është e vërtetë se duhet të jesh shumë i kujdesshëm, kur t’u kujtosh njerëzve, sidomos në Ballkan, se roboti që mban emrin Udhëtari 1, i ka dërguar jo vetëm NASA-s, por çdo njeriu, fotografi të mrekullueshme të përtej sistemeve tona planetare. Dhe se Sagan u kujdes gjithashtu që ky robot të pajisej me aparatura me mundësi për t’u lëshuar mesazhe ekstraterrestëve, duke parashikuar edhe rastet katastrofale të rreziqeve kozmike, që rekordet e robotit të mund të grumbullonin përsëri të dhëna. Shumëkush mund të shtrojë pyetjen se, ç’na duhet ne se çfarë regjistruesish i kanë vënë një roboti, kur dy policë të lagjes sime i kërkuan vetëm disa ditë me parë një njeriu, si thotë shtypi, vetëm 1000 lekë, sa për të pirë një kafe me bisht, si thoshin dikur. Aq sa të duket se këta dy policë sapo janë lëshuar në galaktikat e të gjithë botës. Ka mundësi që në gazetat e Ballkanit më i rëndësishëm të jenë Shesheli, Maria Le Pen. Sepse edhe gjuha është pragmatiste. Ekzistojnë proverba si “gjuha kocka s’ka dhe kocka thyen” apo “ku dhemb dhëmbi vete gjuha”. Po mua, ku më dhëmb gjuha xhanëm, që marr guximin të flas në një shkrim për punët e robotëve? As nuk më kanë thënë shumë herë se, ç’të duhet që shkruan libra kur nuk prodhon dot para. Duhet të kem guxim të jashtëzakonshëm, që të them se po flas për një përkujtim të madh fotografie. Po marr guximin që t’ju them. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj… Duke marrë në konsideratë detyrat tuaja të shumta, pragmatike, por gjithsesi jashtëzakonisht shtetërore. Duke marrë parasysh se ekzistojnë të gjitha presionet që në të ardhmen të mos ketë më informacion publik por vetëm privat… mos e humbisni kohën tuaj të çmuar… Në kuadër të mundësisë së ardhshme për tendera për ekskluzivitet të qarkullimit të informacionit… Zakonisht, një shkrim që përdor kaq politesë dhe që tingëllon si një lutje, duket si inferior. Aq më tepër që, gjithçka që përmendet nga viti 1977, do të kujtojë menjëherë, ja heshtjen terrorizuese të pos Festivalit të 11-të, ja rrëzimin përfundimtar të puçistëve shqiptarë, por jo zbulimet e NASA-s. E ç’rëndësi ka që ti po thua se Karl Sagan e ka quajtur i pari planetin Tonë: një pikë e zbehtë blu. Sa pare ka marrë kur e ka botuar. A, ti po i kthehesh vitin 1977. Iu hoqën dekoratat aksh njeriu. A s’ka edhe dhjetëra shkrime që njerëzit i porosisin për vete. As quhet edhe kjo Piar. As paguajmë për këtë Piar. Edhe lobingjet që do t’i bëjnë qeveritë tona edhe më të mira. As kemi me mijëra dhe mijëra faqe në kujtim të akteve të juntës sonë kundër njëri-tjetrit, frikën nga ushtria, ndoshta si ankth i ca juntave të tjera të djathta që asokohe pothuaj ishin vetëm ballkanike, si ka qenë frika se mund ta marrin të deklasuarit pushtetin, frika se mos ta merr pala tjetër, frika nga agresionet, shih tani Ukrainën, ose parapërgatitja e vazhdueshme për ta mbajtur pushtetin, masat e vazhdueshme për të siguruar një mandat tjetër. E ç’na duhet ne kjo pikë e vogël dhe e zbehtë blu?! Kemi mijëra vjet që diskutojmë vetëm për pushtetin. Dhe pse jo! Pika të vogla Platoni (jo Plutoni) jemi edhe ne, që kur ai shkroi “Republikën”, Pika të Makiavelit që kur shkroi ai Princin e vet, pavarësisht se inatin e kishte me pushtetin e kishës, por kjo nuk duket tani aq prioritare përpos metodave të mjeteve që justifikojnë pushtetin. Mund të zgjedhim gjithashtu për të qenë pika niçeane të mbinjeriut, pika… Pika të pikës që s’të bie. E mira jonë është të flasim për autobusë të tërë, por ama edhe gjysmëkontrabandistë që nisen përsëri që shqiptarët të kërkojnë shpresat e tyre, njësoj si suedezet e dikurshëm të kohës së mjerimit. Asnjëherë nuk do të na duhet ky planet që nuk duket fare. Duhet të kapërcesh me tepër se njëzet e pesë vjet ngjarje të puceve dhe të antikuçeve të kohës totalitare, të heqësh mënjanë atë grabitjen e madhe të bankës, Grabitjen 1, Grabitjen 2, Grabitjen 3 (janë vetëm dy robotë, Udhëtari 1 dhe Udhëtari 2, që janë nisur në kozmos) që të arrihet të citohet një ditë me shumë vështirësi edhe se çfarë ka thënë një shkrimtar i fantashkencës dhe konsulent i Kubrick në filmin e famshëm “Odisea 2001”. Mos u trembi. Jemi edhe ne aty brenda në këtë koment. Nuk mund të mos na integronte edhe ne ai që ka dashur të integrojë edhe ekstraterrestët. Dhe ja ç’thotë, dhjetëra vjet më parë edhe për ne. “Nga kjo pikë e largët vrojtimi Toka mund të mos duket me ndonjë interes të veçantë. Por për ne është ndryshe. Konsiderojeni këtë pikë edhe njëherë. Që është këtu. Që është shtëpi. Që është ne. Mbi të, çdo njeri që ju doni, çdo njeri që njihni, çdo njeri për të cilin ju kini dëgjuar, çdo qenie njerëzore që ka ekzistuar ndonjëherë, – secili duke jetuar jetën e tij. Agregati i gëzimit dhe vuajtjes sonë, i mijëra besimeve, ideologjive dhe doktrinave që dimë, gjahtar ose që paraprin, çdo hero dhe helaq, çdo krijues dhe çdo shkatërrues i civilizimit, mbret dhe katundar, çdo çift i ri i dashuruar, çdo mëmë dhe atë, fëmijë i mbushur me shpresë, shpikës dhe eksplorues, çdo mësues morali, çdo politikan i korruptuar, çdo “super star”, çdo “udhëheqës suprem”, çdo shenjt dhe mëkatar në të gjithë historinë e specieve tona, është nderë në gjendje grimce atje në atë furi diellore.” Epo, pranoni o burra dhe gra të këtij dheu, se para se të na integrojnë në qytetërimin e tyre politikanët, na ka integruar brenda një pike të vetme edhe këndvështrimi i shkencëtarëve, me gjithë të mirat dhe të këqijat tona. Menjëherë më shkon mendja te politikanët e Parlamentit Europian, që debatojnë për fatet tona, si edhe këto ditë, dhe që, me përjashtim të ndonjë si Doris Pack a Doul, e kanë zbuluar fotografinë e planetit Tokë, kësaj pike të vogël dhe të zbehtë, tepër-tepër vonë, sepse janë shumë-shumë të rinj. Pra, jo me ndonjë diferencë të madhe nga koha e botimit të këtij shkrimi. Ja pse, më në fund po ngutem ta botoj, pavarësisht nga problemet e tjera edhe më pragmatiste që kanë dalë përpara. Që të mos ngushtohet edhe më, diferenca jonë me europianët e tjerë, jo në institucione, por në informacionin tonë pragmatik. Le të na kullufisë kozmosi edhe ne i pari.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: