Mask Velo u nda nga jeta 3 javë më parë, por ëndrra e tij, për të cilën punoi gjer në ditët e fundit, para se të sëmurej, u bë sot realitet. Ajo ishte kinemaja e Laprakës, të cilën e kishte projektuar që në vitet ’70, por pas viteve ’90 ishte lënë në harresë, e më pas ishte shkatërruar, për t’u zaptuar e kthyer në një hedhurinë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Arkitekti punoi deri vonë për rikonstruksionin e saj, për ta kthyer në identitet, e vetëm sot ajo u hap. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, motra e Maks Velos, Diana, dhe miku i ngushtë i tij, regjisorit Kujtim Çashku, inspektuan përfundimin e punimeve të kinemasë, e cila tanimë mban edhe emrin e arkitektit të mirënjohur.

“Kur shtohet një kinema në Tiranë, për qytetin është një ditë e mrekullueshme, por është dy herë më e mrekullueshme kur i shtohet një kinema e projektuar nga Maks Velo, e cila nga sot, në nder të tij, do të quhet kinemaja “Maks Velo” në Laprakë. Sa ishte gjallë, Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë, madje mbaj mend një nga bisedat në atë kohë më të, kur thoshte: ‘Shiko, shumë mirë që po i bëni këto kanalizimet e ujërave të bardha e ujërave të zeza, rrugët dhe trotuaret, këndet e lodrave, por qyteti nuk jeton vetëm me llaç e tulla, qyteti jeton edhe me art, me kulturë, me filma, me teatër dhe nevojat e tjera për ushqimin shpirtëror”, u shpreh Veliaj.

Kinema “Maks Velo” do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike. Ajo do u vijë në ndihmë artistëve të rinj, të cilët mund t’i përdorin këto mjedise për të shfaqur prodhimet e tyre.
E emocionuar nga përfundimi i projektit, motra e Maks Velos, Diana, tha se kujtimi i tij dhe vepra artistike që la pas, do të mbeten të paharruara. “Jam shumë e emocionuar, e gëzuar, e mallëngjyer, për këtë nder të madh që i bëni vëllait tim. Falenderoj kryetarin e bashkisë, faleminderit miqve italianë, falenderoj Ministrinë e Kulturës. Kujtimi i Maksit, vëllait tim, do të mbetet i paharruar”, tha ajo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: