DIVJAKE – Në fshatin Çermë të njësisë administrative Divjakë, ka përfunduar në kohë rekord ndërtimi i një ure “Bejli”, e cila do t’iu shërbejë banorëve të kësaj zone.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka inspektuar nga afër punën e bërë për ngritjen e kësaj ure, ku është pritur nga deputeti zonës, Erjon Braçe dhe autoritete të pushtetit vendor. Duke folur për punën e kryer për ndërtimin e urës, ministrja Kodheli u shpreh se, kjo është një urë që në kushte normale dhe brenda mundësive teknike që disponohen do të mund të ngrihej jo më shpejt se një javë, por në fakt ajo u ngrit për në një kohë rekord, brenda 30 orëve. Kjo falë angazhimit dhe impenjimit maksimal të forcave ushtarake dhe bashkëpunimit të ngushtë me pushtetin lokal dhe banorët e kësaj zone.

“FA dhe Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojnë të jenë pranë njerëzve në nevojë, për të ndërtuar ura të tjera komunikimi dhe për të ndihmuar për përmirësimin e kushteve të jetës së tyre”, – u shpreh ministrja Kodheli.

Ajo falënderoi edhe njëherë forcat ushtarake, firmat private dhe të gjithë ata që morën pjesë dhe u angazhuan në përmirësimin e situatës së krijuar ditët e fundit nga reshjet e dendura të shiut.

Ndërsa deputeti Braçe në cilësinë edhe të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, pasi falënderoi FA për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit për përballimin e situatave të përmbytjeve, theksoi se, çdo qindarkë që jepet për Mbrojtjen është e vlefshme, e dobishme dhe jetike pasi shkon në interes të komunitetit dhe kjo duhet të kuptohet e vlerësohet mirë nga të gjithë, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: