TIRANE – Në Akademinë e Shkencave është përuruar vepra leksikografike e Thimi Mitkos, botim i Akademisë së Shkencave, pjesë e kolanës “Trashëgimi Kulturor i Popullit Shqiptar”, përgatitur nga prof.dr.Dhori Qirjazi. Ky është një botim i mirëfilltë filologjik, realizuar me një nivel të lartë shkencor.

“Me këtë punë Dhori QiRjazi ka rizbuluar Thimi Mitkon si leksikograf dhe e ka shpëtuar veprën e tij nga harresa dhe nga humbja”, këto ishin fjalët e akademik Jorgo Bulos në fjalën e tij, në ceremoninë e zhvilluar më 28 mars.

Për të përgëzuar punën prej “murgu”, siç edhe u cilësua puna e prof. Dhori Qirjazit, folën edhe akad. Francesco Altimari, prof. Emil Lafe dhe prof. as. Aristotel Spiro.

“Fjalëtorja” e Thimi Mitkos është një monument i shqipes, një vepër madhore e ndërmarrë prej tij si pjesë e programit kulturor të Rilindjes, jo vetëm për të dëshmuar vlerat identitare të kombit, por dhe për të vënë themelet e kulturës kombëtare dhe të gjuhës letrare, me vepra bazale si alfabeti, gramatika dhe fjalori.

“Fjalëtorja” përmban rreth 6000 fjalë lema,të cilat me vjeljen e brendshme të fjalorit, shkojnë në dyfishin e tyre, po aq sa fjalori i Kristoforidhit. Jo vetëm ky fakt, por edhe vlerat e tjera të veprës, e bëjnë “Fjalëtoren” e Mitkos gati të një rëndësie me atë të Kristoforidhit,e cila vuri bazat e leksikografisë shqipe, si një fushë pak e lëvruar e albanologjisë shqiptare.

Duke qenë dygjuhëshe, vepra leksikografike e Mitkos fiton dhe një përmasë ballkanike, si një vepër me interes jo vetëm për albanologjinë, por edhe për ballkanistikën.

Në fund, studiuesi dhe përgatitësi i kësaj vepre Dhori Qirjazi, foli për përvojat vetjake gjatë përgatitjes së këtij botimi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: