Pjesa e Tretë/ Në Shënjestër

Përvetësimi i trojeve në bregdetin e Durrësit, nga ‘Rrumi’, duket se nuk i kishte shpëtuar grupit tjetër rival në qytet. Tri gra mësohet se trokitën një ditë në derën e Plaurent Dervishajt, ku i kërkuan këtij të fundit që t’i ndihmonte për të rimarrë pronat e tyre ne bregdet, prona të cilat pretendonin se u ishin zaptuar nga ‘Rrumi’.

Një hetim i nisur nga SPAK shpejt do të rezultonte në një grup të strukturuar kriminal, të cilët kishin falsifikuar duke shfrytëzuar postin publik, me dhjetëra troje në bregdet. Falsifikime të cilat ishin bërë për llogari të ‘Rrumit’ që në dosjen hetimore identifikohet si Aleksandër Laho. Për këtë qëllim, SPAK, kërkoi më 6 nëntor 2021, lejimin e kontrollit të banesës të 7 personave të përfshirë në këtë aferë, midis tyre edhe punonjës të Kadastrës së Durrësit.

Procedimi penal i mësipërm është regjistruar mbi bazën e të dhënave të përfituara nga akti i ekspertimit të aparatit telefonik të sekuestruar në funksion të procedimit penal nr. 184 të vitit 2019.

Sipas grupit hetimor të gjitha falsifikimet ishin kryer në trojet në zonën e Lalzit në Durrës, të cilat ishin në pronësi të shtetit dhe që ishin tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara. Skema kriminale u zbardh pas këqyrjes së njërit prej celularëve që u gjet në makinën e prokurorit Ndoj pas atentatit.

Nga akti i ekspertimit teknik kompjuterik Nr.118845, datë 15.11.2019 janë përftuar foto dhe video të cilat paraqesin dokumente që lidhen me toka bujqësore dhe toka truall si: Akte të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), certifikata për vërtetim pronësie, kartela të pasurive dhe harta treguese të regjistrimit të pasurive të cilat siç ka provuar dhe hetimi i deritanishëm ndodhen në fshatin Lalëz, Durrës.

Disa nga fotot që u gjetën në memorien e telefonit të eksportuar i përkasin një sërë pasurive.

Nga këqyrja që iu bë volumit 4 të zonës kadastrale nr. 2375 Lalëz, Durrës rezultoi se pasuritë e mësipërme paraqisnin probleme në regjistrimin e tyre të cilat konsistonin në dyshimin se fletët e regjistrit të volumit nr. 4 ku ishin regjistruar këto pasuri, kishin korrigjime në zërin kadastral.

U bë sekuestrimi i volumit nr.4 i ZK. 2375 dhe nga verifikimi i fletëve të volumit nr.4, rezultoi se përveç pasurive të identifikuara nga fotot e nxjerra nga akti i ekspertimit nr.11845 datë 15.11.2019 u identifikuan edhe pasuri të tjera të cilat paraqitnin të njëjtën problematikë, atë të korrigjimit të zërit kadastral ose që lidheshin me origjinën e njëjtë të pasurive të dyshuara si të falsifikuara.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Hetimi i mëtejshëm i tjetërsimit të pronave në bregdetin e Durrësit, nxori në pah edhe mënyrën se si ishin regjistruar pronat bujqësore me dokumente të falsifikuara, ku midis emrave të përfshirë është edhe Agron Bejdolli, bashkëpunëtori i ngushtë i ‘Rrumit’. Ai i cili në atentatin ndaj këtij të fundit, të ndodhur më 1 nëntor 2019, mohoi fillimisht të kishte njohje me të, por që në vijim të hetimeve rezulton se është një nga ndihmësit kryesor të ‘Rrumit’, në përvetësimin e pronave në bregdet.

Konkretisht u bë verifikimi i disa pasurive në Lalëz, ku nga veprimet procedurale të kryera rezultoi se pasuritë e llojit tokë bujqësore janë regjistruar në regjistrat kadastralë mbi bazë të dokumenteve të falsifikuar.

Nga hetimet ka rezultuar se disa nga shtetasit e përfshirë në falsifikimin, regjistrimin apo kanë kryer transaksione me pasuritë në fjalë janë edhe: Bedri Luku me detyrë ish- Regjistrues i ZVRPP Durrës, Mikel Zaho me detyrë ish-specialist jurist në ASHK Durrës, Vlash Brahja, Altin Haruni, Agron Bejdolli, Lisandër Xhizdari, Asllan Arapaj dhe Ber Begeja.

Nga hetimet rezulton se pronat regjistroheshin në emrat e fshatarëve të zonës. Kjo, me ndihmën e zyrtarëve shtetërore, në një kohë që përfitues direkt ishte ‘Rrumi’, persona të përfshirë të cilët ishin të gjithë lidhje apo njohje e tij.

“Mikel Zaho ka pranuar dhe përpunuar dokumentacionin në kundërshtim me ligjin si dhe ka hedhur të dhënat në sistemin ALBSCAD të ASHK-së.

Altin Haruni ka bërë blerjen e pasurisë nr. 149/4 dhe më pas ka bërë regjistrimin në kundërshtim me ligjin të kësaj pasurie në emrin e tij.

Gjithashtu rezulton se më datë 17.12.2017 është ndëshkuar me gjobë nga policia rrugore duke qenë drejtues i mjetit me targa AA845SI, në pronësi të Agron Bejdolli.

Agron Bejdolli si person i autorizuar me prokurorë nga Qemal Hyzoti ka bërë shitjen e pasurisë nr. 145/6  të shtetasit Ber Begeja si dhe ka bërë pagesën e taksës së shërbimit pranë ish-ZVRPP Durrës për pasuritë nr. 176/7 (M. B.), nr.176/8 (M. GJ.), nr.145/4 (T. LL.). Gjithashtu ky shtetas në datën 01.10.2019 ka dalë jashtë shtetit së bashku me Asllan Arapaj.

Sipas SPAK secili prej të dyshuarve kishte një rol specifik në grupin kriminal të tjetërsimit të pronave dhe vepronin në mbikqyrjen e Pëllumb Muharremit.

“Lisandër Xhizdari ka bërë pagesën e taksës së shërbimit në zyrën postare për pasurinë nr. 146/1 si dhe rezulton që në datën 17.01.2018 të ketë udhëtuar jashtë shtetit me Altin Harunin dhe Osman Muharremin.

Asllan Arapaj ka bërë pagesën e taksës së shërbimit për regjistrimin e  pasurisë nr. 148/2, pasuri që është blerë më vonë nga Ber Begeja. Ky shtetas në datën 01.10.2019 ka udhëtuar jashtë shtetit së bashku me Agron Bejdollin dhe Osman Haki Muharremi.

Ber Begeja ka bërë blerjen e pasurisë nr. 148/2 nga shtetasi Pjetër Brahja dhe të pasurisë nr.145/6 nga shtetasi Qemal Hyzoti (autorizuar me prokurë nga Agron Bejdolli).

Ishte ky hetim që çoi edhe në sekuestrimin e mijëra metrave katrorë që ishin përvetësuar në mënyrë të padrejtë nga ana e këtij grupi që sipas SPAK kishte arritur që përmes një skeme kriminale të bënte të mundur që të siguronte një zinxhir dokumentesh të falsifikuara me qëllim që të regjistronte pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë siç është fshati Lalëz, në Durrës.

“Hetimi i deritanishëm ka krijuar dyshime se një grup i mirë strukturuar kriminal ka arritur që përmes një skeme kriminale të bëjë të mundur që të sigurojë një zinxhir dokumentesh të falsifikuara me qëllim që të regjistrojë pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë siç është fshati Lalëz, Durrës.

Kjo skemë kriminale i ka fillimet që nga ndërhyrjet falsifikuese në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, në ndërhyrjet falsifikuese në Regjistrin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, falsifikimin e komunikimeve shkresore mes Qarkut dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme etj…

Gjithashtu këto falsifikime janë shoqëruar edhe me bashkëpunimin e Zyrtarëve të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të cilat në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe aktet nënligjore që normojnë regjistrimin e pasurive të paluajtshme kanë bërë të mundur që këto pasuri (të cilat duhet të ishin në pronësi të shtetit) të kalojnë në emër të grupit të strukturuar kriminal që fshihet pas këtyre regjistrimeve dhe falsifikimeve.

Siç edhe më lart është arsyetuar rezulton se pas këtyre veprimeve kriminale qëndrojnë të njëjtët subjekte.

Të dhënat e përftuara si dhe kryerja e transaksioneve të pasurive të paluajtshme pothuajse në të njëjtën periudhë apo edhe tek i njëjti noter krijojnë dyshimin se kemi të bëjmë me një grup të mirë strukturuar kriminal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb