Kreu i PD, Lulzim Basha ka përkujtuar poetin Havzi Nela i cili 33 vite më parë u vra nga regjimi komunist në Shqipëri.
Basha shkruan se poeti kuksian sfidoi asojkohe jetën dhe veprën e tij, diktaturën.

Ai thotë se në këtë ditë të kujtosh nuk do të thotë të harrosh, por të jetosh në përmbushje të amanetit të lirisë.
Lideri demokrat siguron që zemërzjarrtë dhe të gatshëm shqiptarët janë gati për të bërë çdo betejë për liri dhe Shqipërinë demokratike dhe europiane.

STATUSI NGA LULZIM BASHA
33 vite më parë, regjimi gjakatar komunist në Shqipëri ndërmori një nga aktet më barbare, duke ekzekutuar me varje në litar poetin, mësuesin dhe intelektualin, Havzi Nela.
Ekzekutimi mizor u krye në grahmat e fundit të bishës totalitare. Atëherë kur era e lirisë po sfidonte ideologjinë kriminale që ndau Europën dhe kur spazmat e diktaturës ishin të dukshme kudo, dënimi me vdekje i poetit disident në prag të zhvillimeve demokratike, ishte një akt sa për të goditur shpirtin e rezistencës, aq edhe hakmarrje ndaj guximit me të cilin Havzi Nela sfidoi me jetën dhe veprën e tij diktaturën.
Kjo hakmarrje primitive u bë për t’i fshehur shqiptarëve dhe botës mbarë ekzistencën e njerëzve si Havzi Nela që edhe në ditët më të errëta të regjimit totalitar, qëndruan me sytë nga Perëndimi, duke i kënduar lirisë dhe demokracisë, në mbrojtje të rrënjëve tona, që “lindin aty ku dielli perëndon”.
Mirëpo atë që nuk e bëri dot burgu, tortura dhe internimi, nuk e bëri dot as vrasja, e cila e përjetësoi Havzi Nelën, sepse frika me të cilin regjimi sundonte, nuk qe kurrë më e fortë se dashuria për liri, demokraci dhe atdhe.
Në këtë ditë, të kujtosh nuk do të thotë thjesht të mos harrosh, por të jetosh në përmbushje të amanetit të martirit të lirisë.
Vetëdija patriotike e Havzi Nelës se regjimi lirivrasës ishte i papajtueshëm me shpirtin e shqiptarit, është një mësim i vlefshëm për të gjitha kohërat, e në veçanti kur koha ka sjellë në trajta të tjera regjimin dhe bijtë dhe bijat e papenduar të xhelatëve të Havzi Nelës. Ne mësojmë nga jeta dhe vargjet e tij se asnjë regjim nuk është i përjetshëm, se detyra e secilit është të ngrejë krye me guxim, kurdo dhe kudo, kur liritë dhe të drejtat dhunohen dhe perspektiva perëndimore e Shqipërisë rrezikohet.
Mbi të gjithë na rëndon pesha e përgjegjësisë jo vetëm për të nderuar patriotin e pathyeshëm dhe poetin martir, por për tu ngritur në lartësinë e veprës kurajoze të Havzi Nelës. Zemërzjarrtë dhe të gatshëm për të bërë çdo betejë për liri dhe për Shqipërinë demokratike dhe europiane.
Lavdi përjetë Havzi Nelës!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: