* Protesta mbyllet e qetë e pa incidente, protesta e ardhshme më 27 shkurt
* Policia blindon Prishtinën
* VV: Policia po kthen shqiptarët në Morinë
* Vetëm flamuj kuq e zi

KOSOVË- Opozita kosovare protestoi sot kundër qeverisë dhe dy marrëveshjeve të bëra prej saj: Asociacioni i Komunave serbe, ose Zajednica dhe demarkacioni me Malin e Zi. Por ka edhe shumë arsye të tjera që kanë ngritur sot opozitën dhe mbështetësit e saj më këmbë në këtë 8-vjetor të Pavarësisë. Protesta e nisur në orën 14:00, është përmbyllur në orën 16:00, e qetë dhe pa inciendetem ndërsa është njoftuar edhe protesta e radhës, e cila parashikohet të zhvillohet në 27 shkurt.

Pamjet dhe fotot e publikuara nga mediat kosovare tregonin për një grumbullim masiv të qytetarëve kosovarë.

Në krye të protestës është edhe ish-lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, emri i të cilit thirret vazhdimisht nga turma. Bashkë me të është edhe Kreu i VV, Visar Ymeri. Në protestë nuk ka flamuj të Republikës së Kosovës por vetëm të Shqipërisë. Gjithashtu protestuesit mbajnë në duar kartonë të kuq ndaj qeverisë.
Kosove ok 3
Protestuesit kanë hedhur parulla kundër qeverisë, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi. “Isë, Isë, argati i Serbisë!”; “Albin Kurti ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke!”; “Poshtë qeveria e Kosovës!”; “Isa, Hasha-Esat Pasha”; “Poshtë Zajednica!” kanë qenë disa prej thirrjeve. Por nuk kanë munguar as këngët me vargje si:

Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit e Albin Kurtit janë nis’ me marrë nuse

Që prej mëngjesit Policia e Kosovës ka filluar përgatitjet e tyre për këtë protestë. Pothuajse në çdo objekt të ministrive shihen policë duke qëndruar pranë.
PROTESTA LIVE

HARADINAJ: KEMI KUORUM PËR TA RRËZUAR QEVERINË
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i cili i është bashkuar protestës me gjithë familjen ka deklaruar se opozita ka kuorum të mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë. Ai, i tha këto fjalë duke u bazuar në numrin e madh të protestuesve që i janë bashkuar sot protestës.

Haradinaj proteste

SNAJPERISTËT MBI KUVEND
Policia ka ndërmarrë masa të rrepta në lidhje me protestën që sapo ka filluar.
Mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës shihen edhe snajperistë të cilët po vëzhgojnë situatën në sheshin “Skënderbeu” pranë ndërtesës së Qeverisë.
Protestuesit kanë filluar të nisen nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës drejt sheshit kryesor të Prishtinës.
Protesta e organizuar nga opozita po mbahet në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Policia Kosove ok

AAK: PROTESTA DO TË JETË E QETË DHE MADHËSHTORE
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi ka thënë se protesta e sotme do të jetë paqësore dhe qëllimi i saj është populli të shndërrohet në vendimmarrës në rastin e krizës politike.

“Mijëra qytetarë tashmë janë mbledhur në Prishtinë, ndërkohë që po vijnë edhe mijëra të tjerë. Masa e tubuar deri me tani, flet se kjo do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë, thuhet në deklaratën e AAK-së.

Po sipas AAK-së, me ditën e sotme, Qeveria e Kosovës e ka përfunduar mandatin e saj dhe prej sot ata më nuk mund të vendosin për të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit. “Kjo është festa më e madhe, sepse po i jepet fund një qeverisjeje të keqe për Kosovën”, përfundohet në komunikatën e kësaj partie.

FATMIR LIMAJ NË PROTESTË ME FLAMUR TË KOSOVËS
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj është nisur nga selia e partisë së tij me grupin e zyrtarëve të Nismës.

Por ajo që bie në sy është fakti se Limaj dhe të tjerët nga Nisma mbajnë flamuj të Kosovës, e që është e kundërta e asaj që proklamojnë krerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të AAK-së. “Shihemi në shesh, të protestojmë për shtet me sovranitet!”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Limaj

KREU I KOMUNËS SË PRISHTINËS SHPEND AHMETI NË PROTESTË, PËRSHËNDETET ME POLICINË
Qytetarëve në protestë iu është bashkuar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Fillimisht ai ka përshëndetur Policinë e Kosovës të cilët sot janë në numër të madh. Protesta e organizuar nga tri partitë opozitare pritet që të fillojë në orën 14.

shpend ahmeti proteste

POLICIA ARRESTON PESË PERSONA, ME VETE KISHIN BENZINË DHE HUNJ
Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, pasi tek ata ka gjetur bidonë me benzinë. Të dyshuarit të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një veturë të tipit BMW me targa RKS 03, fillimisht janë ndalur para Gjykatës Kushtetuese dhe pas kontrolleve tek ta është gjetur sasi e lëndës djegëse dhe hunj.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar edhe zyrtari për informim në Policinë e Kosovës Daut Hoxha, por nuk ka dhënë detaje më shumë.

KURTI: PRANVERË E RILINDJES SË DEMOKRACISË
Ish-lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili po merr pjesë në protestë tha se kjo do të jetë pranverë e rilindjes së demokracisë. Ai tha se kërkojnë që pavarësia të jetë e mbushur me sovranitet e zhvillim ekonomik, të eliminohet korrupsioni, duke filluar prej qeverisë.

Kurti tha se Zajednica ka vdekur, ka marrë fund, e do të marrë fund edhe kjo qeveri. Lidhur me mbajtjen e flamujve kombëtar dhe jo atij shtetëror, Kurti tha se populli e di më së miri cilin flamur ta mbajë. Ai tha se protesta do të jetë paqësore.

Albin Kurti proteste

SHQIPTARI I KTHYER NË MORINË: POLICIA KOSOVARE ARRESTOI SHOKUN TONË PA ASNJË ARGUMENT
Fabio Gjini, një nga të ndaluarit e autobusit të nisur nga Shqipëria për në protestën që mbahet sot në Prishtin tregoi për News24 gjithë dinamikën e ngjarjeve. Ai ka thënë se një prej protestuesve është arrestuar nga policia pa asnjë argument, ndërsa një tjetri i kanë bërë me dije se përbën rrezikshmëri për rendin publik.

“Sot në orën 7 të mëngjesit një grup qytetarësh nga Shqipëria janë nisur nga Tiranë për të shkuar në protestë në Prishtinë. Në momentin kur kemi kaluar doganën e Kukësit, policia Kufitare e Kosovës ka kthyer autobusin dhe ka ndaluar Amzain. Rodonit i kanë bërë me dije se përbën rrezikshmëri të lartë për rendin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Autobusi është shoqëruar për t’u larguar nga territori i Republikës së Kosovës. Në autobus janë gjetur banderola e parulla. Por nuk janë dhënë këto banderola për arsye. Arrestimi i Amzait është bërë pa asnjë lloj argumentimi. Ne jemi kthyer në Shqipëri, jemi pranë doganës së Kukësit. Po përpiqemi të shpërndajmë lajmin me të gjitha mediat dhe po komunikojmë me të gjitha institucionet përkatëse që t’i vëmë në dijeni për këtë ngjarje dhe të merren masa”, tha Gjini.

VV: POLICIA E KOSOVËS NDALON SHQIPTARËT TË HYJNË NË KOSOVË
Vetëvendosje njoftoi se sot rreth orës 11:00 në pikën doganore të Morinës, Policia e Kosovës ka arrestuar protestuesit që po vinin nga Tirana për të marrë pjesë në protestën e 17 shkurtit në Prishtinë.

Vetëvendosje thekson se si fillim ata kanë kontrolluar autobusin, ku kanë gjetur parullat protestuese, ndërkaq, më pas i kanë shoqëruar tre vetë nga pjesëmarrësit në zyrën e policisë.

“Protestuesit e tjerë janë kthyer me gjithë autobus në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk iu është lejuar hyrja. Më pas Policia e Kosovës ka lëshuar një dokument në të cilin e ka shpallur person të rrezikshëm Bashkim Rodonin, dhe ia kanë ndaluar hyrjen në Kosovë. Bashkim Rodoni është artist, regjisor e muzikant”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, një tjetër pjesëmarrës, Gent Amzain e kanë arrestuar dhe kanë njoftuar se do ta çojnë në paraburgim në Prizren. Gent Amzai, nga Struga, është student i filozofisë në Tiranë.

“Të tjerëve ende nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje se pse po i ndalojnë. Ky veprim i Policisë së Kosovës është i turpshëm, dhe synon vazhdimin e politikës famëkeqe të distancimit të Kosovës prej Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

OPOZITA: PROTESTA PAQËSORE, MË MASIVJA QË PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË
Partitë opozitare kanë vlerësuar se protesta e cila do të mbahet sot, në ora 14:00 do të jetë më masivja që nga paslufta.

Visar Ymeri, udhëheqës i lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë ditë më parë se qytetarët e Republikës nuk e kanë ndërmend as ta tolerojnë një qeveri që rrezikon rendin kushtetues për t’ia krijuar Serbisë hapësirën për ndërhyrje politike dhe territoriale në Kosovë e as ta tolerojë faljen e tokave të Kosovës, një shteti të tretë, siç është rasti me Malin e Zi.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se pushteti aktual është në panik, ndërsa populli është entuziast dhe i guximshëm dhe sipas tij, ndryshimet po vijnë pikërisht prej popullit.

Ai tha se protesta e nesërme do të jetë më masivja që nga përfundimi i luftës. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj një ditë më parë iu ka bërë thirrje grave të opozitës që të marrin pjesë në protestën e nesërme.

“Ju duhet të merrni pjesë patjetër në këtë protestë duke marrë parasysh gjendjen e gruas në Kosovë”, ka shtuar ai. Ai garantoi se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore.

Edhe kryetari i NISMË-s, Fatmi Limaj, ka kërkuar që protesta të jetë paqësore. “Do të protestohet për shtet me sovranitet dhe do të kërkohet dorëheqja e këtij koalicioni aktual qeverisës që refuzon të jep përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës, me nënshkrimin e marrëveshjeve që ka bërë”, ka thënë Limaj.

POLICIA MBLIDHET NË SHESH, E GATSHME PËR PROTESTË
Ora 8:30- Policia e Kosovës e gatshme për protestën e sotme të organizuar nga opozita. Nga fotografitë e realizuara nga Botasot shihet se Policia tashmë ka zënë pozitat e tyre për të ruajtuar kryeqytetin për çfarëdo rasti që mund të ndodh. Sot shënohet edhe 8-vjetori i pavarësisë së Kosovës, ku pritet që një numër i madh i qytetarëve t’ia mësyjnë kryeqytetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb