Autoritetet kineze kanë forcuar masat e sigurisë rreth sheshit Tiananmen në Pekin, 34 vjet pas goditjes ushtarake ndaj studentëve që protestonin pro-demokracisë në kryeqytetin e Kinës. Pekini nuk lejon që ngjarjet e vitit 1989 as të diskutohen, masa që tani po zbatohen në masë edhe në Hong Kong. Megjithatë kjo nuk i ka ndaluar qytetarët të dalin në rrugë, akt që ka shkaktuar edhe arrestimin e dhjetëra prej tyre.

Në mesin e të arrestuarve, ndërsa raportohet për të paktën 12 persona të marrë nga autoritetet policore, ishte edhe aktivistja 67-vjeçare Alexandra Wong, e njohur gjerësisht si “Gjyshe Wong”.

Mes një mbrëmjeje të tensionuar në Hong Kong, ajo u arrestua pranë Victoria Park, teksa mbante në duar lule.
Udhëheqësi i një prej partive kryesore opozitare të Hong Kongut gjithashtu është arrestuar dhe vendosur në një furgon policie.

Chan Po Ying, një aktivist veteran pro-demokracisë që kryeson partinë e Lidhjes së Social Demokratëve, mbante në duar në momentin e arrestimit një qiri dhe dy lule.

Ka gjithashtu raporte se Mak Yin Ting, ish-kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Hong Kongut, është arrestuar.

Të tjerë janë arrestuar teksa mbanin në duar qirinj të pandezur ose ishin të veshur me rroba të verdha, ngjyra e lëvizjes pro-demokracisë tashmë të shpërbërë.

Në përpjekje për të ndaluar përkujtimin e ngjarjes, autoritetet kineze kishin vendosur pika kontrolli shtesë përgjatë rrugës kryesore që të çon drejt sheshit Tiananmen. Vizitorët dhe çiklistët u ndaluan ndërsa policia u kontrolloi edhe dokumentet e identifikimit. (Vetëm për ëeb)

Kina nuk lejon asnjë diskutim publik për ngjarjet e 3 dhe 4 qershorit të vitit 1989, kur ushtarë me mjete të blinduara ushtarake u dërguan në zemër të Pekinit duke vrarë me qindra, ndoshta mijëra vetë.
Numri i saktë i të vdekurve mbetet i panjohur.

Përvjetori i protestave në sheshin Tiananmen megjithatë u kujtua në vende të ndryshme të botës.

Protestuesit në Berlin të shtunën ndezën qirinj për të përkujtuar 34-vjetorin e shtypjes së protestave.

“Ne kemi organizuar çdo vit përkujtime me qirinj për masakrën e Sheshit Tiananmen. Që prej hyrjes në fuqi të Ligjit të Sigurisë Kombëtare në Hong Kong, ky organizim praktikisht është shpallur i jashtëligjshëm dhe janë penalizuar gjithnjë e më shumë në Hong Kong”, thotë Siu im, nënkryetar i organizatës së banorëve të Hong Kongut në Gjermani.

Përpara pandemisë, dhjetëra mijëra njerëz mblidheshin çdo vit në Parkun Victoria të Hong Kongut, duke ndezur qirinj dhe duke kënduar këngë për të kujtuar viktimat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb